Sofrat e familjeve kosovare pothuajse gjithmonë janë të mbushura me speca.
“Dashuria” e kosovarëve për këtë lloj perimeje vërehet edhe në shumën e parave që shpenzojnë për furnizim. Vetëm deri në nëntor të këtij viti, familjet kosovare kanë importuar speca në vlerë 6.5 milionë euro, derisa vlera e importit për tri vitet e fundit shkon në rreth 15 milionë euro. Sasia më e madhe e tyre importohet nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
Me ardhjen e vjeshtës, janë rritur edhe kërkesat e qytetarëve për blerjen e specave. Shumica e tyre iu janë drejtuar tregjeve në vend për t’u furnizuar, derisa të tjerë i kanë kultivuar vetë. Për blerjen e tyre, ata shpenzojnë me miliona euro çdo vit.
E se kosovarët janë të dhënë pas specave, e dëshmojnë edhe statistikat rreth importit të tyre.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës që ka siguruar Gazeta Express, qytetarët e vendit kanë blerë speca në vlerë prej 14 milionë e 702 mijë e 475 euro në tri vitet e fundit.
Vetëm deri në tetor të këtij viti, ata kanë importuar speca të freskët në vlerë mbi 5 milionë e 200 euro. Shumë të përafërt parash kishin shpenzuar edhe gjatë 2017’ës për këto perime.
E ndonëse një sasi e madhe e tokave bujqësore në vend janë të mbjella me speca, vendi e ka të detyruar importin prej shteteve të tjera.
Më së shumti speca, Kosova importon nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Greqia. Por, jo vetëm.
Sasi e madhe e këtyre specave vijnë edhe nga Egjipti, Spanja, Hungaria, Izreali, Italia, Holanda, Portugalia dhe Afrika Jugore.
Me rritjen e kërkesës për këtë lloj perimeje, janë rritur edhe sipërfaqet e mbjella me perime.
Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë deklaruar se sipërfaqja e mbjellë me perime në vitin 2018 ishte 17 mijë e 886 hektarë.
“Sipërfaqja e mbjellë me perime në vitin 2018 ishte 17,886 ha. Sipërfaqja e mbjellë me perime në vitin 2018, krahasuar me 3 vitet e kaluara (2015, 2016, 2017) ka shënuar rritje për 14%”, kanë thënë në MBPRZH.
Vetëm me speca dhe domate, vjet janë mbjellë mbi 4 mijë hektarë tokë bujqësore. Ndërkohë, perimet e tjera të cilat kultivohen shumë janë edhe patatja, kungulli, qepa e lakrat.
“Perimet të cilat mbillen në sipërfaqe më të mëdha janë: patatja, speci, kungulli, qepa, lakra, trangulli, etj. Sipërfaqja e mbjellë me speca në vitin 2018 ishte 3,038 ha, ndërsa me domate 757 ha”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Bujqësisë.
Që nga vjeshta e deri tash, ata kanë mbjellë me kultura bujqësore rreth 110 mijë hektarë tokë.
Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Ekonomik i kanë thënë se vetëm gjatë pranverës kulturat bujqësore kanë zënë afër 76 mijë hektarë tokë në gjithë vendin.
Ndryshe, që nga viti i ardhshëm kosovarëve do t’iu duhet të zgjedhin nëse duan t’i punojnë tokat ose të paguajnë për to.
Në Ministrinë e Bujqësisë kanë deklaruar se të gjithë qytetarët të cilët nuk punojnë apo kultivojnë tokat bujqësore, nga fillimi i vitit 2020 do të duhet të paguajnë tatim ekstra në pronë.
Niveli i taksave për çdo kategori të tokës bujqësore do të përcaktohet nëpër komuna veç e veç në bazë të vlerës së tokës dhe lokacionit të saj.
“Tatimi në pronën e paluajtshme nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave. Pra, tatimi vendoset për tokat bujqësore, të cilat nuk kultivohen, respektivisht punohen. Tatimi mbi tokat bujqësore planifikohet të fillojë në vitin 2020”, thuhej në përgjigjet e Ministrisë.
Kundër këtij projekti kishin dalë në Shoqatën e Bujqëve. Ata kishin deklaruar se projekti i financuar nga Suedia për të vënë tatim mbi tokat bujqësore, për qytetarët e Kosovës, është i gabuar.
Kryetari i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri ka thënë se edhe në këtë proces do të ketë dallavere.
Sipas Shoqatës së Bujqve mbi 60 për qind e tokave bujqësore nuk punohen edhe për arsye migrimi.
“Suedia e ka financuar një projekt për bujqit që të paguajnë tokën bujqësore. Ky nuk është stimulim për bujqit e Kosovës, unë kam qenë kundër kësaj praktike, pra në një formë ky është një detyrim për të paguar tatim për tokat jo bujqësore. Ne nuk i kemi standardet e Suedisë. Ka toka të cilat nuk punohen e që shumica prej tyre janë privatizuar nga njerëz të fort të cilët nuk e punojnë. Tash qeveria po dëshiron me pranu këtë projekt ku për neve nuk janë pjek kushtet për një projekt të tillë”, kishte thënë Tahiri.
Shqipëria pranohet si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Admin...
Kush do të largohet e kush “rikthehet”? Sonte ju pret një pr...
Kosovarët pa viza edhe në Tajvan
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...