Shumë gra nga Kosova janë të gatshme të paguajnë mijëra euro për metodën e fertilitetit IVF, pa pasur garanci se do të kenë shtatzëni të suksesshme.
“Herën e parë në Shkup më ka kushtuar 6 mijë euro… Pastaj, kam shkuar në Turqi, ku më ka kushtuar mbi 3 mijë euro. Është dashur të marrim edhe borxhe për të provuar këtë proces”, thotë Drita, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për Radion Evropa e Lirë. Drita, pavarësisht përpjekjeve, nuk ka mundur të mbetet shtatzënë.
IVF është një metodë fertiliteti, kur çifti nuk mund të lindë fëmijë në mënyrë natyrale, por as IVF-ja nuk është 100 për qind e suksesshme.
Përmes kësaj procedure, ekipi mjekësor heq vezët nga vezoret e një gruaje dhe më pas i fekondon ato me spermë në laborator. Embrionit të fekonduar i jepen disa ditë për t’u rritur dhe më pas vendoset në mitrën e gruas. Procesi zakonisht zgjat katër deri në gjashtë javë.
Merita, një tjetër grua që thotë se ka kaluar nëpër këtë procedurë, sot është nënë e një djali.
“Ka qenë një proces i mundimshëm, i lodhshëm dhe i kushtueshëm. Po flas veç për procesin e IVF-it që ka kushtuar mbi tre mijë euro”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Merita tregon se IVF-in e ka bërë jashtë Kosovës.
Në Kosovë, kjo procedurë kryhet në gjashtë spitale për gjinekologji-obstetrikë dhe infertilitet, e cila njësoj kushton disa mijëra euro.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, saktësisht në Klinikën e Gjinekologjisë, ka nisur ndërtimi i repartit për IVF qysh në vitin 2020. Por, me gjithë zotimet e drejtuesve të QKUK-së se gratë do të mund të marrin shërbime IVF nga viti 2021, ato nuk kanë nisur ende.
“Punimet janë në fund, por [reparti] nuk është finalizuar komplet me disa testime të sistemeve, por edhe me trajnimet e stafit për përdorimin e sistemeve”, thonë nga administrata e QKUK-së.
Radio Evropa e Lirë ka arritur të shohë ambientin e kësaj qendre, ku duken të përfunduara gati të gjitha punët.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, konfirmon se punimet janë realizuar, por të gjitha pajisjet e nevojshme, sipas tij, nuk janë blerë.
“Jemi në pritje të sigurimit të mjeteve financiare për t’i siguruar pajisjet mjekësore. Në bazë të vlerësimeve të shërbimeve të pajisjeve mjekësore dhe të menaxhmentit të Klinikës së Gjinekologjisë, nevojiten rreth 1 – 1.2 milion euro”, thotë Krasniqi.
Ai shton se janë bërë kërkesa që mjetet të sigurohen në kuadër të buxhetit vjetor për SHSKUK-në, që ndan Qeveria e Kosovës, porse një gjë e tillë, deri më tash, nuk ka ndodhur.
Krasniqi thotë se janë kërkuar edhe donatorë të mundshëm, por edhe kjo ka rezultuar pa sukses.
“Kemi menduar se sigurimi i mjeteve financiare ndoshta do të jetë komponenti më i lehtë i këtij projekti, por ja që, në fakt, po na del se është më i vështiri”, thotë Krasniqi.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk ka vonesa të pajustifikueshme në realizimin e projektit për IVF-in.
Sipas zyrtarëve atje, pandemia e koronavirusit, e cila ka shpërthyer në mars të vitit 2020, ka zhvendosur fokusin tek emergjenca e shëndetit publik.
Sa u përket fondeve për repartin e IVF-it, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se QKUK-ja ka pasur buxhet të mjaftueshëm, në bazë të planifikimeve që janë bërë në vitin 2020.
Zyrtarët atje thonë se grupi punues që ka formuar rishtazi Ministria e Shëndetësisë, do të bëjë tani vlerësimin e realizimit të punimeve dhe të nevojave financiare.
“Grupi punues, që udhëhiqet nga vetë përfaqësues të QKUK-së, duhet sa më parë ta kryejë planin dhe të tregojë se kur mund të fillojë shërbimi [IVF]”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Gjinekologu Landrit Bejtullahu, i cili kryeson grupin punues për funksionalizimin e qendrës për IVF, shprehet optimist se ajo do të mund të nisë punën brenda muajsh.
Në lidhje me vonesat e perceptuara, ai thotë se ato kanë ndodhur, sepse “nuk ka pasur vazhdimësi të punës”.
“Jemi në proces të punës. Është formuar komisioni [grupi punues], i cili përbëhet prej anëtarëve të QKUK-së dhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai do të mbajë takime edhe gjatë sezonit të pushimeve vjetore, për të realizuar planin deri më 15 shtator të këtij viti”, thotë Bejtullahu.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë brenda QKUK-së, Jakup Ismaili, konfirmon se ka staf të duhur dhe të mjaftueshëm për të kryer metodën e fertilitetit IVF.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar udhëheqës të një spitali privat, që bën procedura IVF, por ata nuk kanë dashur të japin të dhëna se sa raste kanë brenda një viti dhe sa të suksesshme janë ato.
Procedura IVF në Kosovë kryhet në bazë të një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë.
Për këtë shërbim jashtë vendit, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë nuk i pranon aplikimet, pasi ai nuk bën pjesë në mesin e shërbimeve esenciale dhe nuk lidhet me ato shërbime që kanë të bëjnë me shpëtimin e jetës së pacientëve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pamundësia për të lindur fëmijë në mënyrë natyrale, ose steriliteti prek miliona njerëz të moshës riprodhuese në gjithë botën. Vlerësimet sugjerojnë se 48 milionë çifte dhe 186 milionë individë jetojnë me sterilitet.
Në Kosovë nuk ka të dhëna se sa gra të moshës riprodhuese përdorin trajtime të infertilitetit për të mbetur shtatzënë.
Në SHBA, për shembull, të dhënat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se rreth 7 milionë gra në vit përdorin trajtime të tilla, ku IVF është ndër më të kërkuarit.
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç
Foda beson se Kosova është në rrugën e duhur, falënderon tif...
Drenusha plas në vaj, përmend traumat e djalit për shkak të ...
Hovenier uron Kosovën për fitoren ndaj Lituanisë
Banori i ri mollë sherri mes Xhenetës dhe Gjestit, këngëtari...
Senatori amerikan letër Blinkenit: ShBA t’i mbajë sytë nga K...