Google ADS

Për SHBA-në, gjithçka është në tavolinë në çështjen Kosovë-Serbi

21:28 | 7 Janar 2019
Arbresh.info

Administrata e Trumpit po punon që të shënojë atë që shpreson të jetë një fitore tjetër e politikës së jashtme, por kësaj radhe duke inkurajuar liderët nga Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë marrëveshjen për paqe në një ceremoni që do të mund të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë.

Një burim ka konfirmuar për “Fox News” një raport se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë udhëtoi në gjermani dhe u takua me ambasadorin amerikan atje, Richard Grenell, për të diskutuar një marrëveshje që do të ulte tarifat ndaj mallrave serbe, dhe në përgjithësi të çojë drejt uljes së tensioneve. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë kohëve të fundit janë tensionuar aq shumë sa që disa frikësohen se një konflikt i armatosur mund të ndodh.

“Presidenti Trump u ka treguar edhe Kosovës edhe Serbisë rrugën e qartë drejt marrjes së mbështetjes më të madhe amerikane”, ka thënë një zyrtar amerikan për “Fox News”. “Ai dëshiron nga ta që të arrijnë një marrëveshje të pajtueshme reciprokisht. Përderisa ata dy pajtohen, atëherë edhe ai do ta mbështesë. Për dallim nga qëndrimi evropian, për SHBA-në gjithçka është në tavolinë”, citon “Fox News” të ketë thënë zyrtari amerikan, transmeton Koha.net.

Takimi i Thaçit me Grenellin, që është ish-zëdhënës i delegacionit të SHBA-së në OKB dhe ekspert i politikës së jashtme, i njohur mirë me situatën Kosovë-Serbi, ka ndihmuar që profilit i këtij rasti të rritet. Grennell cilësohet si i besueshmi i Trumit në Evropë që ka qasje shumë të efektshme në Shtëpinë e Bardhë.

Sjellja e dy liderëve, Thaçit e Vuçiqit së bashku në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë do të shihej si arritje e madhe. Armiqësia e thellë midis serbëve dhe kosovarëve, të cilët janë shqiptarë etnikë dhe kryesisht myslimanë, daton shekuj më parë.

Një ekspert ka mirëpritur vëmendjen e shtuar amerikane ndaj çështjes Kosovë-Serbi, veçanërisht në kuadrin e kornizës më të madhe të Ballkanit.

Daniel Baer, ambasador amerikan në OKB dhe këshilltar për Politikë të Jashtme të Amerikës, ka thënë se tensionet në ngritje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe mënyra në të cilën Serbia dhe Rusia po punojnë bashkë për të nxitur paqëndrueshmëri në Bosnjën fqinje, paraqesin rrezik të vërtetë ndaj paqes rajonale.

“Natyrisht, ofrimi i Shtëpisë së Bardhë si një mjedis po ofron një karotë të madhe, por nëse administrata mund ta përdorë atë karotë për të arritur një paqe të mirëfilltë mes Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë njohjen e Kosovës nga Beogradi, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”, theksoi Baer.

Kujtomë se dje, The Washington Post raportoi se në takimin mes Thaçit dhe Grenellit në Berlin, presidenti i Kosovës e ka siguruar zyrtarin amerikan se Kosova do të shqyrtojë heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme