Pastori i Bashkësisë së Popullit të Zotit, Artur Krasniqi, përmes një letre të hapur i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti, që të ndryshojë udhëzimin që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.
Ai shprehë çudinë se pse deri më tani nuk kërkohet Ligji për liritë fetare, sikur që u ngrit çështja e shamisë në shkolla.
“Çfarëdo hapi drejt islamizimit të vendit dhe dukjes së Kosovës si e tillë, do t’i kushtojë Kosovës me koncesione më të dhimbshme karshi Kishës Ortodokse serbe”, shkruan Krasniqi.
LETRA E PLOTË:
Qeveria e Republikës së Kosovës
Kabineti Qeveritar
Zyrës së Kryeministrit
11 gusht, 2022
Letër e hapur kryeministrit z. Albin Kurti
I nderuar Kryeministër, hiqeni ndalesën e shamisë
I nderuar Z. Kurti,
Është bërë praktikë në Kosovë që sa herë vendi ynë është duke kaluar nëpër sfida apo para sfidave të mëdha, në mënyrë krejt artificiale dikush kujdeset që të ngreh tema e probleme të karakterit fetar. Herë individë e herë institucione të caktuara; herë nëpër rrugë e herë përmes presionit publik, ngrehin tema e kërkesa fetare për ta rënduar situatën, a për t’i vënë barrë Kosovës para takimeve ndërkombëtare.
Së fundi në skenën politike krejt papritmas u ngrit çështja e shamisë dhe kërkesa për ndryshimin e Urdhëresës Administrative 06/2014, atë pikën e famshme që në mesin e gjërave të ndaluara, i ndalon edhe veshjet fetare në shkollë.
Kaq shumë zhurmë e kaq shumë herë u ngrit kjo çështje, ndërsa Kosova u akuzua nga brenda si shkelëse e të drejtave të myslimanëve. Shih për këtë dhe për hir të së vërtetës, së pari z. Kryeministër, unë qytetar i besimit të krishterë- protestant, Pastor e predikues, ju drejtohem me këtë kërkesë që të përdorni autoritetin Tuaj që ta ndryshoni këtë Urdhëresë Administrative.
Ndoshta për ju, apo për shumë kjo mund t’u duket e padrejtë nga ana ime, por më lejoni të sqarohem.
Vajza të mbuluara ka në klasë të parë të shkollës fillore në Dragash, Prizren, Obiliq, Pejë, Gjilan, Prishtinë etj.
Që nga paslufta kam vizituar shpesh shkolla të ndryshme në Kosovë. Me ka rënë të shoh vajza të mbuluara jo vetëm në shkolla të mesme, madje edhe në klasë të parë të shkollave fillore në komuna, si Dragashi, Prizreni, Obiliq, Pejë e Gjilan, Prishtinë, Fushë-Kosove etj. Në shkolla të Kosovës shamia nuk është e ndaluar. Rrallë ndonjë mësimdhënës a drejtor shkolle i udhëhequr nga atdhedashuria mund të ketë kundërshtuar apo kërkuar që të zbatohet vendimin e MASHT-it. Sepse pastaj e anatemojnë, e fyejnë, e kërcënojnë me vdekje.
Gati e çmenden arsimtaren në Gjakovë pse deshi ta zbatonte udhëzimin administrativ të Qeverisë.
Në Kosovë ka mësimdhënëse me shami; që punojnë në shkolla fillore e të mesme, ka nxënëse, ka nëpunëse e zyrtare që bartin shami.
Shamia nuk është e ndaluar në Kosovë. Çdokush që do të bartë, është e lirë dhe ky Udhëzim Administrativ është bërë pretekst gjoja se kaq shumë do ta vendosin, nëse hiqet kjo ndalesë.
Në disa shkolla shtetërore në vend të abetares, mësohet sheriati
Unë besoj që shamia është problemi më i vogël i arsimit në Kosovë. Mua më shqetëson që kjo kërkesë vjen tash pasi që sistemi i arsimit është i rrëzuar përtokë, ka degraduar e rrënuar, ka rënë nën çdo nivel. Pas një katandisje të tillë, duket normalë të kërkohet shamia.
Ajo qe më shqetëson nuk janë gratë e vajzat me shamia, por mësuesit e indoktrinuar fetarisht plot ekstreme në doktrinën e tyre. Ata janë rreziku më i madh për shkollën, sot.
A e din MASHT-i sa mësues ekstrem shpërfillin plan programin e mësojnë fenë, ligjërojnë sheriatin nëpër shkollat tona. Unë besoj që sot rreziku më i madh në shkollat tona nuk është nga ato gra që bartin shami po nga disa mësues që sa më parë duhet të identifikohen. Rreziku më i madh është nga ata nxënës të cilët shpeshherë mësonjëtoret i kthejnë në hapësira falje, abdesi e thirrje përçarëse. Shume drejtor shkollash janë ne hall me nxënësit qe te premten lëshojnë mësimin e mësyjnë xhamitë.
Unë jam i bindur qe liria e demokracia, vlerat properëndimore e orientimi i rinisë sonë drejt Evropës nuk mbahet nën disa ndalesa ligjore, por është i ngulur ndër zemra, e nëse nuk është ashtu, atëherë le ta dëshmojmë të kundërtën.
Prandaj z. Kryeministër, dëshmoje së kjo shoqëri është e lirë dhe jo e sanksionuar për orientimin e vet, prandaj mbyllja gojën atyre që besojnë, predikojnë e urojnë që shamia do të jetë identiteti yni “kombëtar”.
Unë, sot më shumë se asnjëherë tjetër, besoj që ngritja e temave të tilla është në dëm të vendit tonë sa herë që dikush do edhe ka agjenda të tjera.
Me habit fakti se nuk ka ndonjë kërkesë për të miratuar ligjin për Bashkësitë Fetare në Kosovë, nuk pranohet transparenca financiare për aktivitet fetare e nuk dënohet dhuna e padrejtësia. Kjo do të duhej të ishte kërkesa e parë.
I nderuar z. Kryeministër, sot jam më se i bindur që këtë ndalesë duhet ta hiqni e tu garantoni lirinë burrave që kërkojnë shami për gratë dhe vajzat e Kosovës.
Jam i sigurt që Ju dhe kjo shoqëri duhet ta dijë që çfarëdo hapi drejt islamizimit të vendit dhe dukjes së Kosovës si e tillë, do t’i kushtojë Kosovës me koncesione më të dhimbshme karshi Kishës Ortodokse serbe. Sa më shumë që Kosova merr orientim pro lindje, aq më shumë do te rritet presioni mbi Kosovën për vet administrim të komunitetit serb, e edhe nga miqtë tonë. Prandaj, kërkesat e tilla e trumbetimi i mungesës së lirisë në Kosovë, do t’u ndihmojë më së shumti atyre për të kërkuar një kompromis tjetër.
Kur vendi është në rrezik, kërkon që e keqja mos të triumfojë, kërkon që njerëzit e duhur të marrin vendime të drejta.
Prandaj, ju lutem z. Kryeministër, hiqeni ndalesën e shamisë në Kosovë.
Me respekt,
Pastor Artur Krasniqi
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...