Demokraci Plus të enjten ka publikuar raportin Kontratat emergjente dhe ulja e konkurrencës në prokurim publik përgjatë pandemisë, ku janë prezantuar të gjeturat nga analizimi i tenderëve që kanë të bëjnë me luftimin e pandemisë me theks të veçantë në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. Raporti tregon që si rezultat i përdorimit të procedurës së negociuar (emergjente) ka pasur numër të vogël të ofertave, ndërsa çmimet më të larta krahasuar me çmimet e kontratave me procedurë të hapur. Gjithashtu, të gjeturat tregojnë që pavarësisht që negocimi i kushteve të kontratës, kryesisht për ulje të çmimeve është në duar të autoriteteve kontraktuese, mungesa e tyre dëshmon për mosvullnetin e të njëjtave që ta ruajnë buxhetin e shtetit.
Të dhënat në raport tregojnë se nga marsi i vitit 2020 deri në marsin e vitit 2021, janë nënshkruar 268 kontrata përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë (apo kontrata emergjente) me një vlerë mbi 18 milion euro. Në vetëm 28 prej tyre autoritetet kontraktuese i kanë ftuar kompanitë për të negociuar dhe si rezultat edhe janë ulur çmimet. Shuma që është ruajtur përmes negocimit vetëm në këto 28 kontrata kap vlerën prej 168,387.38 euro, shumë e cila me siguri do të ishte më e lartë sikur autoritetet kontraktuese t’i ftonin operatorët ekonomikë për negociata. Mesatarisht çmimi është ulur për rreth 4%, nga totali prej 4.17 milion euro në 4 milion euro. Po ashtu, D+ e vlerëson si shqetësuese, që nga 268 kontrata, të cilat janë lidhur me procedurë emergjente, 27 prej kompanive fituese nuk janë të specializuara në fushën për të cilën janë kontraktuar. Përveç kësaj, 18 prej 27 kontratave është ftuar vetëm një kompani që të ofertojë. Një veprim i tillë është i ndaluar me Ligjin për Prokurimin Publik, pasi autoritetet kontraktuese obligohen t’i ftojnë kompanitë e përshtatshme për të ofertuar.
Pra, konkurrenca është zvogëluar ndjeshëm më përdorimin e kësaj procedure. Mesatarisht, në vitin 2019, për çdo tender janë pranuar nga pesë oferta. Ndërsa, për këto 268 kontrata janë pranuar mesatarisht nga 1.6 oferta. Për 167 kontrata ka pasur vetëm një ofertues, ndërsa asnjë tender nuk ka pasur më shumë se pesë oferta.
Për qëllim të krahasimit të çmimeve D+ ka analizuar tri produktet më të zakonshme në luftën kundër pandemisë, siç janë: maskat e thjeshta, maskat me filtër FFP2 dhe dezinfektuesit. Në këtë drejtim, janë krahasuar çmimet e kontratave që janë lidhur me procedurë të hapur dhe të atyre me procedurë të negociuar.
Gjatë periudhës kohore korrik-dhjetor 2020, për një maskë të thjeshtë, çmimi mesatar që është paguar përmes kontratës së hapur është 0.14 euro, ndërsa me procedurë të negociuar 0.29 euro, dallim ky prej 207%. Ndërkaq për një maskë pak më të avancuar, ajo me filtër FFP2, çmimi mesatar ka qenë 1.53 euro, ndërsa në procedurë të negociuar është blerë me 4.01 euro, ose 262% më shtrenjtë.
Përveç këtyre dy lloj maskash, për të njëjtën periudhë janë analizuar edhe çmimet për dezinfektues 1 litërsh dhe 500 ml. Çmimi mesatar i kontratave tëa lidhur me procedurë të hapur për dezinfektuesin 1 litërsh ka qenë 2.94 euro, ndërsa në kontratën e negociuar 7.74 euro – dallimi prej 263 %. Ndërkaq, për dezinfektuesin 500 ml, autoritetet kontraktuese që kanë përdorur procedura të hapura e kanë blerë për 2.22 euro, ndërsa me ato me procedurë të negociuar i kanë blerë me 3.72 euro, apo 168% më shtrenjtë.
Gjithashtu, në raport është cekur që lidhja e kontratave kornizë nga autoritetet kontraktuese ka qenë vendim i pamatur dhe humbje për buxhetin e shtetit, kjo për shkak të ndryshimit të çmimeve nga dita në ditë.
D+ thekson së një nga parimet bazë të prokurimit publik është konkurrenca. Mungesa e konkurrencës shkakton çmime më të larta e ku buxheti i institucioneve pëson humbje. D+ kërkon që Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik të vlerësojë për çdo tender se a mund të përdoret procedura emergjente apo jo. Autoritetet kontraktues, për produktet për mbrojtje ndaj pandemisë, nuk duhet të përdorin procedurën emergjente pasi pandemia më nuk mund të konsiderohet emergjencë ekstreme./arbresh.info/
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë