Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deputetja Eliza Hoxha dhe anëtari i Kryesisë, Bernard Nikaj, kanë denoncuar sot dyshimet për aferat korruptive të Ministrisë së Infrastrukturës, të mbi 9 milionë euro për 42 kontrata të negociuara nga Ministria e Infrastrukturës, shkruan arbresh.info.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nga dita e parë e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë.
“Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu dhe bashkë hisedari i tij Hysen Durmishi, për një vit, kanë lidhur gjithsej 42 kontrata për punë shtesë, të cilat nuk janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta të prokurimit. Në këtë sipërmarrje korruptive, ekipet tona të juristëve dhe ekonomistëve kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm të shkeljeve, të cilat jo vetëm që shkelin dispozitat e ligjit, por përbëjnë aktivitet të hapur korruptiv dhe vepër të pastër penale, dhe të cilat do të duhej e do të duhet të trajtohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.”, tha Tahiri.
Tutje Tahiri tha se në Ministrinë e Infrastrukturës nuk ka pasur procese prokurimi, por tenderomani pa procedura tenderësh.
“Shkeljet e evidentuara dhe abuzimi me paranë publike në këtë rast, përbëjnë vepër të pastër penale, dhe mbi këtë bazë, ne do të përgatisim kallzim penal për secilin akter të përfshirë.”, potencoi ai.
E deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha argumentoi shkeljet e Ligjit për Prokurimin Publik, të bëra nga Ministria e Infrastrukturës, ku sipas saj 90 % e kontratave të lidhura e kanë tejkaluar vlerën e kontratës, duke i shkaktuar dëme buxhetit shtetëror prej 10% të vlerës së kontratave bazë.
Sipas Hoxhës shumica e këtyre kontratave janë nënshkruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, derisa legjislacioni në fuqi nuk e parasheh këtë.
“Në kontratat e nënshkruara brenda kësaj periudhe njëveçare, Ministria e Infrastrukurës ka eliminuar konkurrencën e lirë dhe ka diskriminuar operatorët ekonomik. Shkelje tjetër ligjore në këto kontrata edhe e mos planifikimit i aktiviteteve të prokurimit, siç përcaktohet në nenit 8 të ligjit. Sepse, gjatë periudhës 22.03.2021 – 07.04.2022 procedura e negociuar pa publikim të kontratës është përdorur 42 herë, nënkupton që menaxhimi dhe planifikimi vjetor rreth procedurave të prokurimit ka qenë thjesht një dështim, ku shumica e këtyre kontratave janë punë shtesë apo 10 % të kontratave bazë. Vlera e kontratave gjatë përdorimit të kësaj procedure në periudhën një vjeçare arrin vleren rreth 9 milion euro.”, deklaroi Hoxha.
Ndërkaq anëtari i Kryesisë, Bernard Nikaj, tha se kjo është një super aferë e Qeverisë Kurti, në të cilën pushtetarët kanë ndarë nën tavolinë, rreth 9 milion euro nga taksat e qytetarëve.
“E gjithë kjo ndërmarrësi korruptive, e bën shumë të qartë se nuk kemi të bëjmë me procese prokurimi. Kemi të bëjmë me fenomenin e pastër të tenderomanisë. Dhe për më keq, tenderomanisë pa procese e procedura tenderësh të hapur. Shkeljet e evidentuara dhe abuzimi me paranë publike në këtë rast, përbëjnë vepër të pastër penale, dhe mbi këtë bazë, ne do të përgatisim kallzim penal për secilin akter të përfshirë.”, tha Nikaj./arbresh.info/
Sot shqyrtohet në komision ligji i kthyer për rishqyrtim nga...
Sonte rikthehet Liga e Kampionëve me nëntë ndeshje në progra...
Sot protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të QKUK-së
Shtëpia e Bardhë: Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e P...
Donald Trump: Do të rris tarifat për Kanadanë, Meksikën dhe ...
“Travel and Tour World”: Shqipëria, një yll në rritje në tur...