Dorëheqje nga korrigjimi i Demarkacionit: Këto ishin pasojat, nga sulmi në Kuvend dhe vdekja e Deharit e deri te vizat
Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje dhe kolegu i tij Florim Isufi kanë dhënë dorëheqje nga Komisioni për korrigjimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Në arsyetimin e tyre pështjellues, si shkas përmendet qeveria e kaluar, qeveria e sotme dhe Koronavirusi i ri Covid-19.
Në arsyetimin e tyre nuk jepet asnjë arsye e qartë për këtë dorëheqje nga komisioni. Përmendet një deklaratë në Podgoricë nga Ministri i Punëve të Jashtme Pacolli, edhe pse nuk ofrohet asnjë vegëz si provë për ta mbështetur këtë gjë. E për më tepër, nuk tregohet as se çka e pengonte punën e tyre ajo deklaratë.
Në këtë arsyetim bizar u përmend edhe qeveria aktuale, më saktë LDK-ja e cila sipas tyre me egërsi e mohonte këtë çështje. As këtu nuk jepet shpjegim se çka e pengonte punën e tyre LDK-ja e qeverisë Kurti? Dhe vetë qeveria Kurti?
Një tjetër arsye bizare ishte edhe koronavirusi i ri Covid-19. Në fakt, Qeveria Kurti mund t’i jepte mandat këtij komisioni që të vazhdonte punën edhe pas koronavirusit.
Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi ishin bërë dy figurat më të rëndësishme në politikën kosovare gjatë periudhës së Qeverisë Mustafa. Ata u quajtën “heronj” nga mbështetës të VV-së dhe AAK-së, dhe “mashtrues” nga LDK. PDK-ja në anën tjetër deklaronte se kishte hezitime për çështjen.
Por, cilat ishin pasojat më të mëdha që i kishim nga ky mashtrim i madh?
Polarizimi politik
Opozitari i asaj kohe, Ramush Haradinaj, e kishte quajtur “peder” kryetarin e mëhershëm të komisionit Murat Mehën duke i dhënë lindje kësaj kauze të çuditshme.
Vetëvendosje i ishte bashkuar menjëherë kauzës dhe kishte nisur etiketimin e shumë njerëzve që e mbronin demarkacionin e atëhershëm si “tradhtarë”. Ndër këta njerëz që e mbështesnin punën e komisionit të mëhershëm kishte qenë kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi.
Dhuna në Kuvendin e Kosovës
Demarkacioni nuk ishte ratifikuar në Kuvend pasi që deputetë të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës që ishin në opozitë kishin futur vazhdimisht gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancave për një periudhë tepër të gjatë kohore.
Protesta të mëdha ishin organizuar edhe në rrugë – e të cilat shpesh kishin përfunduar me aktivistë dhe me policë të lënduar.
Granatimi i Kuvendit
Pikërisht për këtë çështje u sulmua institucioni më i rëndësishëm në Kosovë: ndërtesa e Parlamentit. Me një motoçikletë, e cila më pas do të digjej për të fshehur gjurmët e krimit, dikush gjuajti me granatë në drejtim të Kuvendit gjatë orëve të mbrëmjes. Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë një grup i ashtuquajtur “Rugovasit” por megjithatë edhe pas katër vitesh nuk dihet se kush ishte përgjegjësi.
Parlamenti është institucion i shenjtë në sistemin e demokracisë parlamentare siç është Kosova. Gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes ishin akuzuar për rastin, dhe madje edhe ishin dënuar por çështja tashmë është në Gjykatën e Apelit.
Mes këtyre aktivistëve të akuzuar, për fat të keq ishte edhe Astrit Dehari.
Vdekja e Astrit Deharit
Në fund të vitit 2016, i ndodhur në burgun e Prizrenit do të gjente vdekjen në rrethana të dyshimta aktivisti 26 vjeçar Astrit Dehari. Dehari vinte nga një familje e shquar patriotike.
Çështja e tij ende nuk është zbardhur, me disa ekspertë zviceranë që kanë kërkuar të konsiderohet edhe mundësia e vrasjes së tij, dhe jo vetëm ajo e vetëvrasjes.
Zv.kryeministri i dytë i Kosovës dhe anëtari i Vetëvendosjes, Haki Abazi, kishte lënë mundësinë që pikërisht kjo parti të ishte prapa vrasjes së këtij aktivisti.
Izolimi me viza
Në vitin 2016, BE-ja premtonte se ratifikimi i demarkacionit ishte kushti i vetëm i mbetur për të liberalizuar vizat. Demarkacioni do të ratifikohej vetëm pas ardhjes në pushtet të Ramush Haradinaj, e i cili do të formonte një komision për korrigjimin e këtij demarkacioni. Por, momenti për të fituar liberalizimin e vizave kishte humbur – dhe dëmet në skenën politike ishin të pariparueshme.
Kryesues të këtij komisioni kishin qenë pikërisht Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi – e të cilët sot hoqën dorë nga kjo çështje.
Qytetarët e Kosovës nuk duhet ta lënë këtë çështje mashtruese në hije. Duhet të shtrohet me forcë e bërtimë pyetja si vijon: Kush na mashtroi për 8200 hektarë? Kush e sulmoi Kuvendin e Kosovës? Kush na la pa liberalizim vizash? /Periskopi
Kush janë 16 banorët e parë të Big Brother VIP Albania 4
Drenusha-Sarës: Nuk ke ndjenja për Drilonin
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 200 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për v...
“Biletë kthimi e çek me para” – gjashtë avantazhet që ndodhe...