Përdorimi i kanabisit tek të rinjtë kosovarë po shënon rritje

14:15 | 5 Mars 2017
Arbresh.info

Droga e llojit kanabis po shënon rritje në përdorim tek të rinjtë kosovarë, por që këta të rijnë janë përdorues rekreacional, të momentit apo përdorues të kohë pas kohshëm të kanabisit.

Sipas punëtorit social në Qendrën Mediko-Psikoterapeutike “Labirinti”, Lindor Bexheti, përdorimi i kanabisit tek të rinjtë kosovarë po shënon rritje, por që janë vetëm përdorues rekreacional.

Ai tha se shumë e rëndësishme është të bëhet dallimi në mes të përdoruesve problematik dhe përdoruesve rekreacional apo të kohë pakohshme.

“Kanabisi është lloji i substancës që përdoret prej këtyre të rinjve më së shumti. Ky numër është në rritje e sipër, por dallimi që duhet me bë është se këta nuk janë përdorues problematik do të thotë i dallojmë përdoruesit problematik të drogave, ndërsa këta janë rekreacional, të momentit apo përdorues të kohë pas kohshëm të kanabisit. Këto dy kategori nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën, kështu që ideja është që na si organizatë me bë shkëputjen e këtyre dy kategorive që përdoruesit rekreacional mos me u bë problematik, pasi që tani ka dëme të mëdha në shoqëri, përdoruesit problematik fillojnë me shiringë, është rreziku i shfaqjes së sëmundjeve infektive siç është Hepatiti B dhe C, HIVI që ne i ofrojmë shërbime”, tha ai.

Bexheti si problem e paraqet mungesën e statistikave për atë së sa janë përdorues të substancave narkotike të rinjtë në nivel vendi.

Ai bëri të ditur se përdorues problematikë të cilët përdorin droga më të rënda në Kosovë janë rreth 4 mijë deri në 6 mijë persona, ku mosha mesatare e tyre 30 dhe 40 vjeç.

“Grupe të caktuara të cilët janë grupacione që i quajmë përdorues problematik apo ndryshe përdorues të drogave ma të rënda që kanë nevojë për shërbime të ndryshme mjekësore, sociale dhe psikologjike. Kështu që sa i përket numrit të këtyre përdoruesve problematik që ne i ofrojmë shërbime për ta, apo ata marrin shërbime prej neve numri i përafërt është rreth 4 mijë veta apo 4 mijë deri në 6 mijë persona. Mosha mesatare e këtyre përdoruesve është më e madhe sepse këta janë përdorues që kanë përdorë substanca të ndryshme një kohë të gjatë, por jo çfarëdo substance por ne i quajnë neopijate apo në rastin tonë që japim shërbime është për llojin e tipit heroinë. Mosha kryesisht është rreth 30 dhe 40 vjeç që marrin shërbime këta përdorues”, tha ai.

Sipas punëtorit social, Lindor Bexheti, Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova dhe Gjilani janë qytetet potencialisht më përdoruesit më të mëdhenj të drogave.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2016 janë evituar pesë raste të përdorimit të lëndëve narkotike në shkolla apo përreth tyre, ku këto raste janë proceduar më tutje.

“Policia në kuadër të planeve operative ndërmerr hapa konkret në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat. Në kuadër të kësaj, si masë parandaluese policia ka mbajtur ligjërata me nxënës të dhjetëra shkollave për rrezikun nga përdorimi i drogave dhe ka shpërndarë fletushka (fletëpalosje) për nxënësit në mënyrë që të shpalos para tyre rrezikun që paraqesin lëndet narkotike. Sa i përket rasteve të përdorimit të këtyre lëndeve në shkolla apo përreth tyre, gjatë vitit 2016 janë evidentuar pesë raste të tilla të cilat janë proceduar me tutje”, thuhet në përgjigje të Policisë së Kosovës.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, tha se para tri viteve është bërë një hulumtim për çështjen e sigurisë në shkolla dhe njëra ndër çështjet ka qenë edhe konsumimi i substancave të ndryshme në shkolla.

Ajo tha se gjendja në shkollat e Prishtinës është stabile, por që shqetësuese është përdorimi i substancave të ndryshme jashtë objektit të shkollës.

“Në baza ditore trajtojmë raste të ndryshme për të cilat mund të marrim njoftime qoftë nga menaxhmenti i shkollës, mësimdhënësit por edhe nga prindërit apo nga nxënësit. Në përgjithësi gjendjen në shkolla e kemi stabile, së paku për aq sa ne kemi informata, por them se është shqetësuese sa i përket sjelljeve apo konsumimit të mjeteve të ndryshme që janë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve jashtë objektit të shkollës, së paku dy informata që i kemi pas dhe të cilat i kemi shqyrtuar, ankesat kanë qenë që është abuzuar jashtë objektit të shkollës, jo brenda në shkollë gjë që i tejkalon kompetencat tona si drejtori e arsimit. Në këtë drejtim kërkon një bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me institucionet të cilat duhet të jenë më efikase në parandalimin e përdorimit të substancave që rrezikojnë shëndetin e të rinjve”, tha ajo.

Sociologu Besim Gollopeni, thotë se shkaqet që i shtyjnë të rinjtë që të përdorin drogë janë të shumta dhe të ndryshme.

“Shkaqet e përdorimit të drogave kryesisht tek të rinjtë janë të shumtë, të ndryshëm dhe dallojnë natyrisht në kohë dhe në hapësirë, mirëpo në përgjithësi në qoftë se flasim për drogat tek të rinjtë ndër shkaktarët kryesorë janë të qenit më si përdoret në gjuhën urbane in, pra për ta ndier vetën pak më të privilegjuar se të tjerët dhe që kjo është shumë e rrezikshme dhe shumë e dëmshme, por që fatkeqësisht është prezentë në shoqërinë tonë, tek të rinjtë në këtë rast, pastaj faktorët e tjerë si nervoza, stresi, ngarkesa, të qenurit më i lumtur më komod, më i qetë, më i veçantë nga të tjerët dhe kështu janë disa prej faktorëve apo shkaqeve që qojnë deri tek përdorimi i drogave kryesisht tek të rinjtë”, tha ai.

“Efekte sociale vjen në shprehje përdorimi i dhunës, pastaj vinë dhuna në familje, dhuna në shkollë, mënjanimi nga sukseset, mënjanimi nga zhvillimi apo zhvillimet individuale të mëtutjeshme qoftë profesionale, qoftë psikosociale, fizike e kështu me radhë. Mirëpo, kemi edhe efekte ekonomike pastaj, të cilat pa dyshim se çdo përdorues të drogave buxheti individual dhe familjar varfërohet për shkak se patën apo nuk patën mjete financa ata duhet ti gjejnë dhe i gjejnë ato për shkak se duhet të ia marojnë qefin vetës, pra te qetësohen për shkak se tash veç janë bërë përdorues të rregullt të drogave, po flasim kur kemi arritur në atë stad kur janë vartës të drogave. Sigurisht që në aspektin psikologjik, shëndetësorë pastaj janë problemet fillojnë devijimet, fillojnë problemet psikike, traumat apo depresioni që e përcjellin pastaj me probleme të tjera në shoqëri, familje”, tha ai.

Ndryshe, së fundim diskutohet shumë për përdorimin e substancave narkotike në kryeqytet, ku qytetarët shpesh edhe hasin të rinjtë duke konsumuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme