Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, me rastin e mbajtjes së “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, ka thënë se gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1.277 raste të viktimave, prej tyre 1.145 kanë qenë viktima të dhunës në familje.
“Po ashtu është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve seksuale, ku gjatë kësaj kohe janë shënuar 23 raste, si dhe 25 raste të tjera të ngacmimeve seksuale”, ka thënë Lumezi.
Fjalimi i plotë i Lumezit:
Këtë vit po e fillojmë Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit me një adresim jo të zakonshëm për shkak të pandemisë me Covid-19. Sot, në shënimin e 11-vjetorit të Javës, është dita për t’i falënderuar të gjithë prokurorët, gjyqtarët, mbrojtësit e viktimave, punonjësit e Policisë dhe OJQ-të për kontributin dhe rezultatet e arritura përgjatë viteve në mision të mbrojtjes së viktimave të krimit.
“Mbrojtja e viktimave të krimit, misioni ynë edhe gjatë pandemisë”, është motoja e këtij viti, e cila dëshmon përkushtimin tonë institucional, që edhe përkundër rrethanave të shkaktuara nga pandemia, shërbimet për viktimat e krimit nuk pushuan në asnjë moment.
Ne kishim një mobilizim të veçantë nga të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit në shërbim të viktimave të krimit, duke vepruar në kujdestari 24 orë, në mënyrë që rastet e viktimave të trajtohen me prioritet edhe gjatë pandemisë.
Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1277 raste të viktimave, prej tyre 1145 kanë qenë viktima të dhunës në familje. Po ashtu është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve seksuale, ku gjatë kësaj kohe janë shënuar 23 raste, si dhe 25 raste të tjera të ngacmimeve seksuale.
Ndërsa janë paraqitur edhe 417 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 19 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente. Pra, edhe përkundër rrethanave të vështira të punës në kohë pandemie, asnjë rast i cili ka pasur nevojë për ndihmë nuk ka ngelur pa u përfaqësuar nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në anën tjetër, kemi një numër të konsiderueshëm të viktimave, të cilave iu është kompensuar dëmi nga shteti. Vetëm gjatë këtij viti janë bërë 36 kërkesa për kompensim të viktimave në Ministri të Drejtësisë, ku 6 prej tyre tashmë janë aprovuar, ndërsa kërkesat e tjera akoma janë në shqyrtim.
Prandaj, me plotë të drejtë mund të themi se viktimat e krimit ngadalë, por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre në përputhje me standardet evropiane dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Për mua si Kryeprokuror i Shtetit është thelbësor forcimi i mëtejshëm i një sistemi të drejtësisë që mbron dhe promovon të drejtat themelore të njeriut, ashtu siç janë të garantuara me konventat ndërkombëtare, Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.
Duhet ta nënvizojmë faktin se Republika e Kosovës ka bërë përparim të konsiderueshëm në trajtimin e viktimave të krimit dhe avancimin e legjislacionit bashkëkohor, duke u bërë kështu prijëse në rajon në mbrojtjen e viktimave.
Në këtë drejtim, vlen të theksohet se ka filluar edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit, i cili synon të krijojë qasje të menjëhershme në realizimin e të drejtës për kompensim për të gjitha viktimat, pa pasur nevojë të pritet deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Së fundmi, edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës është pasuruar me miratimin e amendamentit kushtetues, në bazë të të cilit, Konventa e Stambollit bëhet pjesë e aktit më të lartë juridik, duke na dhënë në dorë një instrument të rëndësishëm për parandalimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Po ashtu, krahas koordinatorëve nëpër prokurori për trajtimin e rasteve të dhunës në familje të caktuar që nga viti 2017, këtë vit kam caktuar edhe prokurorin përgjegjës në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, i cili do të shërbejë si pikë kontakti lidhur me rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe kam kërkuar nga secili kryeprokurorë në prokuroritë përkatëse ta caktojnë një prokuror përgjegjës për këto raste, duke demonstruar kështu përkushtim të palëkundur institucional në parandalimin dhe luftimin e dukurive kriminale.
Mirëpo edhe përkundër faktit se vendi ynë ka bërë përparime të duhura për trajtimin e viktimave të krimit, megjithatë, akoma duhet bërë edhe më shumë në mënyrë që këto raste të marrin vëmendjen e duhur nga sistemi i drejtësisë. Krahas obligimit ligjor, mbrojtja e viktimave të krimit përbën edhe angazhimin më fisnik të punës së përditshme të institucioneve të drejtësisë, për çka duhet të jemi të gjithë më përgjegjës dhe proaktivë në punën tonë.
Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit që nga fillimi e deri më sot ka pasur miq dhe mbështetës të fuqishëm. Prandaj, dua të falënderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për kontributin e dhënë në avancimin e të drejtave dhe mbrojtjen e viktimave. Përkrahja e tyre e vazhdueshme na jep të drejtë për të besuar se viktimat e krimit kanë partnerë dhe mbështetës të fuqishëm.
Ne i jemi mirënjohës Ambasadës së SHBA-së për dhënien e një donacioni prej 29 laptopëve, të cilët tanimë janë në shërbim të prokurorëve dhe mbrojtësve të viktimave në trajtimin e rasteve të dhunës, si dhe GIZ-it gjerman për financimin e bazës së të dhënave për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, e cila do të ndihmojë në avancimin e sistemit të të dhënave përmes teknologjisë informative.
Të nderuar,
Këtë javë të gjithë i nderojmë viktimat e krimit dhe të gjithë ata që më përkushtim dhe profesionalizëm iu shërbejnë dhe ndihmojnë atyre. Përpjekjet dhe angazhimin tonë do ta vëmë në funksion të ndihmës për viktimat e krimit, duke iu mundësuar të gjitha viktimave që ta bëjnë një jetë normale në frymën e lirisë, paqes, drejtësisë dhe prosperitetit.
Sfida jonë e përbashkët është që ta kuptojmë se nuk ka drejtësi nëse nuk arrihet drejtësia për viktimat e krimit dhe rehabilitimin e plotë të tyre.
Dhuna është sëmundje, e cila e dëmton secilin njeri që e përdorë atë. Prandaj, të gjithë ne do të angazhohemi pandërprerë në sanksionimin e të gjithë autorëve të veprave penale dhe do të jemi në mbrojtje të jetës njerëzore nga çfarëdolloj akti i dhunës dhe kërcënimit.
Nga të gjithë prokurorët e shtetit dhe mbrojtësit e viktimave pres që me profesionalizëm dhe përkushtim t’i shërbejnë viktimave sa herë që dëmtohen nga krimi dhe trokasin në dyert e prokurorisë, duke i trajtuar me kujdes dhe dinjitet.
Si Kryeprokuror i Shtetit i siguroj të gjithë qytetarët se jam në mbështetje të kësaj rruge të përbashkët për forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e viktimave të krimit.
Ju faleminderit!
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...