Partia Demokratike e Kosovës përshëndet vendimin e nxjerrë sot nga Gjykata Kushtetuese, i cili i dha të drejtë padisë që PDK ka ngritur ndaj qeverisë së shkarkuar të Albin Kurtit, veçanërisht ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia me datën 17 prill.
Në një konferencë për shtyp, deputetja Besa Ismaili ka thënë se shkelja e Kushtetutës nga kjo qeveri po ndodhë për të dytën herë dhe duhet të merren masa.
Kjo është deklarata e plotë e deputetes Ismaili:
Në çështjen që ne si PDK parashtruam, argumentuam se vendimet e ministrit në largim të Shëndetësisë, Arben Vitia, përbënin një shkelje të Kushtetutës së Kosovës, dhe kjo gjë u vërtetua sot nga Gjykata Kushtetuese.
Ne kemi kontestuar në Gjykatë katër vendime të ministrit të Shëndetësisë, të cilat janë të njëjta dhe uniforme me dhjetëra vendime të tjera të tij dhe në secilin rast është dëshmuar se ato kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Si rrjedhojë, të gjitha vendimet e tjera paraqesin po ashtu shkelje të Kushtetutës.
Aktgjykimi i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese vërteton për herë të dytë radhazi se qeveria në ikje e Kurtit është përpjekur që të përqëndrojë të gjitha pushtetet në duart e saj, duke shkelur rëndë liritë themelore të njeriut.
Lëvizja Vetëvendosje, ka ardhur në pushtet duke mashtruar qytetarët si partia që do të garantojë në Kosovë sundimin e ligjit, dhe në pak javë pushtet e diskreditoi veten duke shkelur së paku dy herë aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, Kushtetutën.
Po ashtu, përpjekja për të marrë vendime që nuk i takojnë, duke anashkaluar e nëpërkëmbur pushtetin legjislativ të Kuvendit, demonstron një mungesë të theksuar të respektit që ka kjo parti për demokracinë dhe për institucionet dhe procedurat demokratike.
Ne jemi të bindur se, marrja e vendimeve të paligjshëm nga ministri i shkarkuar Vitia në tejkalim të kompetencave ligjore përbën gjithashtu një vepër penale. Prandaj, i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të ndërmarrë hapa ligjorë kundër këtij shkelësi.
Verdikti i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese, demonstron përsëri cënimet e rënda që qeveria e shkarkuar e Kurtit i ka bërë demokracisë dhe rendit kushtetues të Kosovës. Në këtë mënyrë dëshmohet edhe njëherë se qeveria Kurti e ka merituar të shkarkohet me mbi 2/3-tat e votave të Kuvendit të Kosovës./arbresh.info/
Nisë protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë n...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi