Në fund të javës së kaluar, qeveria e Kosovës prezantoi pakon e re ekonomike në përballje me inflacionin, i cili ka arritur në 19.5%.
Në këtë pako, janë paraparë ndihma sociale për shtresa të ndryshme të popullsisë, siç janë: punëtorët e sektorit publik (50 euro në muaj), ata të sektorit privat (subvencionim 50% për rritje të pagës), studentët (100 euro në nëntor) dhe pensionistët (100 euro në shtator).
Ekonomisti i njohur, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për arbresh.info tha se pakot për përballjen me inflacionin duhet të jetë gjithëpërfshirëse, dhe jo selektive siç e ka bërë qeveria, dhe në veçanti, theksoi nevojën për t’u ndihmuar sektori privat, si mbushësi më i madh i arkave të shtetit.
“Kuptohet që ndihma shtetërore duhet të jetë gjithëpërfshirëse, në këtë drejtim është bërë një qasje selektive, bazuar në fatin e të papunësuarve dhe sektorit privat. Paradoksi më i madh është që sektori privat e bën dhe krijon buxhetin e shtetit dhe mundëson funksionalizimin e tij, dhe të jenë të anashkaluar nuk i bën nder askujt, por, kjo është Kosovë dhe duhet të mendohet edhe për këtë sektor, nuk duhet që ata gjithmonë të jenë nën mëshirën e punëdhënësit”, tha Gërxhaliu.
Për partinë në pushtet, kjo pako po konsiderohet si ringjallje ekonomike për tërë Kosovën dhe pako shumë e nevojshme në kuadër të përballjes me inflacionin.
Në anën tjetër, nga partitë opozitare po thonë se kjo pako nuk i ndihmon aspak qytetarët e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se përderisa vendi është në krizë ekonomike dhe inflacioni është më i larti në rajon, qeveria po mundohet që me ‘lëmosha’ t’i mbajë gjallë qytetarët.
E nga partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, po thonë se kjo pako është pako e panikut, e paplanifikuar dhe jo efektive.
Meqenëse në pakon e qeverisë nuk ka asnjë shtesë dhe asnjë mjet të ndarë për të papunësuarit, LDK në konferencën e tyre, thanë se ata janë injoruar tërësisht nga kjo qeveri, e cila, ndonëse mbahet si social-demokrate, vendimet e saj nuk janë në përputhje me vetë konceptin social-demokrat, i cili angazhohet për barazi mes njerëzve, çfarëdo shtrese qofshin ata.
Nga kjo parti përmendën edhe sektorin privat, i cili nuk është ndihmuar mjaftueshëm, për të mos thënë fare, nga kjo pako e Inflacionit.
Zhurmë e madhe është bërë në opinionin publik në lidhje me këtë pako të qeverisë, ku ka pasur jashtëzakonisht shumë kritika nga qytetarët, mediat, akterët politikë, ekspertët e fushës dhe shoqëria civile. ‘Zhurma’ më e madhe është bërë për sektorin privat dhe të papunët, të cilët, sipas shumë ekonomistëve, janë diskriminuar nga qeveria.
Gërxhaliu theksoi se me këto pako afatshkurtëre dhe pa vizion të qartë nuk mund të ringjallet ekonomia e shtetit dhe nuk mund të përballemi me inflacionin.
“Duhet të kuptohet që me masa të tilla nuk zgjidhen problemet socialo-ekonomike, këto janë vetëm hapa afatshkurtëra apo ad-hoc, neve na duhet një vizion dhe një strategji më e thellë, dua të besoj që qeveria e Kosovës do të punojë më shumë në këtë drejtim dhe të dihet ku jemi sot, pas një viti, pas pesë viteve dhe pas dhjetë viteve”, përfundoi Gërxhaliu për arbresh.info.
Për analistin e ekonomisë, Burim Berisha, kjo pako nuk është e studiuar mirë dhe është e pabarabartë, dhe meqë inflacioni i prek të gjitha shtresat, edhe pakoja e inflacionit duhet t’i prekë të gjithë, jo vetëm punëtorët e sektorit publik, studentët apo pensionistët. Ai përmendi edhe disa elemente tjera që sipas tij ndikojnë në përballjen e inflacionit, siç është akciza e naftës, interesi i kredisë, etj.
“Të papunët, ata që janë me punë sezonale e të ngjashme nuk janë përfshi askund, inflacioni nuk i prekë vetëm punëtorët e sektorit publik, studentët apo pensionistët, por i prekë të gjitha shtresat. Në qoftë se edhe pako nuk i prek të gjitha shtresat, atëherë do të kemi probleme të mëdha. Kam informacione se edhe normat e interesit tash e tutje do të jenë më të larta, kështu që do të jetë barrë e madhe. Nuk është e analizuar, nuk ka ndonjë grup të ekspertëve, nuk ka ulje të akcizës sikur në rajon, nuk ka ulje të TVSH-së. Kjo nuk është as pako e ringritjes ekonomike e as e inflacionit, por është pako sa për t’ia mbyllur gojën dikujt”, u prononcua Berisha për arbresh.info.
Të gjitha shtesat që janë paraparë nga qeveria, pritet të ekzekutohen me fillimin e muajit tetor, dhe do të vazhdojnë deri në muajin e fundit të vitit, dhjetorin.
Gjithsesi, këto shtesa me të drejtë mund të cilësohen si të pamjaftueshme për ta përballuar inflacionin, pasi që produktet esenciale dita ditës po rriten në çmim, nafta gjithashtu, ndërkohë, shumica e popullsisë (sektori privat) nuk merr përkrahje nga shteti./Emir Abduramani/arbresh.info/
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...