Enver Peci thotë se gjyqtarët s’duhet t’u nënshtrohen presioneve të politikës.
Ndërhyrjet në pavarësinë e gjyqësorit janë të papranueshme, pa marrë parasysh se a vijnë nga politika, apo nga grupe të ndryshme të interesit, mirëpo janë vetë gjyqtarët ata që s`duhet të bien pre tyre dhe të punojnë vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Kështu ka deklaruar kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci për Emisionin “Drejtësia në Kosovë”.
Kjo deklaratë e kryetarit të Supremes vjen pas deklarimeve të kryeministrit të Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj, i cili nga foltorja e Kuvendit i “dërgoi selame” gjykatës se “e mbytën Azem Sylën”.
“Nuk guxojmë me ra nën ndikim të askujt, posaçërisht të politikës. Dhe e kam thënë çdoherë, varet prej gjyqtarit sesa është i vendosur me e mbrojtur integritetin e tij edhe ndikimet, apo fjalët që vijnë nga jashtë. Çdo diskutim në kuptimin jashtëgjyqësor nuk i bën mirë gjyqësorit, mirëpo nganjëherë ndoshta edhe deputetët po kalojnë edhe në atë fazën individuale në kuptimin e rasteve të interesave të ndryshme. Mirëpo ne si gjyqësor duhet me iu përmbajtur Kushtetutës edhe ligjeve edhe parimit të ndarjes së pushteteve”, ka thënë kryetari Peci.
Sipas tij, në disa raste janë stërzgjatur disa lëndë, edhe një prej tyre edhe rasti “Toka”.
“Është stërzgjatur një procedurë, por ka qenë rast shumë i madh. Te jemi të vetëdijshëm sepse aty janë të dyshuar aq sa unë jam i informuar 30 persona. Deri para vendimit të fundit rastin e ka pasur EULEX-i. Nuk po dua me hy në analizë se çka u vepru, pse u abrogua paraburgimi për disa kryerës, disave u është vazhduar. Mirëpo, stërzgjatja e këtyre rasteve po ndikon në kuptimin e kritikave që vijnë ndoshta në këtë rast edhe prej kryeministrit”, ka thënë ai.
Peci ka deklaruar se edhe ata kanë kritika për punën e deputetëve, mirëpo një gjë, sipas tij, duhet të jetë e qartë se pushtet janë të ndara.
“Nuk guxojmë me ra nën ndikim të askujt, posaçërisht të politikës. Politika mund të diskutojë gjithçka, ne jemi dëshmitarë që po dëgjojmë nga Kuvendi gjithçka”, ka thënë Peci.
Ai ka thënë se kritikat janë të mira kur janë për një dukuri të caktuar, por jo edhe për raste individuale, sepse ato mund ta prekin pavarësinë e gjyqësorit.
“Ne gojën nuk mund t`ia mbyllin kurrkujt, sepse nuk ka masa se pse një deputet del dhe flet në Kuvend. Mirëpo, edhe ata si deputetë nganjëherë duhet me qenë të vetëdijshëm që munden me prekë në kuptimin e pavarësisë së gjyqësorit edhe punës së tij. Edhe ne i kemi vërejtjet tona në punën tonë, në të cilat nganjëherë jemi edhe vetë kritikë, mirëpo, edhe ata nganjëherë le të ndalen le të këqyrin edhe ata çka janë duke punuar, për shkak se edhe ne kemi shumë kritika në punën e tyre”, ka thënë kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci. /Kallxo.com
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Analistët: Rebelët sirianë, qasje të ngjashme me Talebanët n...
Moti sot në Shqipëri
Qeveria prezanton programin për parandalimin dhe zvogëlimin ...