Google ADS

PDK-ja e quan partiçkë AAK-në

17:44 | 31 Gusht 2019
Arditë Shkodra

Partia Demokratike e Kosovës ka filluar të kopjojë Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit tashmë kur ka filluar para fushata për zgjedhjet e 6 tetorit.

Derisa partia e Kurtit e qunte PSD’në si partiçkë, Dega e PDK’së në Fushë Kosovë po e quan me emërtim të njëjtë partinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me të cilën kanë bashkë qeverisur për dy vite.

Në një postim të kësaj dege thuren akuza në drejtim të Haradinajt për punësime e favore, por sipas tyre një e gjë tillë nuk mund të vazhdojë më pasi që parashikojnë që Veseli do të jetë kryeministër i ardhshëm.

Postimi i plotë i Degës së PDK’së në Fushë Kosovë:

Partiçka AAK gënjen qytetarët e Fushë Kosovës për vende pune

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke orkestruar një mashtrim ndaj qytetarëve të Fushë Kosovës, gjoja për vende pune e favore.

Ky mashtrim i AAK-së në prag të fushatës zgjedhore është duke dështuar, pasi edhe qytetarët nuk besojnë në premtime të tilla të rrejshme.

Kjo partiçkë e cila pushtetin dy vjeçar e ka konsumuar duke punësuar familjarë e militantë partiakë me kontrata mbi vepër në dikasteret ku ka udhëhequr, nuk ka krijuar vende pune për qytetarët sikurse as për përkrahësit e vet në Fushë Kosovë.

AAK nuk mund të abuzojë më tutje me postet publike, ngase po vjen qeveria me kryeministër Kadri Veselin, e cila do të krijojë mundësi e shanse të barabarta për të gjithë qytetarët, përmes luftës ndaj korrupsionit e nepotizmit, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe perspektivës për të rinjtë.

Për më tepër, Dega e AAK-së në Fushë Kosovë ka dy vite që është jashtë funksionit.

PDK në Fushë Kosovë beson se qytetarët nuk do të bien pre e premtimeve të rrejshme të partiçkës së AAK-së, ngase epoka e punësimeve familjare të AAK-së ka përfunduar me dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Ramush Haradinajt, i cili e degradoi shtetin e Kosovës. Ata besojnë në vlera dhe në platforma që rrisin mirëqenien e përgjithshme. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe këtë vullnet do ta dëshmojnë më datën 6 tetor, duke votuar për Partinë Demokratike të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme