Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, për shërim jashtë Kosovës kanë aplikuar 661 persona në Ministrinë e Shëndetësisë. Vetëm për këto raste janë shpenzuar rreth 5.3 milionë euro.
Kështu ka thënë Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, sipas të cilit, fondi vjetor për shërim jashtë vendit për pacientët është rreth 7 milionë euro.
Ndryshe, sëmundjet malinje, leukemitë akute dhe operacionet e zemrës për fëmijë, janë vetëm disa nga sëmundjet për të cilat institucionet publike shëndetësore nuk po mund të ofrojnë trajtim brenda vendit.
“Gjatë vitit 2019, në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, respektivisht programin e trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore, kanë aplikuar 661 persona. Më së shumti ndihmë financiare po kërkojnë për sëmundjet që lidhen me oftalmologji, ortopedi, onkologji e pediatri, por edhe sëmundje të tjera. Shuma e aprovuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore është 5.3 milionë euro”, tha Matoshi.
Mungesa e besueshmërisë në institucionet publike shëndetësore shtyn në vazhdimësi qytetarët që t’i kërkojnë shërbimet e tyre mjekësore nëpër spitalet private apo në qendrat mjekësore në vendet e rajonit, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Gjatë vitit të kaluar për shërim jashtë Kosovës kanë aplikuar 1 mijë e 432 persona. Sipas të dhënave zyrtare, për trajtimin e pacientëve jashtë Kosovës janë shpenzuar rreth 9 milionë euro.
Në Federatën Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla thotë se në përgjithësi, qytetarët për nevoja të ndryshme shëndetësore, shpenzojnë nga 150 deri në 200 milionë euro jashtë institucioneve publike shëndetësore.
“Sipas hulumtimeve që ne i kemi bërë, ndonëse nuk janë statistika të sakta, ka dalë se janë rreth 200 milionë euro që dalin jashtë Kosovës nga pacientët që kërkojnë trajtim. Kjo ka të bëjë edhe me dukurinë e mosbesimit të qytetarëve për institucionet publike shëndetësore, përpos atyre sëmundjeve që nuk trajtohen, e që kuptohet se trajtimin duhet kërkuar jashtë vendit”, tha Syla.
Ndërkaq, qytetarët thonë se shpeshherë nuk është çështje besimi në institucione publike shëndetësore, por më shumë që aty nuk kryhen shërbime të plota.
Mirjeta Halimi, qytetare, thotë se mund të ndajë përvoja të ndryshme sa i përket trajtimit në institucione publike.
“Unë personalisht kur kam shkuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si shërbim terciar, më janë kërkuar që disa analiza t’i bëj në laboratorë privatë, por edhe disa të tjera jashtë vendit. Mendoj se shërbimet nuk janë të plota, pasi aty mungojnë barna esenciale, e cilësi më e mirë e shërbimeve shëndetësore”.
“Pastaj kam pasur raste të ndryshme që kam dëgjuar nga vetë familjarët e mi, ku disa kanë pasur përvojë të mirë pikërisht në këtë institucion, deri në të njëjtin vend, të tjerët janë ndarë të pakënaqur, andaj janë obliguar që për ndonjë sëmundje të caktuar të kërkojnë ndihmë në vendet e rajonit e më gjerë”, tha Halimi.
Sidoqoftë, institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i ofrojnë disa shërbime për të cilat pacientët detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit, por që sfida më e madhe mbetet për fëmijët të cilët lindin me anomali në zemër.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, janë rreth 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre, rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.
Ndërkaq, në programin e trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore janë 30 mijë euro të ndara për një pacient, si shumë maksimale që pacienti mund të përfitojë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?