Google ADS

Pasqyra e thyer, macja e zezë, e prerja e thonjve| Besëtytnive ende ju besohet

14:23 | 10 Prill 2021
L G

Pasqyra e thyer, macja e zezë, e prerja e thonjve, janë disa nga besëtytnitë që ju besojnë ende qytetarët.

Më së shumti del të jetë besimi tek tersi që mund të shkaktoj prerja e rrugës nga maceja e zezë.

“100 herë m’ka ndodhë me ma pre rrugën, krejt jeta prap m’ka shku”, thotë qytetari Hamdi Pacolli.

Nëse duke e kaluar rrugën, qoftë në këmbë apo me veturë, një mace e zezë ua ‘pret’ rrugën, atëherë ju duhet ta ndryshoni drejtimin apo të ktheheni, pasi kjo është një shenjë e fatkeqësisë.

Në mesjetë, macet konsideroheshin kafshë të shtrigave, kështu për të mos pësuar ndonjë fatkeqësi, ato edhe vriteshin.

“Kurrë në jetë maca e zezë s’ma ka pre rrugën. Jo tybe! Unë ato sene nuk i besoj, fallit njo, e atyne gjanave. Jo, kurrë në jetë! Unë i besoj veç mjekësisë së shekullit XXI, kulturës qeto sene. E ato sene janë rren, ato pleqtë i kanë qitë përpara. Thojshin kulshedra del natën, e neve fëmijëve na tutshin mos me dal, qaq. Tjetër s’ka pas”, deklaroi Ekrem Morina.

Besëtytnitë padyshim që janë pjesë e çdo populli, dhe për to ende dëgjohet të flitet edhe tek shqiptarët, por që disa nga ta i kanë shpërfillur me kalimin e kohës.

“Macat thojshin ta prenë rrugën, e duhet me i ra tjetër rrugë. Por, ato janë fjalë të kota. Tash mu kthy krejt përmas, aaa?! Kur jam kanë fëmijë, e kom tepru. Jam kthy përmas, tjetrën rrugë, tash pe shoh që janë fjalë të kota. A te tanë i majnë në shpi. Fjalë të kota janë këto. Ma herët na thojshin te shpia, nana e baba, por tash jo ma”, shprehet Halim Krasniqi.

Sot, është në modë të flasim për energjinë njerëzore, për të cilën dëgjojmë, pothuajse çdo ditë.

Një nga këto është edhe larja me hithra në kohë shingjergji.

“Me ujë të mullinit, shkojshum i mledhshum shelnet edhe hithat edhe kur vike dita e Shën Gjergjit, në sabah herët na qojshin, në 04:00-05:00. Na stërpikshin, ishalla rritni, bahni të mdhaj, e bahni të trashë. E kshtu-ashtu na thojshin pleqtë. Përpara ata kanë fol shumë, po na po i harrojmë. Po mu sum kanë dal kurrë, çka kanë thanë”, shprehet i Krasniqi.

Ka edhe prej atyre qytetarëve që thonë se nuk i kanë besuar besëtytnive.

“Nja dy, tre ditë në prill u thuhet dita e plakave. Po çfarë të besumi allahile, realiteti është një. Nuk e di çka dojnë me thanë këto,” deklaroi një qytetar që tani jeton në Azerbejxhan.

“Jo, kurrë sen të Zotit, s’i kom besu. Jo tybe, s’di kurgjo. Unë kam maca, se jam katunar, kam maca në shpi boll, po s’ka ba vaki me ma pre udhën. E prejti s’e prejti macë është ajo. Çka ka me ba ajo macë. Ato janë rrena krejt”, shprehet qyetari tjetër.

“Pasqyra e thyer” është një nga bestytnitë që ende disa besojnë se ka fuqi që të sjellë gjëra të këqija në jetë.

“S’jam mërzit kurrë hiq. Kush i beson fallit të plakave. Dikush u beson vallahi. Unë n’jetë temë s’ju kom besu. Çka dojnë me thanë ato s’di, veç në jetën temë ktyre kopallave s’u kom besu, as fallit plakave, as pleqve. I kom pas principet e mija, sum kanë pengu këto kurrë. Janë përmend këto tanat, po mu sum kanë pengu”, shprehet Bajram Osmani.

Këto besëtytni kanë ekzistuar gjithmonë dhe do vazhdojnë të jenë prezentë edhe në kohët e tanishme, por duket se më të vjetrit në kohët kur i kanë besuar, kanë përfunduar të mashtruar.

Pavarësisht kësaj, mbijetesa nëpër vite e tregon fuqinë e besimit në to, kryesisht të rinjve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme