Google ADS

Pensionistët nuk do t’i marrin pensionet me rritje nga janari

12:57 | 20 Janar 2019
Arbresh.info

Pensionistëve kosovar nuk do t’u dalin pensionet me rritje në llogaritë e tyre bankare për muajin janar, ashtu siç ishte paraparë një rritje prej 15 deri 20 përqind nga pensioni bazë.

Kjo për arsye se nuk është miratuar ende në lexim të dytë projektbuxheti për vitin 2019.

Lulëzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza ka thënë për KosovaPress se pensionistët do t’i marrin pensionet me rritje në mënyrë retroaktive pas aprovimit të buxhetit 2019.

“Pensionet kontribut dhënëse, por edhe këto bazike janë të parapara me ligjin e buxhetit për vitin 2019, janë pensione të cilat janë të inkorporuar brenda ligjit të buxhetit dhe ne do të fillojmë me i dhënë në momentin që të aprovohet ligji për buxhetin e vitit 2019. Pavarësisht nëse aprovohet në këtë muaj, ose në muajin tjetër në çfarë do kohe që do të aprovohet ligji për buxhetin për vitin 2019, ata (pensionistët) do t’i marrin në mënyrën retroaktive për arsye se pensionet janë paraparë brenda ligjit të buxhetit 2019”, theksoi Rafuna.

Ndërsa, edhe zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se nuk do të ketë pensione me rritje pa miratimin e buxhetit 2019.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të bëjë ekzekutimin e pensioneve me rritje pas aprovimit të Buxhetit 2019”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MPMS.

Ndryshe, ekzekutimi i pensioneve bëhet zakonisht më datën 23-24 për çdo muaj, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka paraparë që më 31 janar të mbajë seancë plenare për ta votuar në lexim të dytë projektbuxhetin prej 2.3 miliard, të cilin në lexim të parë e kishin votuar më 21 dhjetor 2018.

Sipas të dhënave ende jozyrtare, pensionet e pleqërisë, ata që marrin nga 75 euro aktualisht, me buxhetin e ri do të marrin 90 euro. Kurse pensionistët kontribut- pagues nga shuma prej 230 eurove, do të marrin 34 euro më shumë në muaj.

Numri i përgjithshëm i pensionistëve në vend është rreth 170 mijë, prej tyre 125 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, që marrin nga 75 euro në muaj, ndërsa 45 mijë janë kontribut-pagues, që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 158 deri në 230 euro në muaj në bazë të përgatitjes së shkollimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme