Google ADS

Për një vit, diaspora solli në Kosovë afër 7 milionë euro

13:11 | 17 Prill 2017
M. A.

Rreth gjashtë miliardë euro për periudhën 10 vjeçare, llogaritet të jetë shuma e parave të dërguara nga emigrantët kosovarë për familjet e tyre në Kosovë.

Shuma e remitencave që për çdo vit hyjnë në Kosovë, është rreth 600 milionë euro, me përjashtim vitet 2011 dhe 2012, qё mund tё jetё pasojё e problemeve dhe krizёs financiare nё eurozonё, nё vendet prej nga vijnё kryesisht remitencat nё Kosovё.

Nё vitin 2016 remitancat kanё arritur vlerёn prej 691 milionë euro, vlera mё e lartё pas krizёs financiare dhe recesionit ekonomik.

Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Instituti “Riinvest”, ku Kosova renditet nё top pesё vendet nё Evropё me pёrqindjen mё tё madhe tё remitencave me rreth 17 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) pёr vitin 2015.

Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq thonë remitencat janë jetike për mbajtjen e trendit të zhvillimit ekonomik që nga pas lufta.

Eksperti Naim Gashi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dërgesat e emigrantëve kanë ndikuar në zbutjen e varfërisë dhe në mirëqenien e familjeve në Kosovë.

Megjithatë, sipas tij, tashmë është koha që t’iu ndërrohet orientimi këtyre mjeteve.

“Diaspora jonë, ka rindërtuar Kosovën pas lufte, nga 200 mijë objekte banimi të shkatërruara, rreth 150 mijë janë ndërtuar nga diaspora. Ata njëkohësisht kanë vazhduar më kontributin e tyre për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes remitencave por edhe investimeve që ata kanë filluar t’i bëjnë në vendlindjen e tyre”, ka thënë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, në raportin e Institutit “Riinvest” thuhet se diaspora shihet si njё aset i madh nga qytetarёt e Kosovёs, dhe shfrytёzimi potenical i saj ёshtё thёnё tё jetё prioritet nga secila Qeveri. Por, pёrdorimi i kёsaj pjese tё popullsisё nuk ka dhёnё rezultate tё prekshme nё integrimin e diasporёs kosovare nё mjedisin ekonomik, politik dhe shoqёror tё Kosovёs.

Duke marrë parasysh rëndësinë e diasporës, Naim Gashi, konsideron se kjo pjesë e shoqërisë duhet të ketë ulëse edhe në Kuvendin e Kosovës, për arsye, siç thotë ai, që përveç kapitalit financiar që ata kanë grumbulluar në vendet e Bashkimit Evropian, ata kanë fituar përvojë profesionale në fusha të ndryshme.

“Diaspora do të duhej t’i kishte ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, njëkohësisht Ministria e Diasporës do të duhej të vazhdojë të ekzistojë, por jo vetëm në aspektin e ndërlidhjes, në aspektin gjuhësor – kulturor”.

“Mirëpo, komponenta ekonomike në kuadër të Ministrisë se Diasporës do të duhej të fuqizohet jashtëzakonisht shumë. Për arsye se diaspora jonë ka një potencial të madh dhe ka marrë përvoja të mëdha në vendet e Bashkimit Evropian dhe në vendet e tjera”, ka thënë Gashi.

Sidoqoftë, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, disa herë kanë potencuar se gjendja e rëndë ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë ka “detyruar” familjarët e tyre që jetojnë jashtë vendit, që t’i ndihmojnë ata duke iu dërguar para.

Sipas anketës se fundit të Fuqisë punëtore të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se shkalla e papunësisë në Kosovë është rreth 29 për qind, kurse e punësimit rreth 30%.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme