Google ADS

Për një vit në Kosovë u sulmuan katër mjek nga pacientët, njëri nga ta me sëpatë

19:34 | 20 Nëntor 2019
Arbresh.info

Gjatë ditës së djeshme një pacient ka sulmuar fizikisht një mjek në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Specializanti i ortopedisë Dr. Bujar Gashi është sulmuar fizikisht nga pacienti derisa ishte duke kryer shërbimin në Klinikën Emergjente në QKUK duke shënuar kështu rastin e dytë të sulmit që po iu bëhet mjekëve kosovarë nga ana e pacientëve vetëm brenda një jave në Kosovë.

Ndaj këtij rasti ka reaguar Oda e Mjekëve të Kosovës.

Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve ka thënë se në institucionin që ai e drejton brenda një viti janë informuar nga ana e katër mjekëve se ishin sulmuar gjatë orarit të punës. Madje në njërin nga këto raste, mjeku ishte sulmuar me sëpatë.

“Oda e Mjekëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim të veçantë lajmin mbi sulmin fizik ndaj kolegut tonë. Tani e sa herë kjo dukuri është bërë e përsëritshme dhe kjo duhet të jetë e patolerueshme në nivel institucional por edhe atë shoqëror. Vetëm brenda 1 viti ne jemi të informuar për katër sulme fizike, ku në njërin nga këto raste kemi sulmin fizik me mjet të rrezikshëm, respektivisht me sopatë. Pra, kemi të bëjmë me tentim vrasje”, ka deklaruar Sejdiu për Express.

Megjithëkëtë nga Oda e Mjekëve shprehen të dëshpëruar me punën që gjyqësori dhe prokuroria kosovare kanë bërë karshi sulmeve që po iu bëhen mjekëve në vendet e tyre të punës.

“Dhe nga praktika prokuroriale dhe gjyqësore, jemi të indinjuar sepse siç po shihet joefektiviteti i këtyre institucioneve i ka stimuluar personat me afinitet kriminal që të sulmojnë mjekët në vendet e tyre të punës”, thonë nga Oda e Mjekëve.

Por nga ky institucion shëndetësor, kritika jepen edhe karshi menaxhmentit të institucioneve shëndetësore karshi kërkesave të mjekëve kosovarë që të shtohet siguria në punë.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, menaxhmentet e institucioneve shëndetësore nuk kanë marrë për seriozisht shqetësimin e komunitetit mjekësor dhe revoltën përmes protestave ku është shprehur pakënaqësia e mjekëve për sigurinë në vendin e punës. Ne konsiderojmë se pasiviteti institucional, qoftë në sektorin e drejtësisë, por edhe atë të shëndetësisë, i bënë bashkëfajtorë në këtë krim që po kryhet ndaj mjekëve, si faktor i rëndësishëm kontributdhënës në shoqëri”, thotë Pleurat Sejdiu.

E për rastin e sulmit ndaj specializanti i ortopedisë Dr. Bujar Gashi, ka reaguar edhe Shërbimi Klinik dhe Spitalor i Kosovës. Nga SHSKUK deklarojnë se janë njoftuar nga Klinika e Emergjencës dhe e Ortopedisë se Dr. Bujar Gashi, specializant i ortopedisë, është sulmuar fizikisht nga një pacient në vendin e tij të punës, derisa po ofronte shërbime kujdestarie.

“SHSKUK dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj mjekut, e quan akt të turpshëm dhe qyqar, ndërkaq fton organet kompetente të merren me rastin. I shqetësuar me incidentin e mbrëmshëm, kolegjiumi i Klinikës së Ortopedisë ka kërkuar hetim të shpejtë, duke theksuar se dhuna nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si mjet i shprehjes së pakënaqësive”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.

Për sulmin është deklaruar edhe specializanti Bujar Gashi. Ai ka sqaruar se vetëm e ka referuar pacientin për rëntgen dhe në atë moment ai është sulmuar nga pacienti.

“Ka ardh një pacient i lënduar në pjesën e poshtme të këmbës. Infermierja i ka thënë shko tek ortopedi për ta shkruar rëntgenin. Pasi ka ardh te unë ia mora emrin dhe mbiemrin dhe i thash shko në katin e dytë për ta bërë rëntgenin. Ai mu drejtua: pse doktor po më malltreton. I thash kjo është rregulli dhe procedura. Ai më shajti dhe me fyjti pastaj dhe filloj me mu vërsul. Unë dola në korridor dhe ai më sulmoi me telefon. Pastaj ka ndërhyrë policia dhe sigurimi dhe gjithçka është regjistruar në kamerat e sigurisë”, ka rrëfyer Gashi.

E me gjithë rastin tashmë është duke u marrë edhe policia e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme