Shtetasi serb i ofron policit 10 euro ryshfet për të hyrë në Kosovë

12:12 | 25 Tetor 2021
Arbresh.info

Dy persona shtetas të Serbisë rreth orës 08:40 të mëngjesit,  kishin tentuar të hynë në Kosovë, me një veturë me targa serbe dhe njëri nga ta nuk kishte poseduar asnjë dokument zyrtar e po ashtu as vaksinimin e plotë kundër Covid-19.

Zyrtari policor nuk e kishte lejuar për të hyrë, ndërsa ai i kishte ofruar ryshfet në vlerë prej 10 euro për të hyrë në territorin e Repulikës së Kosovës.

Këtë njoftim e ka bërë të ditur Zyra për Informimin e Publikut nga Policia e Kosovës.

“Më datën 25.10.2021 në orën 08:40 , në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë,  në hyrje nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një automjet me targa të Republikës së Serbisë në të cilin ishin dy persona,  shtetas të Serbisë.

Gjatë kontrollimit dhe regjistrimit  të dokumenteve të personave dhe automjetit, i dyshuari ka prezantuar dokumentet e nevojshme por nuk ka prezantuar dëshmi për bashkudhëtarin e tij për kushtet e hyrjes në Republikën e Kosovës, i cili nuk kishte vaksinim të plotë kundër COVID-19. Nga zyrtarët policorë bashkudhëtarit i është refuzuar hyrja në RKS,  bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës  për masat mbrojtëse kundër Covid-19.

Me këtë rast i dyshuari G.S. (1964),  i ka ofruar ryshfet (10 euro) zyrtarit policor në kabinën e kontrollit, me qëllim të lejimit të hyrjes në RKS edhe për bashkudhëtarin i cili nuk plotësonte kushtet e hyrjes në RKS. Personi i dyshuar është arrestuar nga zyrtarët policorë dhe për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Dhënia e ryshfetit”

Personi i dyshuar është intervistuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë“. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme