Google ADS

PDK: Specialja re e zezë mbi Kosovën por e përkohshme

16:04 | 13 Janar 2019
Arbresh.info

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar sot pasi dy zyrtarë të saj sot u nisën drejt Hagës ku do të intervistohen nga Gjykata Speciale. Ajo e ka quajtur Specialen, re të zezë mbi Kosovën, por të përkohshme.

Sot drejt Hagës u nisën, dy ish-komandantët e UÇK-së, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku. I pari është edhe nënkryetar i PDK-së, ndërsa i dyti kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj.

“Partia Demokratike e Kosovës, beson përjetësisht në kauzën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në njerëzit e saj, të cilët ishin të gatshëm të japin gjithçka nga vetja e tyre, për lirinë e popullit, për shtetin e Kosovës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa dhe Kryetari i degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku edhe sot iu përgjigjen ftesave të drejtësisë, për të dëshmuar mbi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, vlerëson se ky veprim është edhe një dëshmi më shumë për gatishmërinë e secilit pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’iu përgjigjur çdo pretendimi, nga kudo që e ka burimin”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Kjo parti e ka quajtur Specialen re të zezë mbi Kosovë, por ka thënë se edhe kjo betejë do të fitohet nga UÇK-ja.

“Gjykata Speciale, është një e re e zezë mbi Kosovën, por është e përkohshme dhe beteja e radhës që do ta fitojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. E vërteta do të triumfojë edhe një herë në Hagë, siç ka ndodhur në të kaluarën. Dhe e vërteta e vetme e luftës sonë është mbrojtja e popullit, lufta për liri dhe drejtësi, kundër një pushteti vrastar të Serbisë. Partia Demokratike e Kosovës, do të jetë gjithmonë përkrah vlerave të UÇK-së, pjesëtarëve të saj dhe përherë do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me drejtësinë. Lufta e UÇK-së është e shenjtë, shteti i Kosovës është i shenjtë, e ardhmja e fëmijëve tanë është e shenjtë”, thuhet më tej në reagim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme