PDK-ja që lufton punësimet partiake rehaton dy militantë në Ministrinë e Dhurata Hoxhës

18:03 | 1 Gusht 2017
Arbresh.info

Partia Demokratike e Kosovës, krejt pa pritur është bërë më e zëshmja në përpjekjet e saj për të parandaluar punësimet e militantëve partiakë, edhe pse si parti është kritikuar më së shumti për këtë fenomen gjatë kohës sa ka mbajtur dhe mban pushtetin.

Madje, ditëve të fundit u  organizuan edhe konferenca për media, ku PDK akuzoi Komunën e Prishtinës për punësime partiake e tenderime korruptive, edhe pse të gjitha u demantuan lehtë nga kjo e fundit për shkak të argumentimit qesharak të saj.

Ndër më të zëshmet ishte anëtarja më e re e partisë, Arbana Xharra, e cila PDK-së iu bashkua pak muaj më parë. Nga krejt kjo ndërmarrje e PDK-së për të akuzuar pushtetin e VV-së në Prishtinë, u tha nga shumëkush se partia që po bën një dekadë në pushtet, po bëhet gati për opozitë.

Por, duket se PDK-ja nuk i ka të sinqerta tërë këto akuza dhe se janë vetëm për kalkulim elektoral, pasi që edhe gjatë kohës sa bën këso akuzash, militantët e saj partiakë punësohen në institucione të ndryshme të vendit.

Periskopi merr vesh se vetëm muajin e kaluar, PDK ka rehatuar të paktën dy militantë të vet.

Për këto punësime janë siguruar edhe vendimet e ministrive përkatëse.

Floriana Rugova, e cila mban pozitën e anëtares së Kryesisë së Gruas së PDK-së, e cila gjatë fushatës zgjedhore të fundit u bë e njohur vetëm për shkak të bukurisë së saj, që nga data 3 korrik, 2017, është punësuar në Ministrinë e Drejtësisë si udhëheqëse e Divizionit për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit.

Periskopi nga burime të vetat brenda Ministrisë së Drejtësisë, kupton se Rugova është e afërt e ministres Hoxhaj, por nuk ka mundur ta konfirmojë me saktësi afërsinë e tyre familjare ose shoqërore.

Rugova ka qenë edhe kandidate për asambleiste komunale në Prishtinë, në zgjedhjet e vitit 2013.

I shpërblyeri tjetër me punë është Taulant Sadikaj.

Sadikaj ka filluar punën si Zyrtar Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë që nga data 20 korrik, 2017. Ai në PDK mban postin e kryetarit së Rinisë në PDK, Dega në Prishtinë.

Triumf Sadikaj është i biri i Beqir Sadikajt, i cili po ashtu është i angazhuar në PDK.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme