Gjendja aktuale e arsimit në Komunën e Prizrenit është shumë shqetësuese dhe alarmante, dhe atë vetëm për faktin pse pushteti aktual po mundohet që arsimin ta kontrollojë përmes ndërhyrjeve primitive politike, që di ta bëje vetëm Vetëvendosja, e cila deklaron ndryshe dhe vepron ndryshe.
Në këtë mënyrë në kundërshtim me emërtimin e kësaj partie, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, pati deklaruar se do ta ketë prioritet depolitizimin në arsim, por në fakt ai e bëri të kundërtën, duke e politizuar skajshmërisht arsimin në të gjitha nivelet.
Së pari, politizimi i skajshëm u vërejt me rastin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, dhe me përzgjedhjen e mësimdhënësve. Të gjitha këto veprime kryetari Haskuka i bëri në emër të ndryshimeve për më mirë në arsim, por ndodhi krejt e kundërta dhe regres në fushën e arsimit.
Të kujtojmë se pos përzgjedhjes kushtimisht të drejtuesve të militantëve, pushteti aktual, u siguroj vende të reja të punës si drejtorë militantëve të tyre, duke krijuar pozita të paqena.
Pos në DKA, që janë krijuar vende të punës, që nuk i njeh organizimi arsimor, u ndanë dy shkolla, pa përfillur asnjë akt ligjor dhe në kundërshtim me ligjin e arsimit paraunivesitar nr.04/L032.
Të dy këto shkolla që u ndanë (“Abdyl Frashëri” dhe “Lekë Dukagjini”) janë më të mëdhatë në komunë, madje edhe në Kosovë, sot punojnë si gjoja të pavarura, por sistemi arsimor nuk i njeh si të tilla, sepse ndarja është bërë pa e respektuar procedurën ligjore rreth ndarjes, emërtimit, ndarjen e buxhetit, menaxhimin etj.
Prej marrjes së mandatit të udhëheqjes së komunës, arsimi jo vetëm se nuk u përmirësua në Komunën e Prizrenit, por përkundrazi shkoi shumë më keq seç ishte. Kështu u ndërprenë investimet në rregullimin e infrastrukturës shkollore dhe sot e asaj dite nuk kanë përfunduar shkollat që janë nisur të ndërtohen në mandatin e qeverisjes së PDK-së, e as që bëhet fjalë për fillimin e ndonjë objekti të ri shkollor. (Të përmendim vetëm disa shkolla ku janë ndërprerë punimet si ajo në Piranë, në Pllanjanje, në Velezhë etj.)
Kanë mbetur në gjysmë projektet e digjitalizimit të shkollave për t’u pajisur me kompjuterë dhe video projektorë si dhe nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.
Mungesa të mësimdhënësve në procesin arsimor ka pasur edhe vitin e kaluar, kur në shumë shkolla nuk janë mbajtur orët e disa lëndëve, ku kanë munguar rreth 30 mësimdhënës dhe janë humbur mbi 10 mijë orë mësimore ( shkolla ‘’ Ibrahim Fehmiu’’, ‘’Emin Duraku’’ e shumë të tjera) .
Por ajo që është më shqetësuese është fakti se ky avaz po vazhdon edhe këtë vit shkollor.
Ky vit shkollor ka filluar pa drejtor të Drejtorisë së Arsimit, që ka qenë hendikepi më i madh për arsim dhe skandali më i madh i degradimit nga ana e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje gjatë fushatës pati kritikuar pushtetin e PDK-së për gjoja dobësi në procesin arsimor. Të kujtojmë se për 10 vjet sa ka qeverisur PDK në Prizren, nuk janë shënuar humbje të orëve mësimore sa ka ndodhur vetëm për këto dy javë, ku mungojnë mbi 70 mësimdhënës në procesin mësimor dhe nga fillimi i vitit të ri shkollor deri më sot nuk janë mbajtur 2900 orë mësimore, për shkak të qeverisjes së keqe të Vetëvendosjes.
Konkursi për përzgjedhjen e mësimdhënësve, i cili thuhet publikisht se u bë shkak për prishjen e koalicionit, pas shumë parregullsive, ka qenë i shoqëruar edhe me shumë anomali, që nuk i shërbejnë depolitizimit, por përkundrazi politizimit të skajshëm. Kështu së pari Vetëvendosje, me anë të këtij konkursi ka llogaritur t’i sistemojë militantët e vet, dhe ta dëmtojë arsimin.
Pastaj ajo që ka lënduar më së shumti procesin mësimor, ka qenë presioni që u është bërë drejtorëve të shkollave dhe mosprania e tyre në përzgjedhjen e mësimdhënësve, që është në kundërshtim me Ligjin e arsimit parauniversitar neni 35 paragrafi 4, dhe nuk kishte si të bëhej ndryshe pos të anulohej ky konkurs politik në arsimin e Komunës së Prizrenit.
Por, anulimi i konkursit , pas skadimit të afatit për ankesa, nga ana e drejtoreshës , e cila është e preferuara dhe e ndëgjueshmja e kryetarit Mytaher Haskuka, të cilën e caktoi në krye të drejtorisë së Arsimit jo thjesht në emër të profesionalizmit, por në emër të realizimit të punësimeve partiake, ku ka krijuar pakënaqësi të shumta në të gjitha shkollat.
Këto pakënaqësi janë në dy rrafshe: Së pari mungesa e mësimdhënësve pamundëson zhvillimin normal të procesit mësimor dhe së dyti mësimdhënësit e pranuar në punë sipas konkursit të anuluar faktikisht janë punëtorë të arsimit, por që nuk shkojnë në mësim dhe sot aktualisht janë në zyrat e policisë për krime të rënda dhe në zyrat e prokurorisë, sepse po përflitet se drejtoresha e arsimit, po i cakton mësimdhënës tjerë, sipas porosisë së Vetëvendojes, pa kaluar nëpër procedura të konkursit që të shkojnë në mësim, gjoja për t’u mbuluar orët e humbura.
Me këto probleme të mëdha, Arsimi në Komunën e Prizrenit jo vetëm se nuk po ndryshon por po keqësohet edhe më shumë dita e ditës.
Udhëheqja aktuale e Prizrenit nga Vetëvendosja dhe degradimi i skajshëm në arsim, ku me qindra nxënës janë ende pa mësues, qindra të tjerë ende pa tekste shkollore, na shtyn të mendojmë se me këtë parti, çfarë të këqija mund të përjetojë populli, nëse kjo parti do të jetë një ditë në qeverisje të shtetit, sepse po dëshmohet se Vetëvendosje nuk është në gjendje të qeverisë një komunë, e lëre më nëse i vije dita, çfarë degradimi dhe degjenerimi do të ketë shteti ynë i ndërtuar me mund, sakrifica, flijime dhe i larë me gjak.
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...