I pari i Supremes konsideron se organet e ndjekjes, përfshirë këtu policinë dhe prokurorinë duhet të profesionalizohen më shumë për të mundur të mbledhin prova dhe fakte që do të ndihmonin në kapjen e krerëve të lartë të shtetit të cilët janë të përfshirë në raste korruptive.
Sipas tij, i gjithë dënimi i gjykatave në këto raste varet nga provat dhe fatet që arrin t’i siguroj prokuroria.
“Në aspektin e përgjithshëm mund të them se kjo është pyetje më tepër për organin e ndjekës, prokurorinë dhe policinë. Ajo çka jam i njoftuar, ka përpjekje në kuptimin e përgjithshëm, mirëpo po e përsëriti edhe një herë se duhet të forcohet shumë mekanizmi i organit të ndjekjes dhe të profesionalizohet edhe në aspektin më të shtuar, pasi veprat penale për të cilët janë kompetent, sidomos të profilit të lartë dhe veprat penale korruptive, kërkojnë një profesionalizëm të shtuar edhe një përgatitje dhe trajnim si të prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit policor”, ka thënë ai.
Kreu i Gjykatës Supreme e pranon se duhet të këtë më shumë rezultate në kapjen e zyrtarëve të përfshirë në raste korruptive.
“ Këto vepra penale duhet të bazohen në fakte dhe prova konkrete të shkeljeve që kanë ndodh nga institucionet e ndryshme të Kosovës. Janë bërë disa përpjekje, mirëpo mendimi im personal është se duhet shumë më shumë punë mu bë në këtë drejtim dhe të ketë rezultate konkrete, sepse kjo në vazhdimësi po kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare”, është shprehur Peci.
Sipas tij, Supremja në disa raste ka konstatuar se ka shkelje në disa raste që janë bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të dytë.
“Si Gjykatë Supreme ne veprojmë me mjete të jashtëzakonshme juridike, disa raste kemi konstatuar edhe shkeljen e ligjit në dobi të të akuzuarit apo dënuarit, për shkak se janë bërë disa shkelje në nivelet më të ulta të gjykatave, mirëpo ajo është kompetencë e jona dhe në këtë drejtim po japim udhëzime dhe sugjerime ku janë bërë gabime në gjykatat e nivelit më të ulët”, thotë ai.
Peci: KGJK do t’i hetoj gjyqtarët që japin dënime të ulëta dhe pa u bazuar në dispozita ligjore
I Pari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci ka folur edhe për dënimet e ulëta që po shqiptohen nga gjykatat sa u përket rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të lartë shtetëror.
“Në anën tjetër është një shqetësim që në vazhdimësi e kam përmend, për shkak se kur një kryerës i veprës penale shpallet fajtor, tek matja e dënimit, faktikisht jepet dënim me kusht, kjo nuk mund të arsyetohet në kuptimin e asaj politikës ndëshkimore pasi rrethanat lehtësuese dhe rënduese, sidomos pesha e këtyre veprave penale është mjaft e rëndë dhe nuk mund të arsyetohet assesi dënimi me kusht”, thotë ai.
Për këtë sipas tij, Gjykata Supreme e ka miratuar një udhëzues për politikë ndëshkimore.
Por ky udhëzues sipas Pecit nuk po zbatohet tek të gjithë gjyqtarët.
“Gjykata Supreme e ka miratuar një udhëzues për politikë ndëshkimore, kemi mbajtur disa tryeza, kemi bërë disa apele. Ka filluar aty- këtu mu apliku, pasi në këtë udhëzues është pikënisja e dënimit për secilën vepër penale dhe nga pika fillestare varësisht nga rrethanat lehtësuese apo rënduese matet edhe dënimi dhe saktësisht apo përafërsisht një kryerës i veprës penale në bazë të rrethanave sa mund të dënohet. Mirëpo nuk po respektohen dispozitat ligjore të Kodit Penal”, shtoi ai.
Ai thotë se ky udhëzuesi nuk është i obligueshëm për gjyqtarë, mirëpo në të janë përshkruar dispozitat ligjore për matjen e dënimit, në bazë të të cilave duhet të orientohen të gjithë gjyqtarët.
Sipas tij në 27 raste është gjetur se gjyqtarët nuk e kanë matur dënimin sipas dispozitave ligjore të Kodit Penal.
“Në kuadër të kësaj, nëse nuk respektohen ato dispozita ligjore, atëherë në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve do të ndikoj në të ardhmen. Pasi do të bëhet një analizë. Ju e dini se e kemi kryer një analizë të lëndëve të korrupsionit, kemi rënë rekomandime, pasi në të gjitha lëndëta, pra 27 raste kemi gjetur se gjykatat nuk e kanë matur dënimin sipas dispozitave ligjore të Kodit Penal”, deklaroi ai.
Për ata gjyqtarë që nuk e respektoj këto dispozita, Peci thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) do të ndërmarr masa.
Ata gjyqtarë që dyshohet se nuk kanë respektuar këto dispozita ligjore sipas tij do të dërgohen në Komisionin për Vlerësimin e Performacës .
“Nuk dua të hy në aspektin subjektiv të vendimmarrjes. Nganjëherë e kam përshtypjen se gjyqtarët po përdorin argumentin se vendosin në bazë të bindjes së lirë. Mirëpo, bindja e lirë e gjyqtarit nuk është me anashkalu ligjin dhe mos mi përfillë dispozitat ligjore. Për këtë arsye me KGJK-në jemi marrë vesh që në të ardhmen do t’i identifikojmë gjyqtarët dhe rastet emër për emër në mënyrë dhe do t’i dërgojmë në Komisionin për Vlerësimin e Performancës, në mënyrë që të vlerësohet puna e secilit gjyqtarë”, është shprehur Peci.
Peci komenton rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj
Në intervistën për Arbresh.info, kreu i Supremes ka komentuar edhe gjetjet që janë bërë nga kjo gjykatë në rastin e ish-kreut të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.
Duke mos dashur të lëshohet shumë në komentimin e kolegjit të kësaj gjykate, Peci ka thënë se janë gjetur shkelje që nuk kanë mundur të anashkalohen.
“Gjykata Supreme e ka konstatuar shkelje në dobi të rastit në fjalë. Unë e përmenda më herët që nuk është veç ky rasti, por ka edhe raste të tjera, mirëpo sipas ligjit ne nuk kemi të drejt mi kthy në rigjykim rastet kur i akuzuari lirohet nga akuza, pasi dispozitat e Kodit të Procedurës Penale s’e lejojnë. Nuk mundem me vlerësu në kuptimin e asaj se çka ka vendosur kolegji, pasi nuk i komentoj vendimet. Nuk dua të hy në analiza se a ka pasur të drejt kolegji i Gjykatës Supreme apo jo, mirëpo me siguri që ky kolegj ku unë jam kryetar ka gjetur shkelje te nivelet më të ulta të gjykatave dhe arsyet i kanë dhënë në vendim”, shprehet ai.
Nuk është vetëm rasti i Mekajt ku Supremja ka gjetur shkelje në aktgjykimet që janë bërë nga shkalla e parë dhe e dyta.
Është edhe rasti i Pjetër Ndrecajt, i cili nga shkalla e dytë u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.
Peci: Forma e pranimit të fajësisë në rastin e Pjetër Ndrecajt nuk përputhet me aktakuzën dhe aktgjykimin
Sipas tij, i akuzuari Pjetër Ndrecaj nuk kishte pranuar në tërësi fajësinë.
Kolegji i gjykatës të cilën e udhëheq Peci sipas tij ka konstatuar se pranimi i fajësisë nuk është bazuar në rregullat e Kodit të Procedurës Penale, pasi siç shton ai aty në mënyrë strikte parashihen se si mund të bëhet një pranim i fajësisë. Sipas tij, pranimi i fajësisë bëhet vetëm atëherë kur i akuzuari pajtohet me të gjitha pikat e aktakuzës.
“Në fakt në procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor të pranimit të fajësisë në gjykatën e shkallës së parë në mënyrë shprehimore është konstatuar se i akuzuari ka deklaruar se e pranon fajësinë se e ka vrarë bashkëshorten, mirëpo vajzën aksidentalisht. Dhe kjo formë e pranimit nuk përputhet me aktakuzën dhe aktgjykimin. Pasi aktakuza thotë se me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tij. Kështu që me analizimin e kësaj situate nuk kemi mund me tejkalu. Nuk ka mund të tejkalohej më tutje kjo çështje nëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e akuzës”, deklaroi Peci.
Kreu i Supremes: Gjyqtarët që bien pre e politikës nuk e kanë vendin në gjykata
Pavarësia e gjyqësorit vazhdon të kritikohet shumë nga ndërkombëtarët. Për këtë kreu i Gjykatës Supreme ka një mesazh për të gjithë ata gjyqtarë që nuk mund t’i rezistojnë ndikimit politik.
Peci thotë se gjyqtarët janë të obliguar t’i përmbahen dispozitave ligjore që janë në fuqi.
Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) sipas tij u garanton gjyqtarëve pavarësinë dhe paanshmërinë në punën dhe vendimmarrjen e tyre.
“Nuk e di në mënyrë individuale pasi nuk i kam në formë të shkruar këto forma ndikimi, mirëpo nëse një gjyqtarë bie në ndikimin të politikës , atëherë nuk e ka vendin me punu si gjyqtarë. Unë më tepër e zë fajtor vet gjyqtarin nëse bie pre e politikës, pasi ndoshta politika vazhdimisht ka me tentu me ndiku, kjo është ndoshta sindrom i Ballkanit. Mirëpo është koha e fundit që gjyqësori si pushtet i ndarë nga pushtetet tjera, sidomos në kuptimin e vendimmarrjes me vepru në bazë të provave dhe fakteve që i ka në rastin konkret. Mund të them se në Gjykatën Supreme nuk ekziston ajo situatë, pasi nuk e shikojmë ne kush është në pyetje”, shprehet ai.
Peci insiston se asnjë nga gjyqtarët e gjykatës të cilën ai e udhëheq nuk kanë pasur ndonjëherë ndonjë kërcënim apo tentim për ndikim nga jashtë.
“Është çudi, sepse me gjyqtarët e mi këtu kam më shumë kontakt, nuk mund të hy tek pjesa tjetër e gjyqësorit, mirëpo para se të vinit ju në intervistë një gjyqtarë më tha se kurrë në jetë tek unë nuk po më vjen kush me m’ thënë. Gjithkush e gjen personin në situata të caktuara kur e sheh se është i ndikuar, dhe kur e sheh që ti nuk je i ndikuar nuk ofrohet askush. Ndoshta janë edhe format tjera edhe të ndikimit të politikës. Unë konsideroj se duhet të forcohet mekanizmi i llogaridhënies dhe përgjegjësisë, pasi nëse dikush ndikohet duhet të largohet dhe të mos ia lër fajin dikujt tjetër”, thotë Peci.
Peci: Nga 38 raste të shënjestruara për liberalizim të vizave, 16 prej tyre kanë marrë vendimin e prerë
Sistemi i drejtësisë është kritikuar edhe për ngecjen në përfundimin e rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave. Përkundër kësaj kreu i Supremes thotë se ka një progres në këtë drejtim.
Sipas tij, nga gjithsej 38 raste të shënjestruara 16 e kanë marrë vendimin e prerë, ndërsa 11 të tjera kanë përfunduar në shkallën e parë.
“Ka progres, në kuptimin e përgjithshëm sipas raportit të fundit nga 38 raste, 11 raste janë që nuk kanë përfunduar ende në asnjë shkallë, 11 raste janë që kanë përfunduar në shkallën e parë, dhe 16 raste janë që kanë përfunduar me vendim të prerë. Sipas kësaj dinamike ka progres të madh, mirëpo problemi është te mënyra meritore e vendosjes së rastit. Duhet me punu shumë që në të ardhmen dënimet për ata që shpallen fajtor me qenë në kuadër të përgjegjësisë dhe rrezikshmërisë shoqërore të kryerjes së këtyre vepra penale”, thotë ai.
Peci: Ndërkombëtarët për ta fshehur dështimin e tyre po e kritikojnë drejtësinë vendore për mos zbardhjen e krimeve të luftës
Një ndër kritikat e ashpra që ka ardhur nga raportet ndërkombëtare ka qenë edhe çështja e ndjekjes së rasteve të krimeve të luftës, sidomos ato raste ku janë të përfshirë ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Mirëpo kreu i Gjykatës Supreme ka kritikuar ashpër punën disa vjeçare të misionit ndërkombëtar të EULEX-it sa i përket hetimit dhe zbardhjes së krimeve të luftës.
Ai thotë se ndërkombëtarët po mundohen të ia hedhin fajin drejtësisë vendore, për dështimet që ka pasur në këtë drejtim misioni i Eulex-it.
“Ne tash një vit i kemi marr kompetencat sa i përket rasteve të krimeve të luftës. Rezultatet e misionit të Eulex-it nuk po du mi vlerësu unë, por vlerësoni ju, me mijëra e mijëra raste i kanë lënë në prokurori dhe nuk i kanë prek, e tash përnjëherë misioni ndërkombëtar po thotë që ne s’kemi rezultate. Ku kenë ata shtatë apo tetë vjet, çka kanë punuar ata dhe ku janë rezultatet. Edhe rasti “Drenica” ka qenë rasti i Eulex-it”, deklaron Peci.
Ai shton se ndërkombëtarët nuk kanë treguar asnjë rezultat rretht rasteve të krimeve të luftës. Sipas tij rreth 900 lëndë të krimeve të luftës kanë qenë në duar të prokurorëve të EULEX-it , por asnjëherë nuk janë hetuar.
“Ne duhet t’i përfundojmë këto raste sepse s’kemi ku ikim, mirëpo mu hedh faji i një misioni që ka qenë kompetent vet dhe faktikisht nuk ka pasur kurrfarë rezultati, nuk mund të identifikohemi me një apo dy raste , pasi përfolet që kanë qenë rreth 900 raste të krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale dhe prokurorët është parë sa kanë punuar”, thekson ai.
Tutje ish-kreu i KGJK-së dhe tashmë kryetar i Gjykatës Supreme thotë se drejtësia vendore do ta ketë problem të madh hetimin e krimeve të luftës në praktikë dhe ndjekjen e personave të dyshuar për krime lufte si pasoj e raportit të Kosovës me Serbinë.
“Për momentin ndoshta organi i ndjekjes tek ne mund t’i kap vetëm ata kryerës të veprave që gjenden vetëm në Kosovë. Pritet ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale që do të vlej edhe gjykimi në mungesë, i cili ndoshta do të na lehtësoj punën në kuptimin e asaj që mund t’i procedojmë edhe ato raste që nuk mund t’i marrim nga Serbia, mirëpo nëse në të ardhmen e afërt nuk ka bashkëpunim për ekstradimin e kryerësve të veprave penale nga Serbia në Kosovë, të dyshuarit e nacionalitetit serb do të jetë vështirë të dalin para drejtësisë kosovare”, shprehet Peci.
I pari i Gjykatës Supreme ka folur edhe për dëmet buxhetor që mund t’i shkaktojnë KGJK-së mbajtja në paraburgim e personave të pafajshëm.
Sipas tij lëndët me paraburgim sipas ligjit kanë përparësi në krahasim me të gjitha lëndët tjera. Ai shprehet se problemi qëndron tek kualiteti i aktakuzës, pasi prokuroria nuk arrin të siguroj prova bindëse që të argumentoj fajësinë e të akuzuarve dhe kjo i kushton KGJK-së, e cila duhet të kompensoj dëmin e të akuzuarve që janë mbajtur në paraburgim pa prova.
“Problemi më i madh është te kualiti i aktakuzave, i fajësisë dhe provave për një kryes të veprës penale. Për këtë arsye duhet të kemi kujdes shumë në momentin kur e arrestojmë dikë, dhe duhet të kemi prova shumë bindëse në mënyrë që të mos del situata që një kryes i veprës penale me prova të mangëta në fund del i lirë dhe pastaj normal që janë dispozitat ligjore për kompensim”, thotë ai.
Sipas tij, nëse vazhdohet kështu buxheti i KGJK-së rrezikohet.
“Kemi raste shqetësuese që disa nuk pajtohen me ato kompensime dhe jemi duke u paditur nëpër gjykata që me siguri që ata që janë shpallur të pafajshëm mund ta realizojnë një shumë më të madhe se sa që ofron KGJK. Për këtë arsye mund të rrezikohet edhe buxheti i këshillit. Në këtë drejtim duhet me pas kujdes shumë se pse dikush rrinë një vit në paraburgim dhe në fund shpallet i pafajshëm” pohon Kreu i Supremes.
Peci ka komentuar edhe rreth grevës së administratës së gjykatave dhe prokurorive, e cila u pezulluar deri në tetor.
Ai thotë se administrata e ka rolin kyç në efikasitetin dhe punën që zhvillohet në gjykata dhe prokurori, pasi sipas tij në shumë aspekte edhe teknike varen nga administrata.
Futja e administratës në greve sipas tij do të ndikonte negativisht në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Me siguri që kish me ndiku shumë negativisht në punën e gjyqtarëve, pasi që shumë procese gjyqësore pa pjesëmarrjen e sekretareve juridike do të kishin me dështu. Kështu që ata janë pjesë e pandashme e procesit të punës së gjykatave dhe prokurorive. Kështu që është mirë nëse arrihet një marrëveshje dhe një apel në kuptimin e përgjithshëm, që duhet me ju përkushtuar kërkesave të kësaj sindikate pasi, po them që janë motor në kuptimin e punës së gjykatave dhe prokurorive”, shprehet ai.
Ai i arsyeton kërkesat e tyre duke thënë duhet t’i kushtohet një rëndësi pak më e veçantë, pasi edhe ata shërbyesve civil kanë ngarkesë të madhe në punë në krahasim me shërbyesit tjerë./arbresh.info/
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë
Skandal i madh në Mal të Zi, dyshohet se referi e goditi me ...