Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka thënë sot në konferencë për media se shkarkimet politike që ka bërë kryeministri Avdullah Hoti janë cenim i rëndë i institucioneve të pavarura dhe precedent i rrezikshëm për kapjen e institucioneve vitale.
Totaj tha se pushteti aktual me këto veprime skandaloze, po e rikthen ndjenjën e frikës për secilin shërbyes civil, profesional e të pavarur në këtë vend.
“Sjellja e kësaj qeverie e ka goditur njërën prej të arriturave më të mëdha 20 vjeçare të qeverisjes në Kosovë – ‘mos hakmarrjen politike’ ndaj institucioneve të pavarura, pavarësisht cila parti ka qenë në pushtet”, tha Totaj.
Ai theksoi se profesionalizmi, performanca e lartë dhe kredibiliteti i Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës dhe ATK-së janë meritë edhe shumë shteteve mike partnere që për 20 vite kanë ndihmuar drejtpërdrejt në trajnimin, ngritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e tyre.
“Është për keqardhje që asnjë nga ambasadat e huaja, veçmas ajo e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, që ka qenë e përfshirë në përzgjedhjen e shumë drejtuesve të institucioneve të pavarura, nuk ka reaguar ende dhe po vazhdon të heshtë”, tha Totaj.
Totaj tha se fakti se shkarkimi i Drejtorit të Policisë u bë, ende pa u mbushur një javë nga arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, lë të kuptohet se është një akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit.
Deklarata e plotë e nënkryetarit Shaqir Totaj:
Të nderuar qytetarë,
Sot jemi në këtë konferencë për të shprehur shqetësimin dhe mospajtimin tonë si Parti Demokratike e Kosovës me kërcënimin e hapur që po e bën tash e një kohë Qeveria Hoti ndaj shërbyesve civil dhe institucioneve të pavarura të shtetit.
Fatkeqësisht, ky pushtet me këto veprime skandaloze, po e rikthen ndjenjën e frikës për secilin shërbyes civil, profesional e të pavarur në këtë vend.
Me vendimet e djeshme të shkarkimeve të udhëheqësve të tre prej institucioneve më kredibile për shumë vite dhe më të pëlqyera nga qytetarët, nuk po cenohet fati individual i ndonjërit prej tyre, por funksionaliteti i këtyre institucioneve dhe vetë shtetit të Kosovës.
Sjellja e kësaj qeverie e ka goditur njërën prej të arriturave më të mëdha 20 vjeçare të qeverisjes në Kosovë – ‘mos hakmarrjen politike’ ndaj institucioneve të pavarura, pavarësisht cila parti ka qenë në pushtet.
Partia Demokratike e Kosovës krenohet në këtë drejtim, se nuk e ka cenuar asnjë institucion të pavarur e udhëheqës të tyre, pavarësisht kohës së gjatë të qëndrimit në pushtet. Edhe kur janë përfolur e akuzuar anëtarët e saj në komuna ose qeveri, PDK-ja asnjëherë nuk është hakmarrë ndaj Policisë e sistemit të drejtësisë sikurse kemi parë nga Qeveria Hoti dhe ish qeveria Kurti.
PDK-ja nuk ka larguar as edhe një zyrtar të vetëm të lartë të institucioneve të pavarura, edhe kur nuk është përputhur me politikat e saj qeverisëse.
Kjo qeveri e lodhtë, me ditën e djeshme, ka goditur pavarësinë e institucionit të Policisë së Kosovës; të Doganave të Kosovës dhe të Administratës Tatimore të Kosovës.
Tani e tutje, nuk do të kërkohet profesionalizëm e pavarësi nga politika, por militantizëm e libreza partiake për të udhëhequr me këto institucione të pavarura.
Shqetësimi i jonë si Parti Demokratike e Kosovës, është se po shënohet një precedent i rrezikshëm i politizimit të skajshëm në secilën nga këto institucione të pavarura të shtetit.
Ky është precedent i humbjes së besimit në institucione dhe kërcënim i hapur tani e tutje ndaj çdo shërbyesi civil të pavarur.
Është për keqardhje që asnjë nga ambasadat e huaja, veçmas ajo e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, që ka qenë e përfshirë në përzgjedhjen e shumë drejtuesve të institucioneve të pavarura, nuk ka reaguar ende dhe po vazhdon të heshtë.
Njëjtë sikur e filloi Lëvizja Vetëvendosje me hakmarrje ndaj bartësve të këtyre institucioneve të pavarura, por e vazhdon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Profesionalizmi, performanca e lartë dhe kredibiliteti i Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës dhe ATK-së janë meritë edhe shumë shteteve mike partnere që për 20 vite kanë ndihmuar drejtpërdrejt në trajnimin, ngritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e tyre.
Për fund, PDK konsideron se këto shkarkime pa arsyetime dhe në kundërshtim me ligjin, e cenojnë rëndë pavarësinë e këtyre institucioneve dhe rrezikojnë funksionimin normal të shtetit.
Fakti se shkarkimi i Drejtorit të Policisë u bë, ende pa u mbushur një javë nga arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, lë të kuptohet se është një akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit.
Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike Kosovës, që të distancohet nga kësi lloj veprimesh abuzive që duket se janë spastrime politike dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për mirëfunksionimin e institucioneve të rëndësisë së veçantë sikurse janë policia, doganat dhe ATK.
Këto institucione në vazhdimësi janë vlerësuar lartë nga raportet e shumë organizatave ndërkombëtare, si raporti i BE-së për vendin, Banka Botërore dhe FMN. /arbresh.info/
Në dy raste të ndara policia arreston dy persona për armëmba...
Monitorim 24 orë me kamera për ujësjellësit, Balluku: Rritje...
Shfaqen grafite me simbolin serb në veri
Mjeku saudit i dyshuar për sulmin në tregun e Krishtlindjeve...
Kurti merr pjesë në manifestimin e Ditës Botërore të gjuhës ...
Vetaksidentohet vetura e policisë në veri, lëndohen pesë pol...