Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, ka shënuar 27-vjetorin e themelimit, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa.
Në manifestimin e mbajtur në Prizren morën pjesë qindra qytetarë të Prizrenit, simpatizantë dhe aktivistë të LDK-së në këtë komunë.
Gjatë ceremonisë, ku ishin prezentë edhe shumë të rinj dhe të reja nga Prizreni, u bë pranimi i 300 anëtarëve të rinj.
Kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Akademik Isa Mustafa, i falënderoi të pranishmit e shumtë për këtë përkrahje të të gjitha grupmoshave dhe gjinive, duke shprehur përkushtimin e LDK-së që të vazhdoj me zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e gjithanshëm demokratik të shtetit të Kosovës.
“LDK-ja ofron programin më të mirë qeverisës të këtij vendi. Jam shumë i sigurt se këto që po bëjmë sot në fushën e zhvillimit ekonomik janë hapat më të mëdhenj që ka bërë Kosova që nga çlirimi e këndej dhe ne duhet të thellojmë këto rezultate që po arrijmë në zhvillimin ekonomik, në punësim, në reforma ekonomike, fiskale dhe demokratike”, tha kryetari Mustafa.
Kryetari i LDK-së, po ashtu, foli për rezultatet që janë arritur në fushën e integrimit evropian, duke filluar prej nënshkrimit të MSA-së, Agjendës së Reformave Evropiane dhe përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave.
Më tutje, kryeministri Isa Mustafa ka folur edhe për sfidat të cilat ndodhen para Kosovës, si themelimi i Ushtrisë dhe liberalizimi i vizave.
“Kemi përkushtim të plotë që ta themelojmë Ushtrinë, por e kemi përcaktimin tonë që këtë themelim ta bëjmë në pajtueshmëri dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe me Aleancën Veriatlantike. Kjo assesi nuk nënkupton se ne shprehim mosqëndrueshmëri në themelimin e Ushtrisë, sepse jemi të vendosur që atë ta bëjmë. Por, jemi të vendosur që t’i shfrytëzojmë të gjitha hapat që këtë ta koordinojmë me partnerët tanë strategjikë, sepse këtë vend e kemi bërë me këta partnerë”, tha kryetari i LDK-së.
Më tej, kryetari Mustafa, foli edhe për nevojën e arritjes së liberalizimit të vizave në mënyrë që të gjithë qytetarëve që kanë familjarë në vendet perëndimore, të rinjve që kanë nevojë të udhëtojnë për të marrë dije jashtë, qytetarëve që kanë nevojë të shkojnë dhe të shërohen jashtë, t’u krijohet kjo mundësi pa pas nevojë që të presin me muaj para ambasadave.
“Jam i bindur se Marrëveshja e Demarkacionit është marrëveshje e drejtë dhe ata që kanë krijuar kauzë kundër kësaj marrëveshje, në momentin që do t’iu ishte dhënë rasti do ta votonin por duke i marrë meritat për vete. Prandaj, problemi nuk është këtu nëse është marrëveshja e drejtë ose jo, por problemi është se dikush po e pengon këtë për arsye të meritave, dhe dëshiron që këtë ta bëjë më vonë dhe të mos ndodhë sot. Por, kjo duhet të bëhet sot sepse sot i nevojitet qytetarëve të Kosovës ma shumë se çdo herë. Dhe, edhe nëse e prolongojmë, Kosova nuk do ta rris territorin sepse territori në Marrëveshje është territori në të cilin e kemi shpallë Pavarësinë e Kosovës”, tha kryetari Mustafa, duke folur edhe për zgjidhjen e problemeve tjera të vendit, dhe duke shprehur përkushtimin për zhvillimin dhe forcimin e shtetit në të gjitha aspektet.
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli.
Avdyli, ndër të tjera tha se pjesëmarrja kaq e madh e qytetarëve në këtë tubim të LDK-së është sondazhi më i mirë dhe dëshmia më e mirë e përkrahjes masive të qytetarëve për LDK-në në Prizren, por edhe në krejt Kosovën.
Të pranishmit e shumtë në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe veprimtari i LDK-së nga diaspora, Shaban Bobaj.
Më tej, kryetari Mustafa, ka shpërndarë librezat e anëtarësisë për mbi 300 të rinj dhe të reja që sot u anëtarësuan në Degën e LDK-së në Prizren.
Pjesëtarët e FSK-së trajnohen për përdorimin e mortajave në ...
Prokuroria Speciale ia përsërit ftesën kryeministrit Kurti p...
Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve, Kosovë – Shqipëri mbyl...
Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për ...
Hoxha: Policia vazhdon të mbetet ndër institucionet më të be...
Dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Prokuroria Them...