Pastrohet dhe vendosen shporta mbeturinash përreth Liqenit të Batllavës

16:43 | 15 Prill 2017
Arbresh.info

Inxhinierët pa Kufinj (Engineers Ëithout Borders Kosova) me përkrahje financiare nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut, kanë vendosur sot paradite shporta nëpër hapësirat përreth Liqenit të Batllavës, si dhe kanë zhvilluar një aksion për pastrimin e këtyre hapësirave.

Vigan Jashari nga Organizata joqeveritare “Inxhinjerët pa Kufinj”, tha se hapësira përreth Liqenit të Batllavës është pastruar para jo më shumë se dy javësh, por në ndërkohë e njëjta është mbushur plot mbeturina nga vizitorët e pakujdesshëm.

 

“Sot kemi organizuar një aksion pastrimi të hapësirave rreth Liqenit të Batllavës. Kjo hapësirë para dy javësh është pastru komplet por sot qenka mbushur prapë. Pjesë e projektit është edhe vendosja e shportave për mbeturina rreth pllazheve, të cilat janë duke u punu momentalisht. Sot kanë me u vendosë disa këtu, më vonë dikur. Po shpresojmë që me vullnetarët që i kemi mbledhë kemi me bo një punë të mirë sot. Ky projekt është financuar, është përkrahë financiarisht nga ambasada e Luksemburgut të cilëve u jemi shumë falënderues” tha ai.

Sa i përket arsyeve për përzgjedhjen e Batllavës si lokacion për aksion pastrimi, Jashari tha se hapësira përreth Liqenit të Batllavës duhet të jetë shumë më e pastër dhe më e mirë për shkak se ajo është një destinacion turistik për Kosovën, jo vetëm për ata që nuk i kanë mundësitë të vizitojnë bregdetin gjatë verës por po ashtu edhe për të gjithë të rinjtë e Kosovës që mund ta vizitojnë liqenin.

Arsyeja tjetër sipas Jasharit është se ky liqen i furnizon shumicën e qytetit të Prishtinës me ujë.

 

“Pjesa tjetër është që Liqeni i Batllavës e furnizon shumicën e qytetit të Prishtinës me ujë. Tash krejt këto mbeturina shkojnë në ujë, e ndotin ambientin, i dëmtojnë speciet e peshqve që janë në liqen, edhe në të njëjtën kohë të njëjtat mund të na vijnë në gotat tona, shtëpitë tona,” tha Jashari për KosovaPress.

Ky ka qenë organizimi i parë i këtij lloji për Inxhinjerët pa Kufinj, por Jashari shpreson se nuk është i fundit.

Në mesin e vullnetarëve që i ishin bashkangjitur iniciativës për pastrim, Mimoza Karameta nga qyteti i Lipjanit, e cila tha për KosovaPress se është obligim moral i çdo qytetari të mos hedhë mbeturina, dhe nëse mbeturinat hidhen të paktën të dalin disa vullnetarë t’i largojnë ato.

 

“Iniciativës më ka shty me iu bashkangjitë kjo rrëmujë që është këtu, dhe e falënderoj shumë organizatën Engineers Ëithout Borders që e ka bo këtë organizim dhe na ka mundësu edhe neve si vullnetarë që jemi me i mbledhë këto mbeturina. Se natyra këtu është shumë e bukur, por edhe vetë ndoshta e keni pa më herët sa shumë ka pas mbeturina. Edhe mendoj se është e drejtë morale e çdo qytetari që mas pari mos t’i hudhë këto mbeturina, por edhe nëse i ka bo dikush të paktën ne disa vullnetarë t’i mbeldhim,” tha ajo.

Karameta po ashtu tha se është shumë e rëndësishme të ndermirën aktivitete të këtilla, dhe se shpreson se nuk do ketë nevojë më për këso lloj aktivitetesh në rend të parë dhe se qytetarët do vetëdijesohen dhe të mos ta ndotin ambientin.

Rreth mesditës shportat e blera me financimin e ambasadës së Luksemburgut janë vendosur në hapsirat përreth liqenit.

Inxhinierët pa Kufij është një organizatë humanitare joqeveritare e themeluar për t’u bërë partnere në zhvillimin e komuniteteve në mbarë botën, me mision përmirësimin e cilësinë së jetës së këtyre komuniteteve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme