Pensionistët e arsimit nderohen me mirënjohje dhe nga një orë dore

15:43 | 4 Mars 2017
Arbresh.info

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për nderë të 7 Marsit ditës mësuesit dhe shkollës shqipe, ka organizuar ceremoninë festive të ndarjes së mirënjohjeve pensionistëve të arsimit nga e tërë Kosova.


Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se këto mirënjohje janë në shenjë respekti për këta pishtarë të dijës të cilët patën ditë të lumtura por edhe ditë me plot sfida në arsim.

 

“Duke shikuar orën me shkronja të mëdha, SBASHK-u ju njerëz të dijës do të kujtoni ditët e lumtura në arsim por edhe vitet e vështira e plot sfida. Mirënjohja do të jetë shprehje respekti e SBASHK-ut për ju pishtarë të dijes”, tha Jasharaj.

Prezent ishte edhe ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili tha se mësimdhënësit ishin ata që e mbajtën gjallë misionin e shkollës shqipe.

 

“Ndriçuat rrugën tonë të arsimit dhe ringritjes tonë kulturore, puna juaj frymëzoj idealizmin, sakrificën për liri dhe dijen, sakrifica juaj frymëzoj breza të tërë për liri dhe pavarësi. .Ju e mbajtët gjallë misionin e shkollës shqipe, frymëzimin për sakrificë sepse nuk ka sakrificë që nuk ia vlen për hapjen e dijës dhe mësimit. Sot ne i kujtojmë të gjithë ata mësues e mësuese që nuk janë në mesin tonë, ata që dhanë jetën e tyre dhe vetë mohuan për ringritjen e këtij populli…Sot neve duhet të zëmë hapin me botën e zhvilluar, sot neve na duhen studiues të shkencave sociale dhe humane,por më shumë na duhen inxhinier, teknolog na duhen profesionist”, tha Abrashi.

Zëvendësministri i MASHT-it, Mevlidin Krasniqi e cilësoi 7 Marsin si një festë e përbashkët kombëtare në tërë hapësirën shqiptare, duke thënë se shkolla e pati fatin e njëjtë sikur se ajo e kombit.

 

“Këtë Mars shënojmë 130 vjetorin e jetës së shkollës shqipe, kjo ditë shënon festën e përbashkët kombëtare në tërë hapësirën shqiptare, ditë që shënon rrugëtimin e gjatë e shkollës shqipe, rrugëtimin që nuk ishte aspak i lehtë. Shkolla jonë pati fatin e kombit tonë, historia e saj është vet historia jonë …Sot në kushte të reja na duhet punë dhe angazhim që në përmbushje të amanetit dhe nderimit për mësuesit tanë, kjo në funksion të së ardhmes me të mirë të brezave të sotëm të punojmë shumë e me përkushtim për dije për arritje dhe ecje të sigurt parapara”, tha Krasniqi.

Ndërsa një mësimdhënës i cili ishte në prag të pensionimit, Tahir Thaçi, i cili kishte 43 vite punë në arsim, tha se po largohet me dhimbje prej aty, pasi që sipas tij, kishte kaluar periudha të ndryshme dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Thaçi gjithashtu shpresoi që si shtet i ri që jemi të avancohemi më shumë në arsim.

 

“Unë punoj qe 43 vite në arsim, jam profesor i Gjuhës Shqipe. Unë me dhimbje largohem nga arsimi sepse kam kaluar një kohë në rrugë të vështira, kemi kaluar në periudha të ndryshme në pushtetin ish-jugosllavë por tani jemi krenarë që jemi në liri, kemi shtetin tonë dhe besoj që arsimi do të avancohet edhe më tepër sesa ka qenë e avancuar përpara. Kontributi im ka qenë i jashtëzakonshëm sa i përket garave të radiatorëve ku në një kohë shumë të vështirë, nxënësit e shkollës sonë fillore “Lindja” të komunës së Rahovecit, kanë arritur të marrin tri herë vendin e tretë në ish- Jugosllavinë e përparshme, mirëpo punën nuk e kemi ndal, edhe pas luftës përpiqemi me gjithë shpirt që të arrijmë rezultate sa më të lakmueshme”, tha Thaçi.

Në kuadër të ceremonisë, SBASHK-u u ka ndarë mirënjohje dhe nga një orë dore punëtorëve të arsimit që janë pensionuar nga 7 Marsi i vitit të kaluar e deri në marsin e këtij viti./Arbreshi.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme