PDK-AAK përkrah propozimin e Qeverisë, Nisma kërkon një Ekip të vetëm negociator

10:50 | 4 Shtator 2018
M. A.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë përkrahur propozimin e Qeverisë për Ekipin negociator, ndërsa Nisma për Kosovën po ashtu ka përkrahur propozim-vendimin e Qeverisë për Ekipin negociator por ka kërkuar një ekip të vetëm negociator.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria e Kosovës ka thënë se PDK-ja e përkrah propozim –vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Edhe Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se e përkrahin këtë propozim të Qeverisë së Kosovës, raporton Telegrafi.

“Meqë është kërkuar që qeveria të jetë udhëheqëse e këtij dialogu edhe AAK e përkrah”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa, Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të bëhet një platformë ku Kosovën ta përfaqësoj një delegacion në Bruksel për bisedimet Kosovë-Serbi.

Sipas tij, bisedimet kanë dy agjenda në njërën anë ekipin negociator të Qeverisë, e cila nuk e përkrah temën për territor të Kosovës dhe nga ana tjetër atë të presidentit, Hashim Thaçi.

“Nuk është bërë krejt ajo çka kemi kërkuar. Këto bisedime kanë dy agjenda, atë të Qeverisë e cila thotë se nuk do të bisedoj për territorin e Kosovës dhe kemi një komponent tjetër që është presidenti Thaçi ku deklaron se këto bisedime do të zhvillohen në atë drejtim ku do të bisedohet edhe për kufijtë. Pres që këto të shkrihen në një, të cilat do t’i takojnë Kuvendit të Kosovës me një platformë. Nëse nuk arrihet kjo shkrirje atëherë do të kemi dy delegacione një i qeverisë dhe ai i presidentit”, ka thënë Sherifi.

Ndërkaq, LDK-ja si dhe të gjitha partitë e tjera opozitare e kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme