Për demarkacionin brenda koalicionit qeverisës ka qëndrime të kundërta

20:41 | 19 Janar 2018
M. A.

Të tre partnerët e koalicionit PDK-AAK-Nisma kanë qëndrime të ndryshme për demarkacionin me Malin e Zi. Për derisa vetë kryeministri dhe deputetët e AAK’së janë kundër marrëveshjes aktuale për kufirin zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës po insistojnë se kjo çështje duhet të dërgohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës.

Nisma për Kosovën, gjegjësisht kryetari i saj Fatmir Limaj thotë se marrëveshja për kufirin do të ratifikohet duke shtuar se në seancë do të dërgohet një model që do të pëlqehet nga shumica e deputetëve por pa treguar se për çfarë versioni është fjala.

Marrëveshja që hap rrugë për liberalizimin e vizave do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Për këtë është i bindur zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

“Është fjala për një version që respekton interesat e vendit tonë por njëkohësisht respekton edhe interesat e Malit të Zi sepse as Kosova e as Mali i Zi s’ka pretendime ndaj njëra-tjetrës. Unë besoj që është rruga që zgjidhet… ka mundësi me u zgjidh dhe ne po punojmë për ta zgjidh. Do të dalim me një opsion që reflekton këtë që po e them unë”, tha Limaj për televizionin publik.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi ishte paralajmëruar se mund të dërgohej gjatë këtij mauji në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Aktualisht ajo gjendet në Kryesinë e Kuvendit e kjo e fundi vendos se kur do të procedohet për votim.

Marrëveshja sipas të gjitha gjasave nuk do të procedohet para vizitës së kryeministrit të Malit të Zi në Prishtinë Dusko Markoviq. Data e saktë e vizitës së tij pritet të dihet në fillim të javës së ardhshme dhe për këtë janë duke biseduar zyrtarët e dy kabineteve të dy qeverive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme