PDK i vardiset LDK-së për votën pro Thaçit kryenegociator

18:48 | 4 Qershor 2018
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që përfundimisht të mos e përkrah platformën shtetërore të qeverisë për dialogun me Serbinë, platformë kjo e cila i jep rolin e kryenegociatorit presidentit të vendit, Hashim Thaçit.

E duke komentuar këtë vendim, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, ka thënë se dëshiron të vazhdojë të besojë në qëndrimin se LDK-ja është parti institucionaliste dhe se ajo do të jetë përkrah institucioneve të Kosovës për dialogun përfundimar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vazhdoj të besoj në qëndrimin se Lidhja Demokratike e Kosovës, është parti institucionaliste dhe se ajo do të jetë përkrah institucioneve të Kosovës në determinimin e filozofisë të dialogut me Beogradin. E dyta,besoj që LDK-ja ka fuqi dhe energji të mjaftueshme mbi dallimet individuale që mund t’i ketë brenda partisë dhe që në një parti demokratike janë normale, për ta konceptuar dhe rrumbullaksuar gjithë rrugëtimin e gjatë që së bashku me PDK-në e ka bërë që nga fillimi e deri më tani në bërjen e shtetit të Kosovës”, deklaroi Hoti për lajmin.net.

Ai thotë se pret që LDK-ja nuk do të abstenojë nga rruga e ballafaqimit në raport me Beogradin.

“Nuk besoj që LDK-ja do të abstenojë nga rruga e ballafaqimit në raport me Beogradin, qoftë ajo në pozitë apo në opozitë, dhe nuk besoj që LDK-ja nuk e peshon faktin institucional të drejtimit të institucioneve nga njerëzit përkatës”, u shpreh Hoti.

Për rolin e presidentit Thaçi, Hoti u shpreh se pavarësisht gabimeve që mund t’i ketë bërë, ai është një personalitet politik që ka qëndruar në majën e proceseve politike, dhe si i tillë ka një pozitë të pazëvendësueshme.

“Ka kohë që Presidenti Thaçi vazhdon të bëhet një problematikë e natyrshme në skenën politikë, sepse presidenti Thaçi me veprimin dhe procesin e individualitetit politik, pavarësisht gabimeve që mund t’i ketë bërë dhe që i ka bërë, është personalitet politik që qëndron në majën e proceseve pa asnjë mëdyshje. Nëse shprehemi figurativishtmund të them se pas pozicionit të tij pasojnë disa fusha të zbrazura, dhe vetëm pastaj vjen skena politike e vendit. Pikërisht kjo zbrazëtirë që ai ka krijuar me punën e tij të palodhshme ka frymëzuar jo rrallë edhe qëllimet egoiste të njerëzve, disa prej të cilëve nuk i kontrolluan dot saqë e shanë edhe luftën e UÇK-së vetëm e vetëm përse Hashim Thaçi ishte pjesë e saj”, shprehet Hoti.

Sipas tij, presidenti Thaçi është një figurë historike e pakontestuar, e madje edhe po t’i lihej në dorë LDK-së, sërish kjo e fundit do të vendoste që Thaçi të jetë kryenegociator.

“Hashim Thaçi është figurë historike aktuale e pakontestuar. Do të thosha edhe po t’i lihet në dorë Lidhjes Demokratike të Kosovës për të vendosur për dialogun, ajo në fund të ditës do të vendosë, dhe me duart e veta do ta vënte Hashim Thaçin në krye të dialogut. Sepse jo vetëm që është njeriu i cili më së miri e rrumbullakon këtë çështje, por ai është njeriu që e ka bërë unifikimin e faktorit të luftës dhe të paqes në Kosovë, dhe me të gjithë faktorët tjerë politikë të vendit ka përmbyll procese të rëndësishme për vendin. Në këtë drejtim nuk ka tjetër si ai. Ai ka falur fitore demokratike legjitime për Republikën, ai e ka dëmtuar, për të mos thënë; e ka gjymtuar partinë e tij kur ishte vetëm e vetëm që t’i bënte të gjithë pjesë të proceseve. Vendimeve të Presidentit Thaçi u ka dhënë të drejtë ligji dhe Kushtetuta e vendit. Dhe jo gjithçka mund ta shpalos Presidenti në këtë fazë dhe mendoj se kjo është normal për një raport forcash çfarë është duke u zhvilluar në përmbyllje të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, u shpreh Hoti.

Hoti shton se Thaçi është njeri i cili nuk ke lejuar persona të tjerë që të krijojnë realitete të tjera, dhe se sipas tij ai qëndron i vetëm, si i pari i skenës politike kosovare.

“Presidenti Thaçi është njeriu që i’u ka zgjatur dorën edhe pjesës e cila ka qenë deri dje në shërbime të hegjemonizimit në Kosovë, i ka adaptuar edhe nipat edhe mbesat e neokolonializimit me të drejtë. Liria e Kosovës u takon të gjithëve dhe ajo nuk i përdallon njerëzit. Ashtu siç u ka treguar vendin shumë komandantëve të pasluftës. Është e qartë gjithashtu se në gjithë këtë proces, Hashim Thaçi ka bërë edhe gabimet e veta, por në kontekst të krahasimit të pozicioneve të tij me të tjerët, për rrethanat politike të Kosovës, ai është një pastaj vijnë disa zbrazëtira, e më pas vijnë liderët dhe lidershipi i skenës politike të Kosovës. Hashim Thaçi në vetvete, pa teprim, është stabiliteti i vendit, ai sublimon vlerat, kontinuitetin dhe filozofinë e investimit 30 vjeçar shqiptarë për lirinë e republikës dhe shtetndërtimin e saj”, deklaroi nënkryetari i PDK-së.

Nënkryetari i PDK-së foli edhe për polemikat e mëdha të shkaktuara në opinion për presidentin Thaçi, ku tha se krejt kjo ndodh për shkak se të tjerët dëshirojnë të përfitojnë në kurriz të tij.

“Është e kuptueshme që të gjithë duan ta gjuajnë atë, ta godasin, duke filluar nga shkolla jugosllave e deri te lakenjtë e rrugëve të tranzicionit, neokomunistët dhe histerikët e skenës politike. Po ata tjetër edhe nuk dinë. Sepse duke gjuajtur një njeri të madh, duan të marrin pak pluhur të teshave të tij për ta shkëlqyer vetveten, që do të thotë të duken të rëndësishëm”, tha Hoti.

Hoti foli edhe për variante të tjera të përfaqësimit të Kosovës në dialogun me Beogradin.

“Në këtë rast ka edhe mendime të tjera dhe të arsyeshme për zotin Thaci, por më lejoni ta them një mendim të një politologu që e tha: atëherë kemi edhe një variant tjetër, në qoftë se LDK-ja nuk dëshiron të bisedojë me emra konkret, atëherë PDK-ja është e gatshme të bisedojë me pozicionime, atëherë le ta vendosim parimin: Republika e Kosovës është e gatshme të bisedojë me republikën e Serbisë në përmbylljen e dialogut në ekuivalencë me postin dhe pozicionin që e vendosin të dyja shtetet dhe Brukseli. Por nuk pres që LDK do të bie preh e individëve që janë thjesht të paarsyeshëm. Në qoftë se Serbia dëshiron të negociojë me postin e presidentit, ne e kemi pozitën e Presidentit, në qoftë se ata dëshirojnë të pozicionohen me postin e kryeministrit, atëherë ne e kemi postin e kryeministrit, por është e pa tolerueshme që njerëzit për ego të tyre ngritin çështje të tilla që e dëmtojnë vendin dhe veçmas procesin e vizave”, u shpreh Hoti.

Sipas Hotit, kompromisin mund ta bëj vetëm një faktor në Kosovë.

“Kompromisin mund të bëj vetëm një faktor në Kosovë, dhe ai është populli i Kosovës”, përfundoi Hoti.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës nuk ka vënë ende në shqyrtim platformën shtetërore për dialogun me Serbinë, ndërkaq që kjo pikë ishte paraparë të diskutohej në seancën e sotme plenare.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme