Rreth 1.7 milion euro është vlera e mjeteve financiare që Qeveria e Kosovës paguan në baza vjetore për shfrytëzimin me qira të 17 objekteve private, në të cilat këto institucione qeveritare e zhvillojnë veprimtarinë e tyre.
Këto të dhëna përfshijnë institucionet qendrore qeveritare që janë vendosur me qira në Prishtinë, por jo edhe ato në komunat tjera apo nivelin lokal të pushtetit.
Institucioni shtetëror që paguan çmimin më të lartë të qirasë është Administrata Tatimore e Kosovës me rreth 390 mijë euro në vit apo rreth 32 mijë euro në muaj, pasur nga Ministria e Financave, përkatësisht Dogana dhe Njësia për Inteligjencë Financiare, që paguajnë qira vjetore prej 347 mijë euro. Kurse shumën prej 175 mijë euro qira vjetore e paguan Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, 115 mijë Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ndërkaq 108 mijë euro për qira paguan Ministria e Integrimit. Janë edhe 12 institucione tjera që paguajnë më pak se 100 mijë euro qira vjetore.
Zeqir Bekolli, udhëheqës i Departamentit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Administratës Publike, thotë për Radion Evropa e Lirë se nevoja është e madhe që këto institucione të vendosen në objekte qeveritare pasi që kjo do të ishte një lehtësim edhe i aktiviteteve të tyre, e njëherësh sipas tij, ky proces është edhe prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Në momentet kur qeveria siguron hapësira zyrtare, sigurisht që këto institucione do të bartën në objektet shtetërore. Për këtë edhe Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Administratës Publike i ka prioritet. Mirëpo, tash për tash gjendja është kjo”, thotë Bekolli.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, shumën që paguhet për qira nga Qeveria e Kosovës e konsiderojnë të panevojshme dhe barrë për buxhetin.
Sipas tyre, vendosja e objekteve publike në hapësira private përbën një praktikë korruptive dhe ka për qëllim që t’u sigurojë përfitime grupeve të caktuara të interesit.
Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, konsideron se shuma prej rreth 1.7 milion euro është më e lartë në nivel vendi. Praktikën e marrjes së objekteve me qira, Gashi e quan abuzim me paratë publike.
“Marrë parasysh të gjitha institucionet në gjithë Kosovën që qeveria paguan qira, niveli pagesës për qiramarrje është shumë më i lartë. Mendoj që këto mjete duhet të orientohen me automatizëm në ndërtimin e objekteve publike që duhet të shfrytëzohen në institucionet publike. Praktikat e marrjes së objekteve më qira, 12 vjet pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës dhe 20 vjet pas përfundimit të luftës, është abuzim i pastër më paranë publike. Për faktin se ka pasur kohë të mjaftueshme që t’i ndërtojmë këto objekte”, tha Gashi.
Ai theksoi po ashtu se autoritet kompetente duhet ta kenë prioritet ndërtimin e objekteve që do të shfrytëzohen për institucionet publike.
“Në Kosovë janë shpenzuar miliona euro për qira dhe po të përdorshin këto mjete, deri më tani do të mund të ndërtoheshin disa herë objekte të ngjashme. Unë mendoj se duhet të jetë prioritet nacional si në nivelin lokal dhe qendror që të gjitha institucionet publike dhe shtetërore të vendosën nëpër objekte publike (shtetërore). Dhe në raste kur nuk ekzistojnë ato objekte, ato duhet të ndërtohen dhe të jenë prioritet. Unë mendoj se vazhdimësia e marrjes së objekteve me qira është bërë me qëllim të përfitimit të disa personave të cilët zakonisht janë të lidhur me personat që lëshojnë objekte me qira”, tha Gashi.
Një ndër institucionet e Qeverisë së Kosovës që është në proces të gjetjes se një objekti me qira, është Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Kjo ministri, që aktualisht sipas të dhënave të Ministrisë së Administratës Publike paguan 54 mijë euro qira vjetore për një objekt privat, po i zhvillon procedurat ligjore për ndërrim të objektit.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga zyrtarë të kësaj ministrie, thuhet “kontrata për këtë objekt përfundon më 19 janar, 2020, andaj për këtë është shpallur edhe thirrja për shprehje të interesit për palët që mund të ofrojnë objekt të përshtatshëm për ministri. Procesi i përzgjedhjes ende është në procedurë dhe ende nuk është përzgjedhur objekti se ku do të vendosemi ne si institucion”.
Kjo ministri ka shpallur në faqen e saj në internet edhe ftesën për shprehje të interesit ku thuhet se objekti potencial duhet të ketë hapësirë deri në 900 metra katrorë, kurse përparësi kanë objektet afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë nuk dihet nëse do të ketë nevojë për objektin e ri, pasi që në projeksionet e dy partive që po negociojnë rreth formimit të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një nga synimet është që të bëhet përgjysmimi i numrit të ministrive, krahasuar me qeverinë aktuale. Qeveria në largim kishte 21 ministri, ndërkaq synimet e Vetëvendosjes dhe LDK-së janë që Qeveria të ketë vetëm 12 ministri.
Guxo dënon sulmin në veri: Republika e Kosovës nuk iu nënsht...
Këshilli i Sigurisë me masa për sigurinë pas shpërthimit në ...
Parashikimi i motit në Shqipëri, ulen temperaturat, vranësir...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Sigurohet furnizimi i rregullt me rrymë për vendin dhe ngroh...
Mundësohet furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali ...