Për masakrën e Dubravës, 44 të dyshuar e 100 dëshmitarë

17:37 | 19 Maj 2022
L G

Prokuroria Speciale deklaron se hetimet në lidhje me rastin e masakrës së Dubravës, janë duke vazhduar.

“Për hir të korrektësisë, ju njoftojmë se fillimisht, ky rast ka qenë i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve dhe ruajtjes së afatit ligjor prej 2 vitesh të hetimeve. Mirëpo, me miratimin e plotësim-ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, në qershor të vitit 2021, me ç‘rast është hequr afati i hetimeve dhe është lejuar gjykimi në mungesë, dosja penale është riaktivizuar për procedurë hetimore”, deklaron Prokuroria Speciale.

Prokuroria sqaron se në këtë fazë të procedurës, hetimet kanë arritur të identifikojnë rreth gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar të rastit të Dubravës, të cilët janë intervistuar, duke përfshirë edhe Enver Dugollin dhe Bedri Kukalaj.

“Sipas shkresave të lëndës, Enver Dugolli, u intervistua më datë 06.11.2013, kurse, Bedri Kukalaj, u intervistua më datë 04.08. 2011, nga Prokurori i EULEX-it në PSRK”.

Organi i akuzës deklaron se deri më tani hetimet kanë arritur të identifikojnë dyzetekatër (44) të pandehur të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kryerjen e veprës penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

“Në lidhje me këtë rast janë identifikuar gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar dhe njëqind (100) dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga organet e rendit.PSRK njofton se janë duke ndërmarr veprime procedurale hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, mirëpo për shkak të konfidencialitet të procedurës, nuk mund të ndaj më shumë informacione me publikun”, thuhet në njoftim./arbresh.info/

Të ngjashme