Për 4 ditë në Klinikën e Kardiologjisë u trajtuan 14 pacientë me çrregullime të ritmit të zemrës

14:52 | 8 Gusht 2023
E.G

Vetëm brenda katër ditëve në Klinikën e Kardiologjisë, janë trajtuar 14 raste të pacientëve me çrregullime të ritmit kardiak.

Kështu bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë, përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se kjo është mundësuar si rezultat i përmbushjes së objektivës së minsitrisë për shtimin e shërbimeve të reja dhe shfrytëzimin e ekspertizës nga profesionistë, shkruan Arbresh.info.

“Disa nga shërbimet të cilat më parë qytetarët detyroheshin t’i merrnin jashtë vendit, tashmë kanë filluar t’i marrin në QKUK, si rezultat i përmbushjes së objektivës së MSh për shtimin e shërbimeve të reja dhe shfrytëzimin e ekspertizës nga profesionistë që veprojnë në sistemet më të avancuara shëndetësore. Kjo për qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët tanë.”, thuhet në njoftim.

Tutje, Ministria njofton se kjo është realizuar falë punës së eksperëtëve të elektrofiziologjisë të këtij shërbimi në bashkëpunim me ekspertët elektrofiziolog nga Bullgaria, Prof. Vassil Traykov dhe kryemjeku Dr.Valon Spahiu i cili vepron në Heilbronn, Gjermani.

“Elektrostimulimi është një teknikë e përdorur për të stimuluar muskujt duke përdorur impuls elektrik. Përdorimi i elektrostimulimit ndihmon në rritjen e forcës muskulore, përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe zvogëlimin e dhimbjeve muskulore. Ndërsa, elektrofiziologjia përfshin studimin e impulsit elektrik të qelizave të ndryshme, si muskujt, nervat, zemra, truri, etj.”, njofton Ministria./Arbresh.info.

Të ngjashme