Kalimi i mocionit të mosbesimit ndaj koalicionit qeverisës në Kosovë, që çoi në rënien e qeverisë, për njohësit e rrethanave politike ka qenë një hap i pritur. Sipas tyre, koalicioni kohët e fundit humbi koordinimin ndërmjet vete dhe ndryshoi, siç thonë, balancën e brendshme.
Një mocion mosbesimi ndaj qeverisë u miratua me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të mërkurën, duke i dhënë fund koalicionit qeverisës dhe duke hapur rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë hyrë në partneritet qeverisës për herë të dytë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe të dyja hera kanë prishur koalicionin pas më shumë se dy vjetësh qeverisjeje, thonë analistët.
Analisti politik Halil Matoshi, i tha Radios Evropa e Lirë, se partia më e madhe e koalicionit të deritashëm, PDK-ja, ka qenë e interesuar që diçka e tillë të ndodhte dhe ashtu ndodhi.
“Natyrisht që qeverinë e ka rrëzuar ‘vetë qeverisësi’, do të thotë Partia Demokratike e Kosovës. Kjo parti e sheh të vetmen mundësi që sërish të kthehet në pushtet duke kalkuluar ose duke bërë ndonjë marrëveshje me partitë opozitare përkatësisht me Nismën për Kosovën e cila ishte edhe sponsore e mocionit të mos besimit”, tha Matoshi.
Ai ka konsideruar se veprimet politike të deritashme të PDK-së, janë ‘pragmatike dhe korrekte’, por sipas tij në aspektin logjik dhe të qeverisjes së mirë këto veprime janë, siç tha, ‘absurde’.
“Kjo është absurde sepse Partia Demokratike e Kosovës praktikisht e ka shpërbërë qeverisjen e saj. Ajo ka qenë e barabartë në qeverisje. Ajo i dha favore opozitës, përkatësisht e përmbylli krejt këtë cikël si fitore të opozitës”, tha Matoshi.
Analisti Imer Mushkolaj, thotë se koalicioni qeverisës nuk punoi sipas planeve dhe premtimeve si dhe strategjive, të cilat ishin paraparë të realizohen. Për pasojë, tha ai, lindën edhe mosmarrëveshjet.
Mushkolaj tha se koalicioni qeverisës ka ardhur deri në këtë pikë për shkak të, siç tha, ‘interesave personale’.
“Që nga fillimi i qeverisjes në pyetje janë interesat, thjeshtë, personale, individuale dhe partiake. Kjo është parë sot se sa larg është interesi i qytetarëve nga vëmendja e deputetëve dhe se sa në fokus apo sa primare janë interesat individuale”, tha Mushkolaj.
Sipas tij ‘qeveria ka rënë edhe për shkakun se nuk ka arritur të kryej projektet e mëdha siç është demarkacioni’.
“Fatkeqësia pra qëndron në faktin se disa çështje të mëdha sikur se është edhe demarkacioni nuk arritën të kalojnë me këtë koalicion qeveritar dhe me këtë numër të deputetëve shumë të madh të koalicionit. Për mua është një pikëpyetje e madhe se çka do të ndodh dhe si do të procedohet kjo çështje në të ardhmen në legjislaturën e re, kur nuk është e sigurt se do të ketë një koalicion me numra kaq të mëdhenj në Kuvend”, tha Mushkolaj.
Koalicioni qeverisës, PDK-LDK, u krijua në dhjetor të vitit 2014, pas një bllokade politike prej gjashtë muajsh, që e futi vendin në krizë.
Me marrëveshjen e koalicionit, LDK-ja do të merrte postin e kryeministrit ndërkohë që partnerit në koalicion, PDK-së do t’i takonin postet e presidentit dhe të kryetarit të Kuvendit.
Të dyja partitë në koalicionin qeverisës, së bashku me përfaqësuesit e partive politike të komuniteteve, arritën të krijonin shumicën parlamentare prej mbi 80 deputetësh.
Por, kjo nuk dha garanci për votimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Asocacionin e Komunave me shumicë Serbe, marrëveshje këto që u kundërshtuan fuqishëm nga opozita jo vetëm brenda Kuvendit por edhe jashtë tij.
Kosova që prej shpalljes së pavarësisë së saj nuk ka patur një qeveri të qëndrueshme që ka përballuar mandatin katër vjeçar, thonë analistët dhe vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme për shkak të mosbesimit të qeverive të shprehur në Kuvend. /Arbresh.info/
Vengu: Shqipëria synon një fazë të re bashkëpunimi me Pentag...
Edi i hedh kunja Gjestit: Burri që o burrë duhet me i peshu ...
Xheneta për Gjestin: Kur ka kajt për mua, me ka bërë krenare...
Gjykata Kushtetuese konfirmon një nga masat e sigurisë ndaj ...
Brazil, ish-presidenti akuzohet për “grusht shteti” kundër d...
Krasniqi për vdekjen e Sabri Popajt: Një shqiptar i rrallë, ...