Për të tretën ditë me radhë, nisë intervistimi i presidentit Thaçi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë

13:35 | 15 Korrik 2020
L G

Për të tretën ditë me radhë, sot Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të intervistohet nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, lidhur me pretendimet e aktakuzës për  përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Intervistimi i Thaçit ka nisur në ora 13:00 dhe pritet të zgjat disa orë, raporton arbresh.info.

Dy ditë radhazi Thaçi u intervistua për gjashtë orë të tëra.

Gjatë ditës së hënë kur edhe ka nisur intervistimi i tij për herë të parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Thaçi para se të hynte në intervistim deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Ndërsa pas intervistimit disa orësh në ditën e hënë, Thaçi tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Ndryshe, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Prokurori i Specializuar pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar kishte thënë se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Prokurori i Specializuar e kishte vlerësuar të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat për shkak të, siç thuhet, përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara./arbresh.info

DEKLARATA E THAÇIT PARA MEDIAVE, DITËN E PARË TË INTERVISTIMIT 

LEXO EDHE :

Pas 6 orëve përfundon intervistimi i Hashim Thaçit

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme