Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Evropian pritet të nisin shpejt diskutimet për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë miratuar në Këshill dokumentin për vizat, duke i dhënë mandatin Presidencës çeke që të nisë negociatat në Parlament.
Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Deputeti holandez, Thijs Reuten, i cili është emëruar raportues për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, do të negociojë me Këshillin në emër të Parlamentit.
Ai ka thënë se do të bëjë çmos që procesi të përmbyllet sa më shpejt, ndonëse është shprehur se vendimi i Këshillit nuk është në tërësi në përputhje me pritjet e Parlamentit.
“Ky vendim do të duhej të ndodhte para shumë kohësh. Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave para katër vitesh. Jo shumë kohë pas kësaj edhe Parlamenti Evropian ka miratuar të njëjtin qëndrim. Na vjen mirë që Këshilli më në fund u pajtua për t’i dhënë Kosovës mundësinë e lëvizjes pa viza. Por fakti se vendet anëtare kanë vendosur ta lidhin këtë me funksionalizimin e sistemit ETIAS-it (ose më së voni me 1 janar 2024), nuk është ajo që ne kemi pritur”, ka thënë Reuten.
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Reuten ka thënë se ka synime që negociatat të nisin sa më shpejt që është e mundur, mundësisht para fundit të vitit.
“Unë nuk mund të them se kur mund të përmbyllet dialogu mes tri palëve, por do të punojmë me shumë mund që të mos shkaktojmë vonesa tjera” ka thënë ai.
Sipas interpretimit të këtij deputeti, për të pasur mandat për nisjen e negociatave në emër të Parlamentit nuk ka nevojë për votim të ri, sepse mund të konsiderohet si mandat edhe pëlqimi që ka dhënë Parlamenti Evropian në vitin 2019.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë./rel
BIK dhe “Mbreti Selman” do t’u dhurojnë 500 fëmijëve jetimë ...
Prokuroria Themelore në Prishtinë nesër mban konferencën për...
BQK lansoi Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbi...
Vazhdon “magjia” e Cole Palmer në Premier League
Evertoni i ndali me barazim tre gjigantët e Premier Leagues ...
39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë për 9 të akuzuarit në...