Përfaqësuesë të Partisë Demokratike të Kosovës, të prirë nga kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Bedri Hamza, kanë bërë homazhe në 25-vjetorin e masakrës së Mejës.
“Gjenocidi i orkestruar i shtetit serb në Kosovë, vjen e shfaqet në mënyrën e tij më barbare në Mejë të Gjakovës, me 27 prill të vitit 1999, duke lënë pas vetes 376 persona të masakruar. Pleq, burra e fëmijë – të vrarë në gjakftohtësi dhe me paramendim. Të gjithë civilë e të pafajshëm. 36 djem ishin nën moshën 18 vjeç. Trupat e 13 viktimave ende nuk janë gjetur”, thuhet në postimin e faqes zyrtare në Facebook.
PDK tutje thekson se dhjetëra oficerë të lartë serbë ishin të përfshirë, direkt ose indirekt, apo ishin në dijeni për këtë masakër dhe nuk kanë dhënë asnjëherë llogari për krimet e kryera në Mejë dhe vende tjera të Kosovës.
“Meja është e vërteta e Serbisë. Meja është e vërteta e luftës së Kosovës. Meja flet për viktimën dhe agresorin – më fuqishëm dhe më drejtë se cilado gjykatë. Kosova nuk do të harrojë asnjëherë”, thuhet në postimin e PDK-së./rtk