Rrjeti energjetik i Kosovës do të operoj i pavarur që nga 15 maji i këtij viti.
Kjo pasi të hënën u përmbyll me sukses votimi i Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE).
Me këtë votim KOSTT dhe Republika e Kosovës përfundimisht del nga Blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni Veriore) dhe i bashkohet Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri-Blloku AK.
Kjo e fundit do të ndalë humbjet milionëshe që i shkaktoheshin KOSTTI-it.
Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info Dardan Abazi, hulumtues i lartë në INDEP.
Abazi ka thënë gjithashtu se KOSST tani do të njihet si autoritet i barabartë me operatorët e tjerë.
“Kjo marrëveshje përfundimisht njeh KOSTT-in si autoritet të barabartë me operatorët e tjerë dhe kësisoj, më në fund, ka ndodhur pavarësimi i plotë i KOSTT nga Serbia. Kjo i hapë rrugë funksionalizimit të linjës së interkoneksionit me Shqipërinë dhe ndalë humbjet që vit pas viti i shkaktoheshin KOSTT-it si pasojë e mungesës së qasjes në tregje dhe mos marrjes së pagesave për rrjedha të energjisë”, ka thënë Abazi.
Ai ka shtuar se kjo marrëveshje do të shtyj përpara procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.
“Kjo ngjarje është e rëndësishme sepse i hapë rrugë marrëveshjes Kosovë-Shqipëri për një bllok të vetëm rregullues që është jetike për rritjen e sigurisë së furnizimit dhe stabilitetit të rrjetit. Ne gjithashtu mendojmë që kjo marrëveshje duhet të inkurajoj dhe shtyj përpara procesin e liberalizimit të tregut të energjisë që aktualisht ka ngecur së zbatuari nga ana e ZRRE-së”, ka shtuar ai.
“Përfundimisht, kjo marrëveshje e vë Kosovën në pozitë të shkëlqyer që tranzicioni energjetik në planin e brendshëm të shoqërohet me integrim të tregut tonë me Shqipërinë dhe rajonin në planin e jashtëm”, ka përfunduar Dardan Abazi, hulumtues i lartë në INDEP.
Një ditë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje kryeministri në detyrë, Albin Kurti i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari kanë vizituar KOSTT-in.
Kurti ka uruar menaxhmentin teksa arritjen e marrëveshjes e ka quajtur lajm të madh për Kosovën.
“Erdha për të uruar dhe për të përgëzua për suksesin e madh që është arritur dje, por edhe për pavarësinë energjetike të Kosovës. Me bërjen e KOSTT-it me të drejta të barabarta kjo i hap rrugë një intereksioni prej 400 KË me Shqipërinë. 22 operatorë kanë mundësuar që ne të bëhemi të pavarur. Të kalojmë në bllok rregullues me Shqipërinë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa i pari i KOSTT, Ilir Shala ka thënë se rrjeti energjetik do të operojë i pavarur nga 15 maji.
“Në këtë marrëveshje që pritet të nënshkruhet në ditët në vijim do t’i njihen kufijtë energjetik brenda bllokut rregullues me Shqipërinë, Me 15 maj do të operojmë të pavarur. Të hyrat do të rriten”, ka thënë ai.
E, për të hyrat Shala kishte folur edhe në janar të këtij viti. Ai kishte bërë të ditur se sipas kalkulimeve nga kjo marrëveshje kursimi do të ketë 4.0 milionë euro në vit.
“Me ketë Marrëveshje te Bllokut Rregullues AK, definohet dimensionimi i përbashkët i kapacitetit të rezervave të energjisë elektrike brenda Bllokut AK (Shqipëri-Kosove), ku sipas kalkulimeve te dakorduara, kursimi do te jete ~ 4.0 Milionë EUR ne vit, ku për: – OST (Shq) = 1.4 Milionë EUR – KOSTT (RKS) = 2.6 Milionë EUR Po sikur të operonin të ndara si dy sisteme, atëherë kostoja e kapacitetit të rezervave të energjisë elektrike do te ishte, në total: 9.7 Milionë EUR ne vit, ku për: – OST (Shq) = 2.6 Mil EUR – KOSTT (RKS) = 7.1 Mil EUR”, kishte bërë të ditur Shala.
Ndërsa po muaj më parë, zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Bajrami për arbresh.info kishte deklaruar se Serbia ka përfituar padrejtësisht 65 milionë euro në emër të KOSTT.
“EMS (Serbi) vazhdon të bëj alokimin e kapaciteteve ndërkufitare të Kosovës me vendet fqinje si dhe të mbledh të hyrat nga alokimi i këtyre kapaciteteve. Gjithashtu, deri në vitin 2016 EMS ka mbledhur të hyrat nga tranziti i energjisë nëpër rrjetin transmetues të Kosovës respektivisht mekanizimi i ITC (Inter TSO Compensation). Nga viti 2008 e deri më tani nga alokimi i kapaciteteve ndërkufitare si dhe deri në vitin 2016 edhe nga tranziti i energjisë nëpër rrjetin transmetues të Kosovës, EMS (Serbi) ka përfituar në mënyrë të padrejtë rreth 65 milionë EUR në emër të KOSTT, andaj edhe reagimet nga ana e Serbisë në lidhje me Marrëveshjen për Bllokun Rregullues Kosovë-Shqipëri, kanë qenë të pritshme”, ka thënë ajo.
Bashkimin në bllokun energjetikë të Shqipërisë, e kishin kundërshtuar edhe zyrtarët serbë. Ata madje e kishin quajtur ëndrra shoviniste të disa politikanëve në Prishtinë./arbresh.info/
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...