Përgjatë dy viteve 251 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë dorëhequr nga FSK-ja, teksa gjatë këtij viti rreth 2.6%.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në një përgjigje për Tëvë1, të pyetur rreth dorëheqjeve të ushtarëve nga FSK-ja.
Në përgjigjen e tyre thuhet se, ky trend po përcjellë edhe shtetet e Europës dhe shtetet anëtare të NATO-s po ashtu edhe shtetet e zhvilluara.
“Numri i pjesëtarëve të larguar vullnetarisht përgjatë dy viteve është 251, ndërsa gjatë këtij viti rreth 2.6%, trend ky që po përcjellë të gjitha shtetet e Europës dhe shtetet anëtare të NATO-s në përgjithësi, duke mos përjashtuar dhe shtete të zhvilluara si Mbretëria e Bashkuar që gjatë vitit 2023 ka shënuar dalje të personalit aktiv të Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe rreth 6.5%, që është dyfishi i largimit në raport me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
E sipas Ministrisë së Mbrojtjes, krejt kjo ndodhë për shkak të disiplinës dhe përkushtimit që kërkon ushtria, e që jo të gjithë janë të gatshëm ta ofrojnë për një kohë të gjatë.
“Sigurisht kjo ndodhë për shkak të diciplinës dhe përkushtimit që kërkon ushtria e që jo të gjthë janë të gatshëm ta ofrojnë për një periudhë të gjatë kohore, e sidomos jo nëse e kanë parë ushtrinë vetëm si një vend pune, por në rastin e Kosovës në këtë aspekt ka pasur ndikim dhe angazhimi në sektorin privat të punës, për shkak të gamës së gjerë të mundësive për profile të ndryshëm që ky sektor ofron, e që pjesëtarët e përgatitur profesionalisht në FSK, të shkolluar si rezultat i mbështetjes financiare të Qerverisë, janë shënjestër e kompanive të mëdha.” thuhet më tej.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se brenda katër viteve, kanë dyfishuar numrin e ushtarëve në FSK, teksa thuhet se paga e një ushtari nga 443 euro ka kaluar në 616 euro.
“Përgjatë kësaj periudhe janë rekrutuar 1971 ushtarakë të rinj, përderisa jemi në proces të rekrutimit dhe të 300 ushtarëve, duke quar kështu në total numrin e të rekrutuarve në 2271. Pra, kemi dyfishim të numrin të ushtarakëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës brenda katër viteve, gjë që është tregues i qartë i vullnetit të të rinjve për t’i shërbyer vendit e që sigurisht se është edhe si rezultat i renditjes për disa vite me rradhë të FSK-së si një ndër institucionet më të besuara nga qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe rrjedhojë e faktit që janë ngritur pagat në sektorin e mbrojtjes. Nga 443 euro sa ishte paga e ushtarit të thjeshtë ka kaluar në 616 euro, apo është shënuar një rritje prej 39%, dhe ngritja e pagës ka përcjellur secilën gradë. E po ashtu Ministria e Mbrojtjes dhe FSK përveçse organ ku të rinjtë i ofrojnë shërbim direkt atdheut duke ngritur nivelin e mbrojtjes, po ashtu vazhdon të jetë sektor atraktiv pasi ofron mundësi të shumta për zhvillim karriere dhe aftësim profesional përmes financimit qeveritar të shkollimit në akademitë ushtarake më të njohura botërore si rezultat i marrëveshjeve dypalëshe që ekzistojnë me shtetet partnere”, thonë nga Ministria.
Më tej, Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se daljet nuk mund të reduktohen në zero, por sipas tyre është e rëndësishme që rritja e ushtrisë jo vetëm në numër, por edhe ngritja e kapaciteteve të ushtrisë të mos ndërpritet.
“Daljet asnjëherë nuk mund të reduktohen në zero, mirëpo është e rëndësishme që rritja e ushtrisë jo vetëm në numër, por dhe ngritja e kapaciteve profesionale dhe operacionale të FSK-së të mos ndërpritet, andaj dhe në fokus ka qenë dhe vazhdon të jetë investimi në armatime. Nga 4 milionë sa ishte investuar në trevjeçarin 2018-2020, është investuar mbi 239 milionë euro përgjatë periudhës 2021-2023. Është prioritet i qeverisë që fuqizimi i ushtrisë të ndiqet pastaj dhe nga përmirësimi i mirëqenies së ushtarakëve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në fund të përgjigjes është thënë se FSK-ja nuk shënjestron qytetarët që duan t’i bashkohen FSK-së për pagë, por për ata që janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut 24/7.
“Ushtria është shërbim ndaj vendit, do të thotë besnikëri, sakrificë, vetëmohim, prandaj dhe duhet bërë një dallim ndërmjet një vendi të zakonshëm pune dhe gatishmërisë për t’i shërbyer atdheut. FSK, nuk shënjestron qytetarë që duan t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës për pagë, por ata që janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut 24/7”, thuhet më tej.
Osmani: Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën që nga viti 99
Tërmeti me magnitudë 4.9 godet Turqinë
Apple raportohet se ka larguar podkastet e mediave të pavaru...
Komuna e Istogut i bashkohet refuzimit të doracakëve për edu...
Xuxi: Nuk është marre me humb prej dikujt që është më i mirë...
FFK-ja del me njoftim për tifozët dardanë për ndeshjen Ruman...