Google ADS

Pavarësisht vendimit të gjyqit, drejtori i një shkolle në Dragash po e mban pozitën

21:58 | 5 Mars 2017
Arbresh.info

Shukri Nebihu, drejtor i gjimnazit “Ruzhdi Berisha” në Dragash, vazhdon punën në këtë shkollë, edhe pse Inspektorati i Arsimit kishte gjetur shkelje gjatë procedurave të përzgjedhjes së tij në këtë post.
Në vendim thuhej se Nebihu nuk i plotësonte kriteret për të qenë drejtor, pasi duhet të kishte tre vjet përvojë pune, ndërsa ai kishte vetëm 17 muaj, raporton KTV.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit, atëkohë, Hajri Ramadani, nuk e kishte respektuar këtë vendim të Inspektoratit dhe rasti kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila e kishte dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Dhe në tetor të vitit të kaluar, ai ishte larguar edhe nga detyra e drejtorit të Arsimit.

Ish-drejtori i Arsimit, Hajri Ramadani, thotë se vendimi për largimin e Shukri Nebihu i kishte ardhur pas 9 muajsh që kur ishte zgjedhur si drejtues i shkollës.

Ramadani për këtë thotë se ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Arsimit, por këta të fundit nuk i kishin kthyer ndonjë përgjigje.

Në Ministrinë e Arsimit nuk dëshirojnë të komentojnë në lidhje me drejtorin Nebihu, pasi thonë se është përgjegjësi komunale.

E as kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jonuzi, nuk dëshiron ta komentojë këtë, pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve të Inspektoratit në MASHT.

Në anën tjetër, as drejtori i Gjimnazit, Shukri Nebihu, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme