Për shkak të pandemisë, për tri vjet lirohen nga pagesa e rendeve të udhëtimit operatorët e transportit

17:43 | 18 Gusht 2020
L G

Në kuadër të masave lehtësuese ndaj pandemisë COVID-19, Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka marr vendim për t’i liruar nga pagesa-tarifa administrative operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve me autobus, njofton Ministria e Infrastrukturës, raporton arbresh.info.

Ky vendim përfshin periudhën 3 vjeçare, 2020-2023, që operatorët i liron nga pagesa e rendeve të udhëtimit, duke ua lehtësuar problemet financiare që u janë shkaktuar nga pandemia.

Gjithashtu transportuesit janë liruar nga tarifa tjera administrative, si masa lehtësuese.

Ministri tha se ky vendim ka për qëllim mbështetjen e bizneseve, konkretisht sektorit të transportit rrugor.

Ministri Abrashi tha se ky vendim ruan shumë vende pune që janë rrezikuar si rezultat i humbjeve të mëdha që kanë pasur këta operator nga pandemia.

“Me këtë vendim po ruajmë shumë vende pune dhe po shpëtojmë bizneset nga falimentimi. Bizneset do të vazhdojmë t’i mbështesim në këtë kohë që po përballen me probleme financiare”, tha Abrashi.  /arbresh.info

Të ngjashme