Google ADS

PDK-ja dyshon se 200 milionë euro u keqpërdorën gjatë krizës energjetike

13:59 | 28 Mars 2022
arbresh.info

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kritikuar ashpër deputetët e mazhorancës për votimin kundër themelimit të një komisioni hetimor parlamentar për krizën energjetike, për çka GP i PDK-së e ka lëshuar seancën plenare.

Tahiri në një konferencë për media tha se nga dy dekada prej që është themeluar Kuvendi i Kosovës kjo është hera e parë që një parti politike bllokon themelimin e një komisioni hetimor.

“Asnjëherë në të kaluarën, asnjë Grup Parlamentar nuk ka ndodhur që të refuzojë të hedhim dritë mbi çfarë keqpërdorimi të mundshëm që ka mundur të ndodhë nga cilido institucion, kushdo qoftë ai. Republika e Kosovës ka një histori sa i përket hetimeve parlamentare. Hetimi parlamentar është i një instrument i opozitës i rregulluar me ligj”, shtoi ai.

Tahiri theksoi se për formimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike paraprakisht ka pasur një dakordim mes Grupeve Parlamentare që të propozohen emrat dhe pastaj të vazhdohet me procedimin më tutje në Kuvend.

“Sot edhe ashtu kërkova që të mos kemi debat për këtë çështje, por të votohet komisioni dhe pastaj ai të hedh dritë mbi të gjitha dyshimet që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe. Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar afër 200 milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe pikërisht kërkesa jonë dhe e partive tjera opozitare ishte që të hidhet dritë mbi shpenzimin e këtyre taksave, se si janë menaxhuar, ku kanë shkuar, kush ka përfituar nga to, kush kanë qenë kompanitë të cilat kanë blerë rrymë në emër të Republikës së Kosovës”, tha ai.

PDK paralajmëron se do të inicojë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar përmes formave tjera, që të hedh në dritë të gjitha keqpërdorimet që janë bërë gjatë krizës energjetike.

“Sot Qeveria Kurti ka hapur një debat për një aferë shumë të madhe korruptive, të cilën sot u mundua me vota ta ndalë, mirëpo opozita ka edhe instrumente tjera për krijimin e këtij komisioni. Siç e dini ligji parlamentar i lejon opozitës të themelojë një komision të tillë me 40 nënshkrime”, theksoi Tahiri./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme