Google ADS

PE-ja debaton për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

18:42 | 2 Dhjetor 2024
E.G

Në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 2 dhjetor është diskutuar për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok të Kosovës.

Në këtë debat, Kosova është përfaqësuar nga ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla.

Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, në fillim të debatit shprehur shqetësimin e PE-së për sulmet e fundit në veri të Kosovës, si ato në ndërtesat komunale, po ashtu edhe për atë ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ai rikujtoi se Parlamenti Evropian ka dënuar fuqishëm këto akte, që tha se e destabilizojnë Kosovën.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, për sulmin e fundit në Varragë të Zubin Potokut, e lidhi me Rusinë, duke thënë se Serbia po punon sipas një skenari rus.

Akuza të ngjashme më herët ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa sulmit me mjete shpërthyese në Zubin Potok. Serbia ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.

“Kjo çështje është e lidhur me luftën dhe paqen. Nuk dua t’iu mbaj ligjërata, por t’ua tërheq vërejtjen për një situatë shumë shqetësuese”, tha Gërvalla, duke e cilësuar sulmin si “tentim të Rusisë për të destabilizuar rajonin”.

Gërvalla i krahasoi sulmet e fundit në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – me sulmet që Rusia kryen kundër Ukrainës.

“Serbia nuk është Rusi, por ajo po i kopjon strategjitë e Rusisë dhe po i përdor në rajon”, tha Gërvalla, e cila foli edhe për sulmin e mëhershëm të armatosur në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar.

Ajo pretendoi se në këtë sulm, kur u vra një polic i Kosovës, rol ka pasur edhe Rusia.

“Ky nuk është një tension etnik, asnjë mospajtim mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që po ndodh është përshkallëzim që ndodh për shumë vite. Ky është një test për të parë sesa mund të pranojë Perëndimi”, tha Gërvalla.

Ajo po ashtu tha se prapa sulmit të fundit në Zubin Potok qëndron personi që ka organizuar sulmin në Banjskë – referencë për Millan Radoiçiqin.

Gërvalla kërkoi që Bashkimi Evropian të ndërmarrë masa për të “ndaluar Serbinë”, në mënyrë që, sipas saj, të sigurohet paqja dhe stabiliteti jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.

Sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës e kishin dënuar në emër të PE-së edhe Davor Ivo Stier, i cili është kryesues i delegacionit të PE-së për raporte me Kosovën dhe Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian. Ata kishin lëshuar një deklaratë të përbashkët për këtë rast.

Disa deputet të Parlamentit Evropian, duke shprehur solidaritet me Kosovën, megjithatë janë shprehur se duhet të shohin më shumë prova për akuzat që Gërvalla ka bërë për përfshirjen e Serbisë në sulmet e fundit në veri.

Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar./rel

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme