PDK: Vetëvendosje shkaktarja e vetme e krizës, po i shmanget përgjegjësisë qeverisëse

16:37 | 20 Janar 2020
L G

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar për ngërçin politik në të cilin është përfshi vendi pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

PDK përmes një reagimi për media, ka bërë të ditur se po i përcjell me shqetësim zhvillimet e këtyre pothuaj katër muajve të fundit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, të cilat sipas kësaj partie po e vazhdojnë fushatën parazgjedhore, por me mjete të tjera dhe në dëm të Kosovës, raporton arbresh.info.

Parimet e LDK-së dhe VV-së të prezantuara zëshëm sipas PDK-së, janë shndërruar në pazare për karrige dhe asgjë tjetër.

“Partia Demokratike e Kosovës është e bindur se përgjegjësia për t’i formuar institucionet e reja i takon fituesit të zgjedhjeve dhe nuk bën të dëmtohet ky koncept i shëndoshë në demokracinë e re të Kosovës. PDK ka treguar konstruktivitetin e saj duke pranuar rezultatin zgjedhor dhe kaluar në opozitë menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit. Nuk ka bërë asnjë ankesë në Gjykatë Supreme për të zvarritur certifikimin e procesit zgjedhor. Për më tepër, e ka lënë veten në mënyrë të qartë jashtë ekuacioneve e tavolinave të bisedimeve për qeverisje, duke u deklaruar pa asnjë ekuivok dhe ripotencuar se do të qëndrojë në opozitë”, thuhet në reagim.

Çdo përpjekje për të gjetur justifikime, ose për të tjetërsuar përgjegjësitë në këtë vonesë nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas PDK-së, është e papranueshme.

PDK e sheh Vetëvendosjen si shkaktaren  kryesore të vonesës aktuale dhe sipas tyre,  dhënia fund e kësaj krize është tërësisht në dorën e VV-së.

“Qeveria ka dhënë dorëheqjen që më 29 korrik të vitit të kaluar. Faji dhe fati për qeverisjen e re është vetëm në dorën e Vetëvendosjes që prej 106 ditëve. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i marrin përgjegjësitë qeverisëse, por qytetarët e Kosovës do t’i kuptojnë shpejt mashtrimet dhe iluzionet që ata kanë kultivuar si dhe të shohin dështimin e ideve që kanë promovuar. PDK si parti opozitare do t’i mbajë llogaridhënëse dhe nuk do të lejojë të zhbëhen arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës”,  thuhet në reagimin e PDK-së./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme