Google ADS

PD mbështet Ferid Aganin, dënimin e tij e quan skandal të drejtësisë

09:58 | 28 Maj 2019
M. A.

Partia e Drejtësisë mbajti Kuvendin e rregullt të Punës, duke i dhënë mbështetje kryetarit Ferid Aganit

Partia e Drejtësisë mbrëmë ka mbajtur Kuvendin e rregullt të Punës, në të cilin janë bërë ndryshimet statutore duke e votuar një zëri.

Po ashtu Partia e Drejtësisë ka dalë me një deklaratë politike për gjykimin e padrejtë të Kryetarit të saj Dr. Ferid Agani, me të cilën shpreh brengën e saj për kapjen e institucioneve të drejtësisë nga politika.

PD vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj Kryetarit Prof. Dr. Ferid Aganit e konsideron në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, dhe si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë juridike të çdo qytetari të vendit.

Kuvendarët u pajtuan me deklaratën duke i dhënë mbështetje të plotë Kryetarit të saj.

Kuvendi i punës i PD-së po ashtu theksoi rendësin e ndërprerjes sa më të shpejtë të korrupsionit institucional në vend; arritjes së unitetit të domosdoshëm politik para fillimit të procesit të paevitueshëm negociator për rregullimin e marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë – Serbi nëpërmjet zgjedhjeve të jashtëzakonshme që duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti; si dhe vazhdimin e reformave të ndërprera në sektorët e drejtësisë, shëndetësisë dhe arsimit.

DEKLARATË POLITIKE E KUVENDIT TË PUNËS SË PARTISË SË DREJTËSISË ME RASTIN E VENDIMIT DËNUES TË GJYKATËS THEMELORE NË PRISHTINË PËR KRYETARIN E PD-SË

Të nderuar qytetar të Republikës së Kosovës, Partia e Drejtësisë e vlerëson vendimin dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Kryetarit të PD-së Prof. Dr. Ferid Aganit si kulmin e ndërhyrjes parapolitike në sistemin e drejtësisë së vendit.

Faktet e parashtruara në mënyrë publike nga ana e Kryetarit të PD-së flasin pa asnjë mëdyshje se vendimi i marr dënues nuk është i bazuar në asnjë dispozitë ligjore, në asnjë dëshmi gjatë procesit gjyqësor ose në ndonjë provë relevante materiale të parashtruar gjatë tij; si të këtillë Partia e Drejtësisë e konsideron këtë vendim në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, dhe si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë juridike të çdo qytetari të vendit.

Partia e Drejtësisë kërkon nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që me këtë rast të jenë vigjilent, të paanshëm, dhe të vendosur për të ndërmarrë masat e duhura për rivendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë me çka do të rikthehej besimi i luhatur i qytetarëve në sistemin e drejtësisë së vendit dhe do të shmangen pasojat serioze juridike dhe politike të këtij vendimi.

Partia e Drejtësisë konsideron se është e papranueshme padrejtësia selektive e cila është zbatuar ndaj Kryetarit të PD-së duke shkelë rëndë të drejtat e tij kushtetuese dhe ligjore për gjykim të drejtë dhe të barabartë.

Partia e Drejtësisë shtron pyetje publike për të gjithë bartësit institucional të sistemit juridik në vend se si është e mundur të dënohet për shkelje ligjore vetëm një Ministër kur të gjithë ministrat para tij dhe pas tij kanë zbatuar procedura të njejta ligjore?

Si është e mundur që aktakuza gjatë gjithë procesit gjyqësor të përfaqësohet nga prokurorja e prokurorisë speciale për të cilën është ngritur procedura hetimore për keqpërdorimin e detyrës zyrtare?
Si i këtillë a është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj Kryetarit të Partisë së Drejtësisë në rrethanat e shantazhimit të paskrupullt të sistemit juridik nga të “fuqishmit” e parapolitikës kosovare?

Partia e Drejtësisë pret nga institucioni i Avokatit të Popullit në të cilin nga ana e Kryetarit të PD-së qe dy vite është paraqitur kallëzimi kundër Prokuroris Speciale të Kosovës për aktakuzë të ngritur në mënyrë jokushtetuese dhe joligjore, që të ndërmerrë të gjitha masat e duhura ligjore për rivendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në rastin e shkeljes së vrazhdë të të drejtave dhe lirive të njeriut të Kryetarit të PD-së për gjykim të barabartë dhe të drejtë të garantuar edhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Partia e Drejtësisë njofton opinionin publik se nuk do të ndalet në përpjekjet e saja politike dhe institucionale që në pajtim me emrin që e ka të siguroj për çdo qytetar sundimin e rendit dhe ligjit në të gjitha instancat e drejtësisë së vendit, dhe në këtë drejtim e sheh të domosdoshëm zbatimin e vetingut në sistemin prokurorial dhe gjyqësor të vendit nën udhëheqjen e institucioneve vendore juridike dhe institucioneve të specializuara ndërkombëtare me të cilin do të largoheshin nga skena e vendimmarrjes juridike individë të shantazhuar dhe të korruptuar që në poste përgjegjëse kanë arritur jo me vlerat e tyre profesionale dhe njerëzore por me dëgjueshmërinë servile të motivuar me frikën nga e kaluara e tyre e turpshme.

Partia e Drejtësisë dhe Kryetari i sajë kanë pas dhe vazhdojnë të kenë besim të plotë në sistemin e drejtësisë së vendit dhe këtë e kanë dëshmuar me veprimet e tyre konkrete në periudhën e kaluar më shumë se tre-vjeçare; përkundër vendimit të marrë zhgënjyes PD pret që në instancat më të larta gjyqësore të vlerësohen me drejtësi faktet juridike dhe jo “fuqia” e vrazhdësia e ndërhyrjes politike në drejtësinë Kosovare nëpërmjet të mekanizmave parapolitik, që domosdoshmërisht dhe urgjent duhet të bëhen subjekt i procedurave hetimore të organeve relevante ligjore të vendit.

Partia e Drejtësisë falënderon me këtë rast qytetarët e shumtë të Republikës së Kosovës, anëtarët dhe simpatizantët e sajë për mbështetjen e sinqertë dhe të pakursyer që ia kanë dhënë drejtësisë në politikën Kosovare pas ballafaqimit me këtë sprovë të radhës në procesin e shtetëndërtimit juridik të vendit, dhe ju premton se së bashku me subjektet e tjera politike do të bashkërendisë aktivitetet që skandalet si ky i dënimit të Kryetarit të PD-së pa asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore të mos përsëriten asnjëherë më në drejtësinë Kosovare.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme