PDK-ja e gatshme të shkojë në zgjedhje

09:33 | 27 Mars 2017
Arbresh.info

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka mohuar se vizitat e zyrtarëve të kësaj partie dhe liderit të saj në terren po bëhen për fillimin e përgatitjeve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ai ka thënë se këto vizita janë në kuadër të programit dhe statutit të partisë për të komunikuar me bazën, në këtë rast degët. “Partia Demokratike ka obligim programor dhe statutar që në vazhdimësi të komunikojë me bazën e partisë. Pra, duhet të dëgjohet elektorati, të dëgjohen hallet, problemet, sugjerimet si dhe vërejtjet e elektoratit. Prandaj, të gjitha këto kanë qenë në kuadër të rrjedhës normale, por gjithsesi kjo e dëshmon se Partia Demokratike në çdo kohë është e gatshme të dalë para qytetarëve dhe ta kërkojë besimin e qytetarëve”, ka thënë Grabovci në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”.

Duke folur rreth bashkëqeverisjes me LDK-në, Grabovci ka thënë se koalicioni PDK – LDK nuk ka dëshmuar deri më tani se është koalicion i vendimeve dhe përgjegjësive të mëdha. “Ky koalicion ka qenë i dedikuar të jetë koalicion i vendimeve dhe përgjegjësive të mëdha, megjithatë deri më tash nuk e ka dëshmuar një gjë të tillë. Dëshiroj që në të ardhmen e afërt ky koalicion ta dëshmojë vetveten, në të kundërtën të marrë vendimin e drejtë dhe të duhur në dobi të proceseve të vendit”, është shprehur Grabovci.

Se sa ka unifikim brenda PDK-së për tri temat e mëdha, demarkacionin me Malin e Zi, asociacionin e komunave serbe dhe Gjykatën Speciale, Grabovci ka thënë se PDK-në e karakterizon një frymë demokratike e mirëfilltë. Ai ka thënë se PDK-ja është partia e vetme e cila është e gatshme të marrë përgjegjësi dhe vendime për t’u përballur me të gjitha sfidat dhe të dalë fituese. Grabovci ka thënë se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai ka theksuar se PDK-ja nuk ka vija të kuqe për koalicione të mundshme, duke mos e përjashtuar, pas zgjedhjeve parlamentare, një koalicion të përbashkët me AAK-në.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme