PDK koordinon agjendat politike, Krasniqi: Qeveria ka braktisur qytetarët

19:28 | 6 Shtator 2022
L G

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi përgjatë dy ditëve ka mbledhur anëtarët e Kryesisë, deputetët e Grupit Parlamentar dhe Kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga PDK-ja.

Siç ka bërë të ditur vetë kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, takimet u zhvilluan për të koordinuar agjendat politike dhe legjislative para fillimit të sesionit vjeshtor parlamentar.

“Gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Kriza ekonomike që po përcillet me një inflacion rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat e sindikatave dhe ndërprerja e mësimit për fëmijët tanë, mungesa e investimeve kapitale, diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave dhe shumë probleme të tjera – kërkojnë trajtim dhe veprime emergjente”, ka shkruar lideri i PDK-së.

Tutje Krasniqi ka thënë se PDK si parti shtetformuese, lidere e opozitës dhe që udhëheqë me 8 komuna, e bashkëqeverisë në 9 sosh do të angazhohet maksimalisht për të dhënë kontributin në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.

“Qeveria aktuale i ka braktisur qytetarët dhe ua ka kthyer shpinën problemeve të tyre. Duke rrënuar arritjet e deritashme, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat, që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve tanë”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai ka thënë se PDK-ja do të punojë në Kryesi, Kuvend dhe nëpër Komuna dhe do të kërkojë që shteti dhe Qeveria të jenë më afër qytetarëve në periudhën më sfiduese pas luftës.

“Në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, kemi hartuar vizionin për qeverisjen e re të vendit, për të ardhmen e qytetarëve tanë, pa dallim. Tjetër rrugë nuk ka!”, ka përfunduar shkrimin kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. /arbresh.info

Të ngjashme