Në një nga vendet më të varfëra të Evropës, duket se liderët shtetërorë nuk janë aq “të varfër” sa populli i tyre.
Ky është rasti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar pasurinë e saj për vitin 2024 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit(APK).
Osmani dhe bashkëshorti i saj, Zotëria i Parë i shtetit, Prindon Sadriu me vetëm dy shtëpi luksoze që çifti posedon, kapin vlerën gjysmë milionëshe.
Njëra ndër to, është edhe shtëpia luksoze në lagjen “Marigona Hill” e cila kushton hiq më pak se 190 mijë euro.
Kjo shtëpi luksoze ka një sipërfaqe prej 244 metra katrorë, ndërsa, sipas deklarimit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), është blerë në vitin 2019 me kursime, borxhe dhe nga shitja e banesës në Prishtinë.
Hiq më pak se 510 mijë euro ka kushtuar shtëpia tjetër luksoze e bashkëshortit të presidentes Osmani e blerë në vitin 2023 në Australi.
Kjo shtëpi është me një sipërfaqe prej 218 metra katror.
Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, këto dy shtëpi gjysme milionëshe janë quajtur si ‘banim në varg’, por çfarë do të thotë kjo? “…një shtëpi që bashkohet me shtëpitë të tjera në të dyja anët e saj me mure të përbashkëta”, nënkupton ‘banimi në varg’.
Megjithëkëtë, Osmani dhe bashkëshorti i saj kanë 40 mijë euro detyrim financiar për shtëpinë në “Marigona Hill”, ndërsa 65 mijë euro detyrim i përbashkët financiar për shtëpinë në Melbourne të Australisë.
700 mijë euro deri me tani kanë vlerën këto dy shtëpi, mirëpo, kjo nuk është e gjitha rreth pasurisë që posedon presidentja Osmani dhe zotëria i parë, Prindon Sadriu.
Në pronësi të Sadriut, tek pasurit e paluajtshme, hyjnë një banesë 67 metra katrorë, e blerë në vitin 2011 me kursime dhe kredi në vlerë të mbi 59 mijë eurove.
Edhe një garazh, e deklaruar nga Osmani në APK por në pronësi të bashkëshortit të saj kap vlerën e 6 mijë eurove dhe është më një sipërfaqe prej 14 metra katrorë. Kjo garazh kolektive është blerë me kursime dhe kredi në vitin 2011.
Edhe një shtëpi në pronësi të Sadriut është ndërtuar në vitin 2004 në vlerë prej 170 mijë euro me një sipërfaqe 150 metra katrorë.
Në pronësi të Osmanit, është regjistruar një tok 5.10 ari e blerë me kursime dhe borxh në vitin 2016.
Kjo tokë, kushton 35 mijë euro. Banesa, garazha, shtëpia dhe toka kapin vlerën e rreth 270 mijë eurove.
Përveç këtyre, e para e shtetit tek pasurit e luajtshme ka deklaruar një veturë të tipit Mercedes Benz, e blerë nga kursimet dhe shitja e veturës paraprake në vlerë të 10 mijë eurove për të cilën, Osmani ka deklaruar se është në pronësi të bashkëshortit.
266.84 dollar australian, 1,077 euro në një bankë në Kosovë, 90.87 euro në një bankë tjetër në Kosovë dhe 0.93 euro në një bankë në Shkup. Kjo është shuma që
Osmani ka deklaruar që i mbanë si para të gatshme.
Të ardhurat vjetore të presidentes Osmani janë 33 mijë euro.
Paga vjetore që bashkëshorti i presidentes Osmani merr nga Thesari i Kosovës është 17 mijë e 173 euro e 16 cent.
Zotëria i pari i shtetit, po ashtu merr nga qiraja e shtëpisë në Australi 12 mijë euro në vit.
Kabineti i Presidentes: Nuk është e vërtetë që Osmani dhe Sadriu zotërojnë një shtëpi të dytë në “Marigona Hill”
Për të qartësuar deklarimin e pasurisë se bërë nga Presidentja Arbresh.info ka dërguar pyetje tek kabineti i Presidentes Osmani.
Egnesa Vitia nga Presidenca e Kosovës thotë se Presidentja e Kosovës dhe bashkëshorti i saj zotërojnë vetëm një shtëpi në “Marigona Hill”.
Sipas saj, shtëpia është kontraktuar me çmimet e tregut të vitit 2019 dhe ende nuk është paguar në tërësi.
“Presidentja dhe zotëria i parë zotërojnë vetëm një shtëpi ne “Marigona Hill” e cila është kontraktuar me çmimet e tregut te vitit 2019, dhe akoma nuk është paguar ne tërësi. Të gjitha të dhënat rreth madhësisë se shtëpisë etj, janë te deklaruara ne AKK në përputhje me kërkesat për deklarim te pasurisë”, thotë Vitia.
Vitia thekson se nuk është e vërtetë që ata zotërojnë një shtëpi të dytë në “Marigona Hill” ose në ndonjë lagje tjetër në Kosovë.
“Pra, nuk është e vërtete se zotërohet një shtëpi e dytë ne “Marigona Hill” apo në ndonjë lagje tjetër në Kosovë. Meqë kjo shtëpi në “Marigona Hill” nuk është paguar ne tërësi, ende nuk konsiderohet që është në pronësi të presidentes e bashkëshortit, por Presidentja e ka deklaruar për shkak të transparencës”, pohon ajo.
Kastrati: Kjo zonja duhet të hetohet
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, në një deklaratë për Arbresh.info kërkon hetimin e presidentes Vjosa Osmani, duke e quajtur të pashpjegueshme rritjen e pasurisë së saj vetëm me pagat e institucioneve të Kosovës.
Kastrati thekson se është e pamundur që një individ të krijojë një pasuri të tillë vetëm nga paga e një institucioni.
“Kjo zonja duhet të hetohet. Për mua është e pashpjegueshme se si vetëm me paga të institucioneve të Kosovës të bëhet gjithë kjo pasuri. Është thjeshtë e pamundur”, thotë ai.
Ai përmend vështirësitë e tij personale, duke e shpjeguar se me pagën e tij nga Kuvendi, mezi arrin të mbajë familjen e tij prej pesë anëtarësh deri në fund të muajit, duke përballuar çmimet e larta dhe shpenzimet për tre fëmijë.
“Unë me pagën nga kuvendi mezi ja dal me 5 anëtarë të familjes deri fund të muajit me këto çmimet astronomike, me shpenzimet për tre fëmijë, me kredi, etj. Nuk kam veturë prej vitit 2015. Skam asnjë lloj prone. E kam të trashëguar vetëm shtëpinë e prindërve të mi”, thotë tutje ai.
Përkundër këtyre sfidave, ai vërejti se Vjosa Osmani, e cila ka pasur një pagë të ngjashme gjatë viteve të fundit, ka grumbulluar një pasuri të konsiderueshme, që duket e pakuptueshme për të.
“Tani Vjosa Osmani afërsisht njëjtën rrogë e ka pasur këto vitet e fundit dhe pyetja shtrohet si ka mundësi këtë pasuri gati milionëshe! Definitivisht ajo duhet hetuar”, përfundon Kastrati.
Haziri: Të formohet një Task Forcë për hetimin e pasurisë së presidentes Osmani dhe politikanëve tjerë në Kosovë
Në anën tjetër, edhe opinionisti kosovar, Nexhat Haziri, ka ngritur shqetësime lidhur me pasurinë e deklaruar të presidentes Vjosa Osmani dhe fenomenin më të gjerë të pasurimit të politikanëve në vend.
“Paga e vogla, po fitimi i madh, thoshte më parë opozitari i dikurshëm, tani kryeministri aktual Albin Kurti. Nuk është keq të jesh i pasur, por çështja është nga vije kjo pasuri si në rastin e presidentes së vendit znj. Osmani. Por, një vend si Kosova, e pazhvilluar ekonomikisht, politikisht dhe kulturalisht, në mungesë të funksionimit të ligjit, politika mbetët një nga fushat më fitimprurëse, ku njerëzit e shohin si mundësi për pasurim, dhe siç shihet nga pasuria e deklaruar nga ana e Presidentes Osmani, del ta ketë shfrytëzuar mirë”, thotë ai.
Ai për Arbresh.info thekson se politika, në mungesë të një funksionimi të plotë të ligjit dhe llogaridhënies, është bërë një fushë shumë e frytshme për pasurim të shpejtë dhe të dyshimtë.
Në këtë kontekst, Haziri vëren se pasuria e deklaruar nga presidentja Osmani ngre dyshime të forta për origjinën e saj dhe për nivelin e lartë të korrupsionit në politikën kosovare.
“Dhe kjo pasuri e presidentes Osmani, e deklaruar, por edhe e politikanëve të tjerë dhe bartëseve të institucioneve të gjitha niveleve shtetërore, në ketë gjendje në të cilën është Kosova ku paga mesatare është 200 euro, me inflacion në rritje dhe thellim të varfërisë, përbën dyshim të bazuar për nivelin e lartë të korrupsionit dhe formave të tjera të jashtëligjshme të pasurimit të njerëzve të politikës”, thotë tutje ai.
Në përfundim, Haziri kërkon formimin e një Task Force të posaçme për të hetuar pasurinë e politikanëve në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe presidenten Osmani.
“Andaj, është nevojë imediate e formimit të një Task Force për hetim të pasurimit të politikanëve në Kosovë, duke përfshirë edhe presidenten e vendit znj. Osmani dhe përmes formimit të agjencioni për konfiskimin e pasurisë, pasuria e paligjshme apo e paarsyetuar t’i kthehet shtetit. Dhe kur flas për agjencionin për konfiskimin e pasurisë, e kam fjalën për një institucion që i shërben dekriminalizimit të skenës politike, që funksionon në bazë të ligjit, dhe jo një e tillë që është instrument politik për ta luftuar kundërshtarin politik siç provoi ta bënte partia në pushtet, LVV-ja”, përfundon ai.
Arbresh.info ka kontaktuar edhe me kompaninë “Marigona Hill”, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Ndërkohë portali “Demokracia” sot ka publikuar një fotografi ku shihet presidentja Osmani me mbrojtjen e afërt duke inspektuar punimet në vargun e ri të shtëpive luksoze në “Marigona Hill”./Arbresh.info/ Edona Krasniqi/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...