Për të katërtën herë dështon mbledhja e Kuvendit Komunal të Gjilanit

12:23 | 26 Korrik 2024
E.K

Në mungesë kuorumi, për të katërtën herë radhazi ka dështuar të mbahet seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi opozita (LDK) ka lëshuar sallën nën arsyetimin se Komuna e Gjilanit nuk ka siguruar transmetim medial siç ka qenë në të kaluarën.

Edhe pse mbledhjet transmetohen në kanalin zyrtar youtube dhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook, opozita ka kërkuar transmetim medial.

“Meqë nuk është siguruar as sot transmetimi, është pamundësuar puna e Kuvendit”, ka thënë shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, njofton Zyra për Informim e Komunës.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se transmetimi i seancave është duke u bërë vazhdimisht, duke e cilësuar si lojë të opozitës lëshimin e seancave.

Ai theksoi se transmetimi në faqet e Komunës po vlerësohet më pak nga opozita se sa transmetimi në portale. “Komuna nuk e ka luksin të bëjë pagesë prej 600 euro për një seancë dhe konsideroj që nuk duhet të bëhet”, ka thënë Hyseni.

Pas ndërprerjes së seancës kanë folur edhe asambleisti i VV-së, Ismajl Kurteshi dhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bujar Nevzati, të cilët kanë kërkuar që për hir të interesit të qytetarëve të gjendet një zgjidhje e shpejt që seancat e Kuvendit të mbahen në mënyrë të vazhdueshme.

Në fund, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka propozuar që javën e ardhshme të mbahet një takim mes kryetarit të Komunës dhe shefave të grupeve të Kuvendit të Komunës për ta zgjidhur këtë problem.

Përndryshe, sot ishin paraparë të mbahen dy seanca, vazhdimi i seancës se katërt dhe seanca e pestë, të cilat ishin ndërprerë dy herë radhazi. Në rend dite, sipas Komunës, kanë qenë disa pika me rëndësi, përfshirë edhe për Vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për Komunën e Gjilanit, Raportin e punës për vitin 2023 të Komisionit Komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe shumë pika të tjera.*/rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme