Google ADS

Për shtatë muaj humbën 161 milionë| Ku mbeti iniciativa për tërheqjen e Trustit?

10:03 | 1 Tetor 2022
A. B.

Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje.

Javën e kaluar, Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi ta dërgojë në Qeveri për mendim këtë projektligj, bazuar në një peticion të nënshkruar nga më shumë se 20 mijë qytetarë të Kosovës, i cili i është dorëzuar Kuvendit më 15 korrik.

Nuk është ende e qartë se kur mund të japë Qeveria mendimin. Po ashtu, nuk dihet nëse projektligji do të arrijë sërish në Kuvend.

Deputeti i PDK-së dhe njëherësh iniciatori i tërheqjes së kursimeve nga Trustit, Bekim Haxhiu për arbresh.info bënë të ditur se Trusti ka humbur 161.6 milion euro për shtatë muaj.

“Projektligji për Trustin është procedua për mendim në Qeveri, shpresoj që Qeveria mos ta vonoj 30 ditë sa e ka afatin ligjor, por ta procedoj më shpejt në Kuvend, pasi që tani më është e njohur me materien e projektligjit dhe me faktin se Trusti ka humbur 161. 6 milionë € të kursimeve pensional për 7 muaj, përgjatë periudhës janar-korrik 2022”, deklaroi Haxhiu.

Ai shton se Qeveria duhet ta mbështes Projektligjin në mënyrë që mos të humbasin ato në tregjet ndërkombëtare.

“Qeveritarët dhe deputetët e LVV-s duhet të reflektojnë dhe ta mbështesin Projektligjin për Trusti, më mirë qytetarët të marrin disa nga kursimet e tyre në Trust se sa ato të humbasin në tregjet ndërkombëtare”, potencoi Haxhiu.

Sipas Haxhiut kjo iniciativë vjen si pasojë e krizës ekonomike duke shtuar se deputetët që e votuan kundër herën e kaluar duhet ta përmirësojnë gabimin tani.

“Kjo iniciativë ligjore ka ardhur si domosdoshmëri për shkak të situatës nëpër të cilën po kalojnë qytetarët tonë, për shkak të krizës ekonomike, inflacionit dhe rritjes se çmimeve . Ata që votuan kundër Projektligjit për Trustin herën e kaluar duhet të përgjigjen para qytetarëve dhe ta përmirësojnë gabimin tani kur Projektligji për Trustin po rikthehet në Kuvend me mbi 21,398 mijë nënshkrime të qytetarëve qe u mblodhën për 8 ditë”, tha Haxhiu.

Në fund Haxhiu pret mbështetjen për Projektligjin dhe që sipas tij kjo është kërkesë e qytetarëve dhe është e drejt e tyre të iu mundësohet tërheqja e Trustit.

“Është shumë më e drejtë që t’iu mundësohet qytetarëve të tërheqin deri 30% të kursimeve të tyre në Trust, se sa parat e Trustit të humbin në tregjet ndërkombëtare. Pres mbështetje për kërkesën e qytetarëve në këtë thellim enorm të krizës ekonomike”, u shpreh në fund Haxhiu.

Sipas analistit politik, Mazllum Baraliu nuk ka gjasa që të votohet Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trustit sepse nuk vlerësohet nga Qeveria si ndihmës.

“Duke u bazuar në qëndrimin dhe Ministrisë së Financave dhe Transferove nuk ka gjasa. Prandaj insistimi i opozitës gjegjësisht një pjese të opozitës e më pastaj tërësisht opozita, mund të shpjegohet më tepër ngase me dëshirën për ta mbajtur sa më afër thjeshtë rektoratin për të fituar reputacion më saktë për zgjedhjet e ardhshme sepse nuk është as substanca e qëndrueshme apo profitabile ose ndihmuese sipas vlerësimeve të qeverisë”, deklaroi Baraliu për arbresh.info.

Baraliu mendon se edhe po të jepet një shumë nga Trusti nuk mund të iu ndihmojë qytetarëve në përmirësimin e gjendjes dhe në fund shtoi se Qeveria nuk do të lëshoj pe.

“Një numër i madh prej atyre 340 mijë qe janë kursimtarë në trust një pjesë e madhe tyre mbi gjysma 150 mijë e më tepër kanë nën 1000 euro vlerë të kursimeve të tyre, pra një vlerë simbolike e cila edhe po të jepet nuk mund të ti ndihmoj në përmirësimin e situatës sociale dhe të çmimeve të cilat kanë eskaluar muajt e fundit dhe viteve të fundit. Mendoj që qeveria nuk do të lëshoj pe, gjegjësisht në parlament kur të vjen puna në votim shumica parlamentare nuk do ta pranojnë këtë propozim dhe institenc të një segmenti të opozitës”, u shpreh Baraliu.

E përkundër mendimit të Baraliut është analisti i ekonomisë, Musa Limani i cili për arbresh.info ka deklaruar se tërheqja e mjeteve të Trustit është një ndihmesë për ta kaluar krizën ekonomike.

“Unë disa herë deri më tani, kam dhënë mendimin tim profesional, se në ketë krizë ekonomike dhe sociale, tërheqja e mjeteve të Trustit do të jetë një ndihmesë me rëndësi të konsiderueshme materiale për kursimtarët e Fondit pensionist për të kaluar situatën e rëndë sociale, që është krijuar me rastin e ngritjes së çmimeve të artikujve ekzistencial, pra “Shportës” jetësore, bile te disa artikuj kemi rritje edhe mbi 50,0%”, u shpreh Limani.

Sipas Limanit, mos lejimi i tërheqjes së Trustit po i dëmton edhe më shumë qytetarët.

“Kjo, aq më parë, kur dihet se ato janë kursime individuale, e nuk janë fond i përbashkët pensional. Në pamundësi që një pjesë e madhe e popullatës që t’i mbulojnë shpenzimet mujore me pagat të tyre, sepse janë shumë të ulta në raport me nivelin e lartë të çmimeve, janë të shtrënguar të marrin kredi konsumuese, duke i paguar me normë të lartë të interesit. Andaj, mos lejimi i tërheqjes së mjeteve nga Trusti i pensionistëve, Qeveria edhe më tepër po i dëmton qytetarët, duke ua rritë shpenzimet jetësore edhe me shpenzime shtesë me këste për kthimin e kredive konsumuese”, potencoi Limani për arbresh.info.

Tutje ai shtoi se Qeveria nuk ka arsye tua ndaloj qytetarëve tërheqjen e mjeteve dhe sipas tij është e papranueshme që Qeveria të pengoj shfrytëzimin e mjeteve të kursyera vetanake.

“Kemi potencuar edhe më parë në opinionet tona, se Qeveria nuk ka kurrfarë arsye e as të drejtë, që kursimtarëve të mjeteve të Trustit t’ua ndalojë tërheqjen e kursimeve të tyre. Është impetativ kohe, që duhet ndryshuar forma e tanishme e menaxhimit të mjeteve të Fondit të Trustit. Është e pa justifikueshme, e në aspektin ekonomik e social e pa pranueshme, që Qeveria të pengojë shfrytëzimin e mjeteve, të kursyera vetanake të të punësuarve nga Fondi i pensionistëve”, shtoi Limani.

Në fund Limani tha se zgjedhja më e drejtë është kthimi i formës së mëparshme që ishte gjenerata mban gjeneratën.

“Kjo formë e sistemit pensional, nuk paraqet e as nuk është zgjidhje e drejtë dhe afat gjate për sigurimin material të pensionistëve. Zgjidhja më e drejtë dhe përhershme është kthimi i formës së mëparshme, siç ishte: gjenerata mbanë gjeneratë. Ndërkaq Trusti, mund të jetë si formë plotësuese, por jo kryesor në sistemin pensional në Kosovë”, deklaroi në fund Limani për arbresh.info.

Propozimi për tërheqjen deri në 30 për qind  të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale, është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës me 9 mars, konkretisht nga deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu.

Pro kësaj kërkese kanë qenë edhe partitë tjera opozitare. Por, Qeveria nuk e ka përkrahur tërheqjen e parave nga Trusti, sepse sipas tyre nuk u ndihmon kategorive në nevojë.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët”, thonë nga Qeveria.

Kujtojmë se në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është mundësuar të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti.

Kjo është bërë me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, qëllim i të cilit ka qenë adresimi i vështirësive financiare, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Asokohe, nga Trusti janë tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontribut-pagues. Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe atëherë ka qenë kundër./arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme